Një fushatë e madhe arrestimesh ka nisur në rajonin e Lombardisë në Itali, ku në pranga kanë rënë zyrtarë lokalë që dyshohet se janë të lidhur me mafien.
Kjo u bë e ditur nga zv.prokurorja e Milanos, Ilda Boccassini, ndërsa janë arrestuar 24 persona, duke përfshirë edhe kryetarin e qytetit të Seregnos, Edoardo Mazza dhe një punonjës të Prokurorisë së Monzas, Xhuzepe Carello.
Mazza akuzohet se ka lidhje me një njeri të mafies, i identifikuar si Antonino Lugara, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Mazza është anëtar i partisë “Forza Italia” e drejtuar dikur nga ana e Silvio Berluskonit, ish-kryeministër i Italisë. Ka akuza kundër Mazzas se ai ka dhënë me koncesion një pjesë të qytetit në favor të bosit të drogës në zonën “Ex Dell Orto” të qytetit të Brianzas. Të gjithë personat e akuzuar besohet se janë pjesë e një “loje” që bëhet nga ana e Ndragetës, pjesë e mafies italiane që ka pasur nën kontroll jugun e vendit, kurse tani duket se edhe veriun.
Operacioni është shtrirë në Monza, Milano, Pavia, Komo dhe Rexhio Kalabria.
Hetimet synojnë të zhdukin ndikimin e mafias në politikë, ndërsa mes të arrestuarve është edhe ish-nënpresidenti i Lombardias, Mario Mantovani.
Prokuroria ka thënë se ka shtatë vjet që kryen hetime për të zbuluar lidhjet që ekzistojnë ndërmjet bandave dhe mafiave e botës së politikës.
Janë gjithsej 27 masa arresti të firmosura nga prokurorët, nga të cilët 21 do të futen në burg, 3 në arrest shtëpie dhe 3 të tjera janë konsideruar të pavlefshme.
Akuzat e ngritura janë: krijimi i një shoqërie tip mafie, zhvatje, mbajtja pa leje të armëve dhe municionit, plagosje, organizata që synojnë trafikun e drogës, korrupsion në kundërshtim me veprimin e punëve shtetërore, shpërdorim detyre, përdorimi i sekretit të zyrës etj, shkruajnë mediet italiane. /tesheshi.com/