Opozita e bashkuar kosovare, ka konfirmuar se do të vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët deri në largimin e qeverisë aktuale, përkundër dallimeve që mund të kenë në mes vete.
Deputeti i Vetëvendosje-s, Rexhep Selimi, ka thënë se me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, dëshmuam unitetin e opozitës.
“Siç edhe ju keni pritur opozita po vazhdon protestën, do të vazhdojmë kështu. Opozitës po vazhdon e bashkuar drejt qëllimeve të përbashkëta. Ata që do të duhej të hiqnin dorë nga rruga është qeveria dhe ky pushtet. Nisma është me ne, të tria jemi bashkë dhe ne do të vazhdojmë bashkë. Ne do të vazhdojmë me qëllimet e njëjta. Të gjitha grupet parlamentare janë bashkë”, ka thënë Selimi.
Edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka konfirmuar unitetin e opozitës për të penguar punën e Kuvendit dhe për të kundërshtuar qeverisjen aktuale të koalicionit PDK-LDK. Ai tha se këto aksione do të vazhdojnë derisa të arrihet qëllimi, largimi i qeverisë dhe zgjedhjet e reja me deputetë të rinj në Kuvendin e Kosovës.
“Edhe njëherë e vërtetuam që opozita vazhdon aktivitetin e saj. Ne do të vazhdojmë kundërshtimin e marrëveshjeve edhe me protestën që do të mbahet më 26 mars”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se opozita vazhdon të qëndron e bashkuar dhe do të mbetet e tillë deri në largimin e qeverisë.
Ai në një prononcim për mediat ka thënë se opozita e bashkuar duhet ta marrin në shqyrtim metodat që duhet t’i përdorë më tej.
“Ky është regjim totalitar dhe këta janë mbi ligjin. E respektojnë Kushtetutën vetëm kur ju duhet këtyre. Vendi ka thelluar në krizë.
Partitë opozitare duhet ta marrin në shqyrtim vazhdimin e qëndrimit në këtë Parlament.
Ne kemi biseduar se gazi e ka kryer punën e vet dhe duhet të vazhdojmë me metoda tjera”, ka thënë Limaj.
Ndryshe, deri më tani në seancën e sotme dy herë është gjuajtur gaz lotsjellës në Kuvend.
Përkundër kësaj seanca po vazhdon punimet dhe disa deputetë të opozitës po qëndrojnë në sallë në pritje se çfarë vendimi do të marrin liderët e partive të tyre.
Nuk përjashtohet mundësia që opozita e bashkuar të dorëzoj mandatet.