Zëra nga opozita kanë sulmuar verbalisht ashpër prezencën e OSBE-së në Tiranë, fill pas deklaratës së kësaj të fundit e cila dënonte shfaqjen e sërishme të elementëve të dhunës në protestën para parlamentit.
‘Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë”, thuhej në deklaratën e OSBE-së.
Dhe ka qenë kjo frazë që nuk është pëlqyer nga opozita.
Nga PD, deputeti Noka tha se “zyra e OSBE-së Tiranë është kthyer në zyrë shtypi dhe propogande e Ramës dhe Rilindjes”.
Por Boschard të jetë i qetë se shefi i tij Rama nuk ka parë asgjë akoma…”
Nga LSI ishte Ylli Manjani që reagoi duke shkruar:
“E turpshme dhe e paprecedentë është deklarata e bërë nga prezenca e OSBE në Tiranë, para pak minutash!
Me pak fjalë OSBE nxit policinë kundër popullsisë civile!!!
Kulmi i pasigurisë në Europë ishte kjo deklaratë!
Nuk gjendet asnjë deklaratë e ngjashme, as e përafërt, në databasën e reagimeve publike të OSBE kudo ku ajo është prezente, si kjo maskaradë që lëshuan sot kundër popullsisë civile në Shqipëri!”
Opozita pretendon se lëshimi i gazit lotsjellës në protestën e mbrëmjes të së mërkurës ishte në dispropocion me reagimet e protestuesve. Ndërsa djegia e gomave, lëshimi i tymuesve apo lëndëve të tjera, ka qenë vetëm simbolike.
Në fakt, në deklaratën e prezencës së OSBE-së, ceket dhe reagimi policor, nëpërmjet kësaj fraze: “Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore”. /tesheshi.com/