Një zyrtar i lartë i policisë norvegjeze u dënua me 21 vjet burg me akuzën e korrupsionit në këmbim të ndihmës që i dha një trafikanti droge.
Oficeri Eirik Jensen, i cili ishte përgjegjës për luftën kundër krimit të organizuar në kryeqytetin Oslo, ishte arrestuar në vitin 2014.
Gjykata pranoi faktin se ai kishte marrë rreth 71 mijë e 300 euro për të ndihmuar në kontrabandën e disa tonëve me hashash në Norvegji. Nga ana tjetër, avokati i tij mohon që Jensen të ketë shpërdoruar detyrën dhe ka deklaruar se ka në plan ta apelojë vendimin.
Dënimi prej 21 vjet për korrupsion është maksimumi që lejon ligji norvegjez dhe raste të tilla përbëjnë ngjarje të rralla në vendin nordik. Ai renditet si një ndër vendet më të pakorruptuara, duke qenë i gjashti në renditjen globale anti-korrupsion të hartuar nga Transparency International.
Jensen ndihmoi në trafikimin e rreth 14 tonë kanabis, të cilat ka hyrë në Norvegji në periudhën 2004-2013, u tha në seancën gjyqësore ndaj tij.
Trafikanti Gjermund Cappelen, i cili pas arrestimit pranoi trafikimin e hashashit dhe u kthye në dëshmitar ndaj Jensen, u dënua me 15 vjet burg. Mediat norvegjeze raportojnë se dënimi i tij u reduktua pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ekspozoi ish-oficerin e lartë.
Jensen dhe Cappelenm kishin shkëmbyer qindra sms për rreth një dekadë, disa prej të cilëve për detaje të operacioneve të policisë dhe doganave. /tesheshi.com/