Nga CDU-ja e Merkelit, aleate e PD-së si dy parti të djathta pjesë e PPE-së, deputeti Nikolas Löbel mohoi që prej tyre të jenë nxitur Basha për aktin e djegies së mandateve.
Në një prononcim për TCH, ai tha se “kam dëgjuar të përmenden disa politikanë gjermanë, që i kanë këshilluar të dorëzojnë mandatet, gjë që nuk është e vërtetë. Ne jemi miq dhe duam të ecim përpara në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe vendeve të tjera të Ballkanit, në BE”.
Kështu, deputeti gjerman kritikoi aktin e opozitës, duke kujtuar se është parlamenti vendi ku duhet ushtruar mandati.
“Është një vendim i pazakontë. Demokracia ndodh në Parlament, populli shqiptar ka votuar për Parlamentin dhe i besojnë atij institucioni që të kujdeset dhe të mbrojë demokracinë dhe shoqërinë. Prandaj, mendoj që është një vendim i gabuar nga ana e opozitës të dorëzojë mandatet dhe të largohet nga ajo dhomë e demokracisë, siç është Parlamenti”, tha Nikolas Löbel. /tesheshi.com/