Izraeli dhe Turqia kanë vendosur të rivendosin plotësisht marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe të kthejnë ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të njëri-tjetrit në të dy vendet pas përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, njoftoi sot zyra e kryeministrit Yair Lapid.
“Përmirësimi i marrëdhënieve do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve midis dy popujve, zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe kulturore dhe forcimin e stabilitetit rajonal”, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit izraelit.
Në Ankara, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha pas njoftimit të Izraelit se, pavarësisht rivendosjes së plotë të marrëdhënieve turko-izraelite, Turqia “nuk do të braktisë kauzën palestineze”.
Ambasadorët e Turqisë dhe Izraelit në Tel Aviv dhe Ankara u tërhoqën në vitin 2018 pas vdekjes së 60 protestuesve palestinezë në Gaza. /tesheshi.com/