Emmanuel Macron dhe La République en Marche! vazhdojnë të shkruajnë historinë e re politike të Francës.
Vetëm një muaj pasi Macron fitoi zgjedhjet presidenciale, është organizmi i tij politik, me një të shkuar vetëm njëvjeçare, që gjendet pranë një fitoreje spektakolare në zgjedhjet parlamentare franceze.
France 24 vë këtë titull në faqen e saj elektronike teksa raporton mbi zgjedhjet parlamentare të së dielës: “Partia e Macron-it varros establishmentin francez në raundin e parë të zgjedhjeve legjislative.”
Rezultatet paraprake flasin për një fitore të madhe të partisë së tij, që mund të sigurojë kështu nga 415 në 445 vende në Asamblenë Kombëtare. Një shifër e tillë do të përfaqësonte shumicën më të madhe parlamentare në Francë të një partie të vetme që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas rezultateve zyrtare të Ministrisë së Brendshme Franceze, La République en Marche! ka fituar 32.32 për qind të të gjitha votave. Në vend të dytë për nga numri i tyre vijnë konservatorët e Les Républicains, me 21.56 për qind. Për ta sugjerohet një pjesëmarrje në Asamblenë Kombëtare mes 70 dhe 110 vendeve.
Në tatëpjetën historike janë socialistët, me vetëm 10.2 për qind mbështetje përmes votave për ta. Rezultatet, gjithsesi, do të marrin formë përfundimtare pas raundit të dytë, të 18 qershorit.
Pjesëmarrja në votime do të ishte e ulët, me 48.7 për qind. Viti 1978 mbahet si me pjesëmarrjen më të madhe në votime në dekadat e fundit në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë, me 83.3 për qind, ndërkohë që rekordin negativ deri tani e mbante 2012-ta, me vetëm 57.2 për qind të votuesve që zgjodhën të votojnë. /tesheshi.com/