Tre partitë e opozitës së Kosovës kanë bërë të ditur në një letër drejtuar qytetarëve se gazi lotësjellës në Kuvend është bërë si zgjidhje e shtrëenguar dhe ata nuk do ta ndalojnë aksionin.
Sipas tyre, zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e falë territorin e saj. Jemi të vetëdijshëm që masat kundërshtuese të opozitës dje në Kuvend nuk kanë qenë të rregullta, por kjo ishte rruga e vetme për të kundërshtuar proceset që rrezikojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, i cili ka qenë një projekt i përbashkët edhe me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, kërkojmë që edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë ta shohin kundërshtimin tonë nga ky aspekt.
Vezët, uji dhe gazi lotësjellës, shtohet në letrën e opozitës, nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, shprehen LVV, AAK e Nisma.
Në fund të letrës jepet paralajmërimi: “Nëse ai vazhdon të shpërfill këtë shqetësim krejt legjitim, atëherë dorëheqja e tij është e pashmangshme”.
/tesheshi.com/