Protesta e opozitës hyri sot në ditën e dytë pasi me dhjetëra qytetarë dhe të rinj të Forumit Rinor të partisë Demokratike e kaluan natën në çadrën e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Dhjetëra mbështetës të Partisë Demokratike, por edhe deputetë të kësaj force politike kanë kaluar natën në çadrën e ngritur një ditë më parë nga të rinjtë e FRPD-së. Kërkesa e opozitës u artikulua një ditë më parë nga kryedemokrati Lulzim Basha, për qeveri teknike si kusht i domosdoshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Deputeti i PD, Gerti Bogdani nga çadra e ngritur në shesh ka deklaruar se dy janë kërkesat që kërkon të arrijë protesta, qeveri teknike dhe reformë zgjedhore, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Edhe deputeti i PD, Aldo Bumçi kërkoi nga kryeministri Rama të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të evitojë tensionet dhe trazirat. /tesheshi.com/