Është një qytet s’ka të dytë në Shqipëri, ndoshta dhe me gjerë, për përthyerjen e rrallë gjeografike mes së cilës ndodhet, me një mal mbi kokë e liqen nën këmbë, shtrirë në një pllajë fushore, së fundi me stadium të ri dhe areoport gjithashtu, duke pritur të ketë dhe një monument infrastrukturor, siç është ura e re mbi liqen, e cila do i shtohet si tërheqje vizual, këtij qyteti që në komunizëm njihej ndër të tjera për mjeshtrat e këpucëve me porosi për meshkuj me prirje garipi e po ashtu për rini e burra që po të të thonin shok e mik, të mbanin mbi krye nga respekti e zemra e madhe.
Po, ura e re është ajo që më shumti tërheq çdo sy kuksiani dhe të atyre që kalojnë nga Kukësi, duke parë atë që nesër do jetë një xhevahir njerëzor i shtuar në qytetin me natyrë të bekuar.
Por në këtë peisazh mahnitës, për paradoks, dergjet një prej godinave më simbol të Kukësit nga vitet ‘80 e këtej, Turizmi i ri, që po ashtu, për nga stili arkitekturor dhe vendndodhja, s’ka të dytë në Shqipëri. Në rrethanat e një industrie turizmi në galop, ku shumë qytete po duan t’i përgjigjen këtij trendi si një kontekst i ri ekonomik, Kukësi vuan degradimin e asaj që do kishte një përthithje të jashtëzakonshme turistike.
Turizmi i ri me stil alpin, ka qenë prej vitesh simbol i qytetit, magneti i jetës qytetare kuksiane, derisa nisi të viktimizohej nga fenomeni “pronë” që e ka katandisur në një ngrehinë që ngjan si e bombarduar nga ndonjë armik. Jo, armiku vijon të jemi ne. Ajo godinë është shprehja më adekuate e kësaj ligjësie të mbrapshtë.
Dy fise pretendojnë pronë aty dhe ja rezultati. As paraja e madhe e atyre që janë gati ta marrin e të investojnë për t’ia rikthyer shkëlqimin e dikurshëm, shumë më tepër madje dhe në kushte të një tregu turistik që do ishte motor ekonomik për qytetin, nuk ka mjaftuar për t’i dhënë zgjidhje një resursi që sa privat mund të jetë në pretendim apo pronësi, është po aq dhe pronë publike, në kuptim të interesit të përgjithshëm për të, duke nisur që në planin estetik.
Dhe këtu është rasti për të kujtuar se pak javë më parë, në pjesën më të lakmueshme të Sarandës, kryeqytet i turizmit shqiptar gjatë verës, u hodh në erë si të ishte ‘97-ta, një hotel të cilin e pretendonin dy pronarë. Ata ishin në gjyq që nga viti 2002. Por kur është fjala për asete të tilla, me peshë dhe publike prej vendndodhjes a vlerës, shteti duhet të tregojë forcën e zhdërvjelltësinë që në emër të interesit publik në pikën ku ai prevalon mbi atë privat, të ndahet shpejt se kujt i takon e drejta.
Sepse siç në rastin e Sarandës, paçka se pa shpërthim tritoli, Turizmi i ri i Kukësit është i hedhur në erë ashtu siç është katandisur.
Një godinë që syri e sheh nga çdo anë e nga kjo veçanti, nëse do qe më e pakta siç ka qenë, do ishte një ëndërr për të kaluar aty qoftë dhe një natë, për t’u ngrysur e gdhirë me Gjalicën krenare, liqenin ledhatues, e së fundi dhe me harkun e hekurt nga arti inxhnierik i një ure që i kalon përbri. Ky do ishte Turizimi përsëdyti ri i një Kukësi të ri edhe turistik, që ahere kur u ndërtua, duke lënë pas Kukësin e vjetër nën ujë, u përcoll dhe nga vargjet: “Kukësi i ri ka bërë ndryshime / po ec treni n’rrugë makine”…/tesheshi.com/