Fundjava nuk ka njohur pushim për të pashpresët, që kanë këmbëngulur në aventurën për të zbritur në brigjet europiane, edhe pse një sërë incidentesh vdekjeprurëse kanë ngjarë kohët e fundit. Kështu, sipas autoriteteve të rojës bregdetare italiane, rreth 4.100 emigrantë u shpëtuan të shtunën dhe të dielën tutje bregut libian. Një pjesë e tyre u sistemuan në Lampeduza, në ishullin më në jug të Italisë e më pranë bregut afrikan, e një pjesë në Sicili.
Gjithnjë sipas rojës bregdetare italiane, vetëm të shtunën u shpëtuan 3.427 njerëz, në një operacion të drejtuar nga qendra e tyre në Romë. Rekordi i të shpëtuarve për rojën bregdetare italiane është arritur më 12 prill, me shpëtimin e 3.791 emigrantëve, dhe të 2.850 të tjerëve në ditën pasuese.
Veçmas kësaj, autoritetet egjiptiane bënë të ditur se tre persona gjetën vdekjen pasi një barkë u mbyt në përpjekje për të arritur në brigjet greke, e 31 të tjerë u shpëtuan.
Anarkia dhe mungesa e ligjit në Libi e kanë kthyer këtë vend në një qendër të grumbullimit të atyre që duan të largohen drejt Europës, dhe pjesa më e madhe e emigrantëve nga deti nisen nga atje.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë në një mendje muajin e shkuar që të trefishojnë financimin për misionin e patrullimit detar Triton, në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje krizës së emigrantëve, por gjithçka duket se ka rezultuar e kotë gjer tani, kur duket se nuk po rresht vërshimi i njerëzve, më së shumti nga brigjet afrikane.