Opozita e vetëdalë nga sistemi, PD-LSI dhe aleatët e vegjël rreth tyre, kanë vendosur që të marrin pjesë me nivel ekspertësh në një tryezë të organizuar nga OSBE lidhur me Reformën Zgjedhore.
Tre emra do përfaqësojnë këtë “thyerje bojkoti”, ose ndryshe “tentativë për rikthim në sistem”: Ivi Kaso i PD-së, Muharrem Çakaj i LSI-së dhe Arjan Madhi i PR-së.
Ky zhvillim vjen disa ditë pasi kreu demokrat Basha hodhi kritika ndaj OSBE-së lidhur me pretendimin se disa emra me të kaluar kriminale rezultojnë kryebashkiakë të PS-së.
Nga ana tjetër, mes opozitarëve në një takim mes tyre ka qenë prezent dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.
Ndërkohë faktori ndërkombëtar, e sidomos i Dërguari Special i SHBA, Matthew Palmer, po vijojnë t’i ushtrojnë presion opozitës që të ulet në tryezë bisedimesh me qeverinë, për t’i dhënë fund krizës.
Kujtojmë se ditë më parë, një ndër bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, një ndër shënjestrat me akuza për manipulim zgjedhor nga ana e PD-së, tha se ishte i gatshëm të japë dorëheqje, mjaft që opozita të vijë në tryezë. /tesheshi.com/