Katalonja kërkon prej vitesh me ngulm pavarësinë nga Spanja, ndërsa Madridi ka kundërshtuar vazhdimisht çdo përpjekje të tillë.
Kështu ndodhi edhe në rastin e referendumit që pritet të mbahet sot, që nga qeveria qendrore spanjolle është cilësuar si anti-Kushtetues, ndërsa autoritetet rajonale të Katalonjas janë organizuar të gjitha proçedurat.
Madridi ka përqëndruar mijëra forca sigurie në rajon, që fillimisht ishin vendosur në anije turistike, por gjatë ditës së djeshme janë angazhuar në terren për të penguar mbajtjen e referendumit, duke marrë nën kontroll vendet ku ishin përcaktuar se do të kryhej votimi.
Por çfarë do të ndodhte nëse Katalonja vendos për pavarësinë?
Problemet ekonomike që do t’i shkaktonte një gjë e tillë Spanjës, do të ishin të mëdha, por edhe vetë rajoni nuk do ta kishte të lehtë në këtë aspekt.
Si një prej rajoneve më të pasura, në Katalonja realizohet një e pesta e rendimentit ekonomik të të gjithë vendit. E ndërsa disa sipërmarrës shohin vetëm avantazhe ekonomike nga shkëputja, duke menduar se Katalonja e pavarur do të ishte po aq e fortë sa Austria dhe Danimarka, ka të tjerë që e shohin me shqetësim këtë mundësi.
Sipas tyre, nëse Katalonja shkëputet nga Spanja, ajo do të shkëputet edhe nga Europa, duke humbur kështu një sërë avantazhesh dhe detyrimesh për një tregti pa ndërlikime me pjesën tjetër të Europës.
Një biznesmen i cituar nga ‘DW’ thotë se pavarësia do të nënkuptonte rivendosjen e barrierave doganore dhe kësisoj shtrenjtimin e eksporteve dhe importeve.
Kjo sipas tij do të ulte aftësinë e konkurencës së sipërmarrësve katalanas në krahasim me partnerët e tyre jashtë vendit.
Qeveria spanjolle mendon se ekonomia në Katalonjë mund të bjerë me 25 deri në 30 përqind dhe se papunësia do të dyfishohet. Për t’u bërë sërish pjesë e BE-së, Katalonja duhet të nise nga fillimi procesin e antarësimit, ndoshta një rrugë e vështirë e plot pengesa kjo.
Sepse Katalonja mund të bëhet anëtare e BE-së, nëse këtë e miratojnë të gjitha shtetet anëtare, e në radhë të parë do të jetë Spanja ajo që do të vendosë veton kundër. /tesheshi.com/