Po, lojrat e fatit funksionin edhe pas mbylljes më shumë se një vit më parë, e sidomos ato të basteve sportive.
Kjo u konfirmua nga policia, e cila tha se kurorëzoi një hetim 7-mujor me anë të një operacioni gjigand të koduar “Fati i lojrave” .
“Pas një pune hetimore që ka zgjatur 7 muaj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, Policia e Shtetit ka finalizuar mbrëmë me sukses të plotë, një operacion masiv në shkallë vendi.
Operacioni policor i koduar ‘Fati i lojërave’, realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër, ka sjellë hedhjen e prangave në flagrancë 115 persona, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.
Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celular e aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal.
Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme që sipas parashikimeve të Kodit Penal dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg”, u tha në një konferencë për shtyp nga krerë të Policisë dhe Prokurorisë.
“Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League, u përfshinë 1540 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.
Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat, në Tiranë u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.
Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale.
Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit: A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës.
Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra.
Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.
Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.
Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.
Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra.
Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.
Në total janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë”, vijoi deklarata. /tesheshi.com/