Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli vlerëson se Kosova ka nevojë që të jetë e bashkuar më shumë se kurrë. Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëse liderët e opozitës dhe pozitës si dhe presidentja Jahjaga, nëse nuk e kanë vullnetin e mjaftueshëm për ta zgjedhur krizën në vend, atëherë është qytetari i Kosovës i cili duhet ta bëjë zgjidhjen.
Postimi i plotë i Pacollit në Facebook:
Kosova në Krizë.
Kosova nuk ka pas asnjëherë më shumë nevojë se tani për unitet. Kosova është e rrezikuar nga shumë faktor si terrorizmi, përçarja fetare, nga politika destruktive e Serbisë, nga papunësia, varfëria, etj. Këtyre u shtohet edhe përçarja e brendshme politike e cila po e përshpejton dhe provokon në mënyrë intensive efektivitetin e faktorëve të lartpërmendur.
Më e keqja është se së krejt ky provokim vjen nga njerëzit që paguhen nga paraja e qytetarit të Kosovës.
Jemi kthyer në mekanizëm vetëdestruktiv i cili funksionon në dëm të vetvetes.
Ata të cilët kanë shumicën e votave dhe besimit, me të cilat do duhej të Qeverisnin dhe përpilonin ligje për të mirë të qytetarit, sot janë kthyer në mekanizëm të skajshëm makiavelist, duke mos zgjedhur mjetet dhe metodat për të arritur qëllimin e vet.
Pozita dhe opozita pa shumë dallim në qëllim, por vetëm në mjetet që i kanë në dispozicion, po e dërgojnë vendin në një qorrsokak të panjohur tashmë edhe për ta në këtë periudhë të jetës së shtetit më të ri në Evropë. Nuk e dinë ku po na dërgojnë dhe ende më keq nuk e dijnë si të kthehen prapa (duke supozuar se kanë më të voglën pendesë për këtë situatë).
Nëse Pozita, Opozita dhe Presidentja, nuk e kanë idenë, vullnetin dhe forcën të gjejnë zgjidhje përbrenda rrugës institucionale, atëherë është koha që zgjidhjen dhe zgjedhjen e radhës ta bëj Qytetari i Republikës së Kosovës. Ai/ajo është viktima e vetme e kësaj krize të cilën të zgjedhurit e tyre e prodhuan, një prodhim i keq i degjeneruar i demokracisë së brishtë të Kosovës.
/tesheshi.com/