Michel Aoun është betuar si presidenti i 13-të i Libanit pasi siguroi një shumicë në raundin e dytë të votimit në parlament. Zgjedhja e tij i jep fund një periudhe 29-muajshe pa kryetar shteti, që prej lënies së postit nga Michel Suleiman pas mbarimit të mandatit në maj të vitit 2014.
Ish-shefi i ushtrisë libaneze, arriti ta sigurojë postin duke patur mbështetjen e 83 deputetëve.
45 seancat e mëhershme për zgjedhjen e presidentit kishin dështuar për shkak të përplasjes politike që nuk e mundësonte kuorumin e nevojshëm.
Më shumë se 100 parlamentarë nga 128 të tillë arritën në parlament mesditen e sotme, duke siguruar numrin e nevojshëm për fillimin e seancës.
Zgjedhja e presidentit u arrit nga një marrëveshje politike, prej së cilës pritet që Saad Hariri, një udhëheqës politik që vjen nga radhët e muslimanëve sunnitë, të bëhet kryeministër.
Më herët gjatë këtij muaji, Saad Hariri, ish-kryeministër e udhëheqës i bllokut më të madh në parlament, deklaroi se do ta mbështeste Michel Aoun-in për president.
Posti i presidentit në Liban është rezervuar për një krishter maronit, sipas sistemit të ndarjes së pushtetit. /tesheshi.com/