Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian parashikon që ekonomia e bllokut do të pësojë një rënie më të thellë nga sa pritej më parë për shkak të pandemisë koronavirus, e cila ka shkaktuar një ngecje në biznes dhe në jetën publike, e cila vetëm po ngadalësohet.
Ekonomia e 27 vendeve anëtare të BE-së vlerësohet të tkurret me 8.3 përqind këtë vit dhe më pas të rritet me 5.8 përqind në 2021, sipas parashikimeve të fundit të lëshuara të martën.
“Rruga për rikuperim është akoma e shtruar me pasiguri,” tha Komisioneri ekonomik i BE, Paolo Gentiloni në Bruksel.
Parashikimet e mëparshme të publikuara në maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte nën bllokadë, ishin që PBB-ja e bllokut do të binte me rreth 7.5 përqind këtë vit dhe do të rritej me 6 përqind në 2021.
Komisioni Evropian tha që ndikimi në aktivitetin ekonomik në vitin 2020 do të jetë më i keq se sa pritej, sepse “heqja e masave kufizuese po vazhdon me një ritëm më të ngadaltë sesa supozohet në parashikimin tonë të pranverës”.
Grupi i 19 vendeve të BE që përdorin euron si monedhë do të pësojë një rënie rekord prej 8.7 përqind këtë vit, dhe do të rritet me 6.1 përqind vitin e ardhshëm, tha Komisioni Evropian në parashikimin e tij të rifreskuar, të quajtur “Parashikimi i Verës”. Në maj, KE parashikoi një rënie prej 7.8 përqind këtë vit dhe një rritje prej 6.3 përqind në 2021. /tesheshi.com/