Policia italiane ka finalizuar me arrestimin e disa personave një operacion të madh antidrogë. Mediat italiane raportojnë se operacioni është zhvilluar në Katania, ndërsa grupi kriminal drejtohej nga shqiptarë dhe italianë.
Sikundër raportohet policia arrestoi 3 shqiptarë dhe 4 italianë, të cilët akuzohet se kanë transportuar në muajt e fundit 3.5 ton marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.
Gjithashtu dyshohet se ky grup kriminal trafikonte edhe kallashnikovë, të cilët arrinte t’i shiste në tregun e zi italian.
Gjatë operacionit policor të koduar ‘Rosa dei venti’, që çoi në arrestimin e 7 personave u konfiskuan edhe 20,000 euro para kesh.
Mes të arrestuarve është edhe Moisi Habilaj, për të cilin Partia Demokratike ka rreth dy vjet që e akuzon si person të afërt të ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, dhe të lidhur me trafikun e drogës.
Gjithashtu janë arrestuar Maridian Sulaj, Fatmir Minaj, Antonio Riela, Gianluca Passavanti, Angelo Busaça dhe Vincenzo Spampinato.
Mediat lokale shkruajnë se gjatë viteve të fundit organizata kriminale kishte mundur të furnizonte e qarkullonte drogë në vlerën marramendëse të 20 milionëve eurove. /tesheshi.com/