Nga Blendi Gashi
Për të shtatën herë Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë organet e tij pasi koalicioni PAN befasisht nuk është paraqitur në sallë, në dallim nga deputetët e AKR-së, me të cilët arriti marrëveshjen së fundmi.
Pas pritjes prej 20 minutash kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, mori vendim që seancën ta shtyjë për në orën 14:00.
Ndaj mos paraqitjes së PAN-it në seancë kanë reaguar deputetët e LDK-së, VV-së dhe Alternativës të cilët kanë thënë se mungesa e tyre vjen për shkak se nuk po merren vesh me Listën Serbe.
“Po bëjnë pazare me Listën Serbe”
Avdullah Hoti nga LDK ditën e sotme e quan fatkeqe pasi, sipas tij, shtyrja e seancës për në orën 14:00 tregon për pazaret e ulëta që po i bën PANA me Listën Srpska.
Ai ka bërë të ditur se do të jenë të pranishëm edhe në ora 14:00, me shpresë se do të formohen institucionet atëherë.
“PAN, tani bashkë me AKR-në, kanë kërkuar që seanca të jetë në orën 10:00 e deri më tani ata nuk janë këtu. Eshtë për të ardhur keq që për shkak të pazareve të ulëta duhet të shtyhet edhe kjo seancë. Kjo është një ditë fatkeqe, pasi është arritur një koalicion me kontrabandim të deputetëve dhe pazare të ulëta”, ka deklaruar Hoti.
Ndërsa deputetja e Vetëvendosje-s Albulena Haxhiu duke aluduar në mospjesëmarrjen e seancës, ka thënë se siç duket dreka e Enver Hoxhajt ende nuk ka përfunduar dhe PAN nuk ka arritur t’i bëjë pazaret.
“Janë bërë tre muaj pas zgjedhjeve dhe ende nuk janë krijuar institucionet. Ata po vazhdojnë të bëjnë pazare dhe janë përgjegjësit kryesorë që vendi është pa institucione” tha Haxhiu.
Në vijim ajo ka thënë se partia e saj do të jetë Kuvend sa herë që thirret seanca konstituive, por nuk do ta votojnë Kadri Veselin, sepse ai nuk përfaqëson unitet, është figurë përçarëse dhe nxitëse.
Kurse Mimoza Kusari-Lila deputete e Alternativës ka thënë se përsëritja e skenarit të mosparaqitjes së deputetëve të PAN-it tregon edhe njëherë mungesën e respektit për shtetin, qytetarët dhe mungesë serioziteti në gjithçka.
“Nëse arrihet marrëveshje në mesnatë, prezantohen pazaret në mesnatë, thirret seancë në mesnatë dhe kërkohet që me dëshirë të tyre të jemi në ora 11:00, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ndoshta në mesnatë thërrasin seancë e paraqiten!”,ka thënë Kusari-Lila.
As AKR se di pse mungoi partneri i koalicionit
Pse nuk ka ardhur PAN në seancë nuk ka dijeni as partia e Behgjet Pacollit, AKR-ja e cila të hënën lidhi koalicion me Veselin e Haradinajn.
Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri ka thënë se nuk e di pse kolegët nga PAN-i nuk kanë ardhur në seancë.
“Nuk e di se çfarë po ndodhë, unë jam anëtar i AKR-së. Unë me Pacollin dhe deputet tjerë jemi këtu. Pacolli duket se nuk i takon lojërave politike. Por u pa që për te treten herë bëri veprime që ta zhbllokojë situatën”, tha Tahiri.
Mbetet të shihet në ora 14:00 nëse PAN do rikthehet në seancë dhe nëse do zgjidhet kryekuvendari dhe nënkryetarët. /tesheshi.com/