Nga Eva Gjura
Keni punë për të mbaruar? Ju duhet të merrni makinë dhe të zbrisni në qendër? Harrojeni! Të dalësh me makinë në kryeqytet për të mbaruar punën e tua është pothuajse një mision i pamundur. Tmerri i të gjithë atyre që kanë një makinë në kryeqytet, por edhe i atyre që vijnë nga rrethet është parkimi. Tirana është rritur shumë, është zgjeruar nga njeri cep ne tjetrin, diku me ndërtime me kriter dhe diku pa kriter, por askush nuk ka menduar të lërë një pëllëmbë vend për parkim, i cili mungon si në mes të pallateve ashtu edhe ne rrugët e kryeqytetit.
Makina në Tiranë është e domosdoshme për të mbaruar punët e tua, pasi transporti publik lë shume për të dëshiruar, dhe ndërtimi i atij tramvajit mbeti vetëm një ëndërr elektorale, që presim ta rishohim sërish tani së shpejti. Me mungesën e parkimit në kryeqytet, ndeshemi pothuajse çdo ditë dhe këtë shqetësim e dëgjojmë edhe nga miqtë apo të afërmit, të cilët gjithmonë vijnë vonë nëpër takime, sepse kanë mëse një orë që vërdallosen në një zonë të caktuar me shpresën për të gjetur një vend parkimi.
Takimi
Nxitoj në mëngjes të bëhem gati, sepse më duhet patjetër të dal në qendër të Tiranës për të mbaruar 2-3 punë dhe më pas më duhet të takoj një mikeshë, gjithashtu për të diskutuar rreth një problemi që ditët e fundit na ka dalë në punë. Nxitoj, bëhem gati, marr makinën për të shkuar drejt destinacionit që kishim lënë një ditë më parë, gjatë një bisede telefonike. Gjatë gjithë rrugës mendoj se ku do të parkoj ne zonën ku kam lënë takimin. Ku lejohet dhe ku nuk lejohet parkimi. Kafen e kishim lënë ta pinim duke pranë zonës së Liceut Artistik. Afrohem pranë vendit të takimit, por sa më shumë afrohesha aq më e pamundur bëhej mundësia për gjetjen e një vendi parkimi. Makina kudo, disa prej tyre të vendosura dhe dyshe, tabela pa fund që tregojnë se në këtë zonë nuk lejohet parkimi, rrotullohem duke ardhur vërdallë po rreth zonës së Liceut Artistik, hyj nga një rrugicë tek tjetra, por sërish kudo që futesha rrugët bëheshin gjithmonë e më të ngushta, jo nga përmasat, por ngaqë ishin të mbushura e tejmbushura me makina. Kaluan dhjetë minuta nga ora e takimit, po kalonin njëzet dhe unë ende nuk kisha gjetur një vend parkimi. Marr në telefon shoqen time dhe i them se nuk po gjej dot vend parkimi dhe tashmë pas gati 20 minuta vërdallosje, po më soste durimi dhe po më kapte stresi. Mikesha duke qeshur më sugjeron se diku aty pranë gjendej nja parkim privat, mund të lija makinën aty. Mora frymë thellë dhe u drejtova drejt vendit ku ishte parkimi privat. Më në fund një zgjidhje megjithëse pak e shtrenjtë.
Parkimi privat
Afrohem tek parkimi privat, ku ç’të shikoja, makina të vendosura për katër e për pesë, katër djem që përpiqeshin t`i jepnin zgjidhje atij lëmshi të mbledhur me makina në një hapësirë të kufizuar. Futem në ambientet e parkimit dhe ndaloj makinën në hyrje, pasi ishte e pamundur të vazhdoje më tej. Më afrohet një djalë i ri dhe më thotë se nëse dua ta lë makinën duhet të lë çelësat tek ata, dhe se ishte dy mijë lek të vjetra parkimi. Pa pasur asnjë zgjidhje tjetër zbres nga makina, i lë çelësat djaloshit të ri dhe largohem për tek vendi i takimit, ndërsa mendja më rrinte te makina, sesa lehte i lëmë ne shqiptarët çelësat e mallit tonë, në këtë rast të makinës, në duart e një personi, që nuk e njohim fare dhe nuk e dimë se çfarë ndodh me mjetin tonë, për blerjen e të cilit personalisht unë kam kursyer mjaft që ta kem. Por, pa pasur zgjidhje tjetër largohem drejt vendit të takimit me idenë se do të kthehem shumë shpejt. Takimi zgjat më shume se një orë dhe unë kuptohet paguaj me shumë se dy mijë lek të vjetra, pasi ashtu siç më tha djaloshi i ri, ora e parë kishte kaluar.
Bëj pagesën, nuk marr asnjë kupon tatimor, asnjë dokument për të më treguar se ky biznes kontrollohet nga shteti, këto para derdhen diku dhe bashkia përfiton ndonjë gjë për të ma kthyer mua nesër si qytetar taksapagues. Pyes djaloshin për faturë, por marr një shikim të habitur sikur donte të më thoshte se ku jetoja unë, ‘ky është parkim privat, ç’punë ka shteti në këtë mes’, ma kthen djaloshi duke më nxjerrë si idiote. Nuk e zgjas shumë largohem për të vajtur diku tjetër, pasi kisha serish punë për të mbaruar. Por në mendje vazhdon të më forcohet ideja se sot për sot parkimi privat në Tiranë është biznesi më fitimprurës, ndaj kjo ka bërë që të “lulëzojnë” pothuajse në çdo cep e lagje të Tiranës.
Parkimi shtetëror
Nisem drejt qendrës së Tiranës aty ku lejohet parkimi dhe pagesa shkon për llogari të Bashkisë, por edhe tarifa është më e lirë, vetëm njëmijë lek të vjetra. Vërtet çmimi nuk është kush e di se çfarë, por të gjesh vend të lirë parkimi aty , ky është një luks i tepërt. Ndaj dhe pyes një punonjës të bashkisë nëse mund të gjej ndonjë vend parkimi. Duke ngritur krahët në pamundësi për të më ndihmuar më thotë, “je shumë vonë në këtë orë është pak vështirë të gjesh parkim këtu në qendër, pjesa më e madhe e parkimeve zihet nga punonjësit e administratës që vijnë që në orën 7 e 30 të mëngjesit dhe ikin në orë 5, pas kësaj ore ke mundësi parkimi”, më thotë duke qeshur’ Edhe ai bëri pak ironi, fundja pse të mos e bënte, në kë këtë rast ‘jashtëtokësorja’ që kërkoja parkim në mes të ditës isha unë.
Karrige, bidona, e shishe si roje parkimi
Duke u kthyer për në shtëpi bëhem më e vëmendshme ndaj rrugës dhe shikoj se ku mund të ketë mundësi të tjera parkimi në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Shikoj se nëse i largohesh qendrës, ke pak më shumë shanse për të gjetur ndonjë vende parkimi, por këtu has një tjetër fenomen që për dikë që vjen nga jashtë është i çuditshëm, por për ne shqiptarët jo. Shikon segmente të ndryshme të rrugës, të cilat janë zënë me karrige, bidona, shishe, uji ose hekura të salduara ku tregojnë se kjo hapësirë është e zënë dhe ti nuk mund të parkosh, megjithëse ajo pjesë e rrugës është pronë publike dhe jo private, është pronë që duhet të kontrollohet nga bashkia. Por në fakt kontrollohet nga individ që kanë biznesin aty apo kanë portën e shtëpisë së tyre. Të gjithëve besoj se na ka ndodhur, mua për vete po, që kam tentuar të heq bidonin apo karrigen e vënë dhe me ka dalë duke bërtitur një zotëri apo djalosh, i cili thotë se nuk lejohet parkimi këtu. Kur e pyet se pse nuk lejohet kur kjo është një rrugë publike dhe nuk ka tabelë që e ndalon parkim, shprehet se, “këtu unë kam dyqanin dhe e vendos unë, se cila makinë duhet të parkohet apo jo”. Atëherë ti përfshihesh në një debat me të dhe ndodh që debati degjeneron deri aty sa personat shahen e kapen me duar dhe duhet ndërhyrja e policisë për të zgjidhur një konflikt të pamenduar se do të të ndodhë kur del nga shtëpia.
Dhe shpikjet e bashkisë nuk kanë të sosur
Tirana nuk është bërë këto ditë një tmerr për parkimin, ky ankth ka ardhur duke u shtuar vit pas viti, por askush nuk ka lëvizur qoftë edhe gishtin e vogël për të bërë diçka në normalizimin apo zgjidhjen e situatës në mënyrë konkrete. Ajo që të bën përshtypje është fakti se në si shtet, apo më saktë si institucione shtetërore, kur vjen fjala për leksione apo fjalë në teori jemi të pakapshëm, jemi brilantë, për të mos thënë se shkojmë deri në budallallëk. Një gjë e tillë mund të thuhet fare mirë për deklarata e bëra pak muaj më parë nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo, i cili në një takim për mediat u shpreh se bashkia për gjetjen e zgjidhjes së parkimit mbështetet tek teknologjia. E përkthyer kjo shqip-shqip do të thotë se çdo qytetar nëpërmjet një aplikacioni në celular mund të shikojë hapësirat e lira se ku mund të parkojë. “Koncepti ynë është që të kontrollohen në kohë reale dhe të jepet informacion nëpërmjet një aplikacioni të shkarkueshëm në telefoninë celulare se ku janë parkimet e lira në Tiranë, ku mund të gjenden vende dhe kjo është e gjitha e automatizuar dhe është e mundur nga ana teknologjike”, është shprehur numri dy i Bashkisë së Tiranës. Për pak nuk u realizua kjo shpikje se do ia kishim hedhur dhe këtij halli. Deri atëherë në vazhdojmë të sorollatemi për një vend parkimi.
Mungesa e zgjidhje është e qëllimshme apo pamundësi
Kur shikon që në Tiranë kanë “lulëzuar” kaq shumë parkime private dhe bashkia nuk ka ndërhyrë dhe nuk ndërhyn për të mbledhur asnjë taksë, të lind pyetja, ky aktivitet i kundraligjshëm lejohet qëllimisht nga bashkia? Kush majmet në bashki në bakshishet nën dorë të pronarëve të këtyre bizneseve? Për këto pyetje është e pamundur të marrë një përgjigje zyrtare në zyrat e Bashkisë së Tiranës, por një gjë është e sigurt dhe kjo thuhet nën zë nga punonjësit e thjeshtë të bashkisë, askush nuk ushtron aktivitetin pa një mbështetje nga lart. Derisa të preken interesat e ndonjë më të madhi më lart se këta që janë lart, ne banorët e kryeqytetit që disponojmë një makinë do të vazhdojmë të sorollatemi rrugëve e kryqëzimeve me shpresën për gjetjen e një vendi parkimi ose do të vazhdojmë të paguajmë sa ‘frengu pulën” parkimet private.
Tirana ‘një parkim i madh me pagesë’
Pak javë më parë u propozua nga Bashkia e Tiranës që të gjitha rrugët e kryeqytetit nga qendra deri në periferi, të bëheshin më pagese. Si ai që e ka shtëpinë ne qendër si ai që jeton në Kinostudio, në darkë duhet të paguajë të paktën njëmijë lekëshin për parkimin e makinës bashkisë, por kjo e fundit nuk të ofron asgjë në këmbim. Ky propozim solli reagime të mëdha si në sferën politike por edhe ne opinionin qytetar, pasi në fund të fundi është qytetari ai që paguan dhe të cilit i shtohet mbi kurriz edhe një taksë tjetër. Për çudinë e të gjithëve, pagesa e parkimit nuk do t`i bëhej bashkisë, por një firme private. Pra Bashkia kishte zgjedhur të pasuronte një individ duke i dhënë me konçesion rrugët e Tiranës. Sipas propozimit të bërë në Këshillin Bashkiak, 7 mijë vend parkimi në të gjithë kryeqytetin do të jepeshin me pagesë dhe kjo kryesisht në bulevardet qendrore, rrugët kryesore dhe ato dytësore. Sipas projektvendimit, ky konçesion parashikohet të jepet për 35 vjet një firme private, dhe të ardhurat për Bashkinë e Tiranës të jenë vetëm 10%. Po sipas këtij drafti, bashkia kishte parashikuar edhe tarifat. Në zonat më të populluar apo në qendër të kryeqytetit që është zona A, pagesa do të jetë 150 lekë për qëndrim deri ën 2 orë pikërisht për zonën A1 dhe 100 lekë pa kufizim qëndrimi për zonën A2. Në zonën B i përket zonave me dendësi të lartë banimi, por edhe këtu do të ketë tarifa të diferencuara. Kështu në zonën B1 çmimi do të jetë 100 lekë ora pa kufizim qëndrimi, kurse në zonën B2 çmimi do të jetë 50 lekë pa kufizim qëndrimi. Sa i përket zonës së tretë që është zona C, e cila konsiderohet një zonë në zhvillim ku rrjeti rrugor kryesor është i distancuar nga njëri-tjetri dhe ku nevoja për parkim është më e ulët janë parashikuar edhe çmime më të ulëta. Kështu në zonën C1 tarifa e parkimit do të jetë 50 lekë pa kufizim qëndrimi dhe zona C2 është 20 lekë pa kufizim.
Ky propozim i bashkisë së Tiranës pak kohë para zhvillimit të zgjedhjeve të reja u hodh poshtë nga Këshilli bashkiak, dhe mund të thuhet hapur se është një nga veprimet më të mira që është bërë deri më tani për kryeqytetin. Zgjidhja e parkimit nuk bëhet duke shndërruar Tiranën në një parkim të madh me pagese, por duke menduar për krijimin e parkimeve nëntokësore apo të ndërtesave parkim. /tesheshi.com/