Barack Obama do të bëhet presidenti i parë amerikan në detyrë që do ta vizitojë Hiroshimën kur të gjendet atje këtë të premte, por ai ka paralajmëruar se nuk do të kërkojë ndjesë për bombën atomike të hedhur më 6 gusht të 1945-ës.
I pyetur në një intervistë nga televizioni publik japonez NHK nëse vizita e tij në Hiroshima do të shoqërohej nga një ndjesë e mundshme, Obama është përgjigjur negativisht: “Jo, sepse mendoj se është se rëndësishme ta pranojmë se udhëheqësit marrin çdo lloj vendimi në mesin e luftës.”
“Është detyrë e historianëve t’u japin përgjigje pyetjeve dhe t’i shqyrtojnë ato, por unë e di, si dikush që ka qëndruar në këtë detyrë për më së paku shtatë vite e gjysmë, se çdo udhëheqës merr vendime shumë të vështira, veçanërisht në kohë lufte,” ka shtuar presidenti amerikan.
Obama do të shoqërohet në vizitën e tij nga kryeministri japonez, Shinzo Abe.
Shumica e amerikanëve i shohin bombardimet e asaj kohe si të nevojshme për mbarimin e luftës, kurse pjesa më e madhe e japonezëve i gjykojnë ato të si papërligjura.
Moskërkimi i ndjesës qe paralajmëruar më herët, dhe nuk përbën ndonjë surprizë. Kryeministri japonez po ashtu pati deklaruar se nuk pritej ndonjë kërkim ndjese.
Në një anketim të ditëve më parë të NHK-së, 70 për qind e të anketuarve japonezë do të shpreheshin pro vizitës së presidentit amerikan. /tesheshi.com/