Njeriu më i vjetër në botë, një grua nga New Yorku ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 116-vjeçare, duke i kaluar trashëgiminë e njeriut më jetëgjatë në botë italianes Emma Morano. Edhe Emma është 116-vjeçe.
Susannah Mushatt Jones, e lindur në Montgomery të Alabamas në vitin 1899, u shua në një shtëpi për të moshuarit në Brooklyn. Ajo hyri në Librin e Rekordeve Guiness vitin e shkuar, pas vdekjes së japonezit Misao Okawa në moshën 117-vjeçare.
Njeriu aktual më i vjetër në moshë, gjyshe Emma tregon se në vitin 1938, kohë kur i vdiq i biri në moshë të vogël, vendosi të ndahej nga bashkëshorti dhe sot e kësaj dite jeton e vetme në Verbania të Italisë. Ajo nuk ka asnjë punonjëse në shtëpi që ta ndihmojë, me përjashtim të një mbese, e cila shkon çdo mëngjes ta përshëndesë.
Menyja e saj ushqimore është shumë e thjeshtë dhe gjithmonë e njëjta: vezë të freskëta të gjalla (dy deri në tre në ditë), pak mish, një pjatë makarona me salcë apo me perime dhe një banane.
Sipas Valter Longo, drejtor i Institutit të Jetëgjatësisë në Universitetin e Kalifornisë, jetëgjatësia e të moshuarës varet edhe prej faktorëve gjenetikë. Njëra nga motrat e Moranos ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare ndërsa një tjetër në moshën 102-vjeçare. /tesheshi.com/