Edhe pse cdo vit përsëritet seriali i përmbytjeve në periudhën dimër-pranverë, qeveritë u tregojnë zgjedhësve se dinë të punojnë, por pasi të jenë shkaktuar pasoja ekonomike, madje edhe viktima nga vërshimi i ujërave. Edhe pse kjo situatë ishte e pritshme, askush nuk u kujtua të marrë masa parandaluese.
Megjithatë, ministria e Bujqësisë njoftoi se në vitin e ardhshëm pritet të shpenzohen rreth 20 milionë dollarë për sistemin e ujitjes dhe kullimit, me qëllim shmangjen e përmbytjeve. Bëhet fjalë për ndërhyrje në zonat më të ndjeshme nga ky fenomen, sic janë Lumi Seman në Fier, Mbrostarë -Vjosa në zonën Pishporos, mbrojtja e brigjeve në Zallin e Okshtunit në Bulqizë, si dhe rindërtimi i argjinaturës mbrojtëse të lumit Shkumbin.
Po ashtu, me këto para pritet të ndërtohen ujitës për kanalin Peqin – Kavajë, që është i lidhur me Shkumbinin, skema ujitëse e fushës së Milotit, Mamurrasit, dhe Drojes, rehabilitim i kanalit ujitës Rragam, Shkodër dhe investimet e reja në Llakatund-Armen. Mësohet se pjesa më madhe e këtij buxheti rrjedh nga financimet e huaja, sic është Banka Botërore. /tesheshi.com