Kosova dhe produktet ushqimore të saj po prezantohen për herë të parë në panairin më të madh të ushqimit “Summer Fancy Food Shovv” që mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 28 deri më 30 qershor.
Gjashtë kompani prodhuese kosovare me rreth 100 lloje të produkteve cilësore janë në mesin e 2500 prodhuesve nga mbi 40 shtete të botës në një ngjarje të përmasave ndërkombëtare që gjatë tre ditëve pritet të tërheqë mbi 25000 vizitorë të regjistruar.
Ushqimet “Made in Kosova” që ekspozohen në nju Jork janë: pije freskuese, ujë, djath, patatina dhe produkte të tjera nga patatja, kërpudha të thata, si dhe biskota e ëmbëlsira.
“Ky panair paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve kosovare përtej oqeanit dhe anembanë botës, ndërsa vetë pjesëmarrja e shtetit më të ri në botë në këtë panair ka zgjuar kërshërinë e vizitorëve të shumtë, të cilët kanë pasur vlerësime pozitive për cilësinë e produkteve kosovare”, deklaroi sot Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Prezantimi i Kosovës në panair po bëhet nën organizimin e Oda Ekonomike Amerikane dhe me mbështetje të Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht të Agjencisë për Përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. /tesheshi.com/