Partizani ka humbur edhe sfidën kthyese të Ligës së Europës kundër Stromsgodset, duke u përshendetur nga ky kompeticion. Ndeshja e së enjtes në “Qemal Stafa” përfundoi 0-1.
Në të vërtetë, të kuqtë e Starovës kanë dominuar nga minuta e parë deri në të fundit, por ka munguar vetëm goli. Vetëm në pjesën e parë, Partizani ka krijuar shtatë raste, duke detyruar miqtë të mbrohen, por kanë gabuar para portës.
Mazrekaj ishte i jashtëzakonshëm në 45 minutat e parë, duke furnizuar shokët e ekipit me topa, por fati nuk ishte me të kuqtë. Rastin më të mirë në këtë pejsë e kishte Sebino Plaku që nuk shënoi i vetëm përballë portierit.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të skuadrës shqiptare, por rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit e Partizanit. Me kalimin e minutave, edhe miqtë norvegjezë filluan të dalin përpara.
Në minutën e 70, Ogunjimi doli i vetëm përballë Albano Hoxhës, por ky i fundit i ndali gjuajtjen. Kur pritej që gjyqtari Stieler të jepte shenjë për përfundimin e ndeshjes, Valsvik shënoi golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren e dytë ndaj Partizanit.