Nga mjekët, mësuesit, milenianët e deri tek gratë në moshë, më shumë se gjysma prej nesh tani punojnë me orar të pjesshëm. Por a është kjo një zgjedhje jetese, apo një mënyrë për t’u përballur me stresin?! The Guardian sjell një analizë të fenomenit të ri të punësimit dhe idenë utopike për fundjavën 3-ditore.
Andrew Stone punon katër ditë në javë, duke dhënë mësime historie në jug të Londrës. Ose, për të qenë i saktë, ai paguhet për të punuar katër ditë në javë; por ajo që ndodh ditën e pestë është më shumë një zonë gri.
Ai së pari kërkoi të punonte me kohë të pjesshme kur i lindi djali dhe fillimisht dita e tij u shpenzua me fëmijën. Por tani që djali i tij është tre vjeç, Stone zakonisht e dërgon atë në çerdhe në mëngjes, pastaj kthehet në shtëpi për të shpenzuar pjesën tjetër të ditës duke shënuar ose planifikuar mësimet.
Është një punë për të cilën ai nuk paguhet në mënyrë efektive, por të paktën në këtë mënyrë puna nuk i merr kohë edhe në fundjavë, ashtu siç ndodhte kur ai punonte me kohë të plotë. “Unë e kuptoj se ka vende të tjera pune, ku nuk e shihni punën e padukshme që vazhdon pas largimit nga zyra,” thotë Stone. “Por pabarazia midis realitetit dhe perceptimit në jetën e punës së mësuesve është shumë më e madhe”.
Për të, orët e reduktuara nuk janë më një mënyrë për të balancuar punën dhe jetën familjare, por për të menaxhuar vetë punën.
Ka shumë të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë. Vitin e kaluar, Shoqata e Mësuesve në Angli paralajmëroi për një përkeqësim të stafit duke zvogëluar orët e tyre si një protestë e heshtur kundër ngarkesës së punës, dhe jo të gjithë ata janë prindër. Niamh Sweeney, nënkryetari i shoqatës, thotë se punon me kohë të pjesshme si mësues, një vendim që ajo e mori gjashtë vjet më parë, kur ishte e vetme dhe nuk kishte përgjegjësi familjare. “Kjo më bëri një mësuese më të mirë “, një mësuese që nuk ka pse të shpenzojë gjithë fundjavat në punë.
Por puna me kohë të pjesshme nuk kërkohet vetëm nga mësuesit. Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare 1 në 10 britanikë e klasifikon si të tepërt kohën e kaluar në punë, që do të thotë se ata punojnë më shumë orë sesa duan dhe janë gati të pranojnë ulje page për të punuar më pak. (Njerëzit që duan më shumë orë dhe nuk mund t’i marrin ato e kalojnë numrin e të papunëve.)
E vërteta themelore është se për shumë prej nesh, puna thjesht nuk i përshtatet ditës zyrtare të punës. Më shumë se 5 milionë britanikë punojnë jashtë orarit të rregullt, punë të papaguar, në një mesatare prej 7.7 orë në javë, sipas TUC, dhe kjo është puna e fshehur, duke qëndruar vonë në zyrë ose duke punuar përsëri në shtëpi në mbrëmje. Nëse llogaritet numri i orëve të tepërta të papaguara, një në katër londinezë punon më shumë se 48 orë në javë, me punonjësit e financave dhe mësuesit mes profesioneve më të goditura.
Të jesh shumë i zënë është bërë zakoni i ri. Nuk është çudi që ka një uri në rritje për më shumë kohë për të marrë frymë, edhe nëse buxhetet e shtrënguara e bëjnë të pamundur për shumë njerëz. Instituti për zhvillimin e Burimeve Njerëzore vlerëson se më shumë se gjysma e fuqisë punëtore tani punon në mënyrë fleksibile në një farë mënyre, që nga punët e rastësishme, punë që bëhen nga shtëpia ose punë me tre ditë në javë.
Por ndërsa puna me kohë të pjesshme mbetet rruga për një jetë më të relaksuar për shumë njerëz, ajo mund të ketë një anë të errët. Nëse funksionon si një valvul sigurie, duke lejuar disa njerëz të mbështeten në punët që i duan kur presioni mbi ta rritet, kjo mund të jetë një zgjidhje praktike për individët. Por a mund të maskojë kjo një problem themelor të shumë pak njerëzve që luftojnë me të punuarit shumë, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë as një punë të mjaftueshme?
E drejta për të kërkuar orë të reduktuara u prezantua fillimisht nga qeveria e Tony Blair në vitin 2002, për të ndihmuar prindërit e fëmijëve të vegjël të menaxhonin punën dhe familjen. Por që nga ajo kohë është zgjeruar gradualisht, dhe në vitin 2014 është hapur për këdo që punon në të njëjtën kompani për gjashtë muaj, prindër apo jo (punëdhënësit mund të refuzojnë nëse është e dëmshme për biznesin). Për disa, ky revolucion i qetë ka patur padyshim ndryshime në jetë.
Agjencia e rekrutimit me kohë të pjesshme, Timewise, thotë se punëdhënësit e mirë mund të jenë gjithnjë e më të gatshëm për të akomoduar stafin që ata nuk duan të humbasin, por kur ata rekrutojnë të rinj, kanë tendencë të kërkojnë angazhim me kohë të plotë: e hënë – e premte, 40 orë në javë. Pak vende pune shpallen haptazi si kohë të pjesshme, që do të thotë se kushdo që ngurron të punojë me orë konvencionale, mund të rrezikojë karrierën ose të ndërrojë punë.
Ideja se teknologjia mund të ishte një mundësi, më shumë se sa një kërcënim, duke u dhënë njerëzve më shumë kohë për t’u çlodhur dhe të shijonin jetën, ndërsa robotët bëjnë punët e rënda, është padyshim në modë në qarqet e teknologjisë, vetëm si një mënyrë për të zbutur reagimin kundër aplikacioneve që do të “shkatërronin” vendet e punës
Jack Ma, themeluesi i gjigantit kinez të tregtisë së internetit, Alibaba, ka parashikuar se brenda 30 vjetësh mund të punojmë më pak se 16 orë në javë. Mark Zuckerberg i Facebook ka sugjeruar se SHBA do të lëvizë drejt një të ardhure universale bazë të paguar nga shteti për ata individë që puna e tyre do të tkurret ose zhduket. Madje edhe gjigandët e Silicon Valley, që janë të famshëm për punën e tyre, janë duke eksperimentuar me javë të shkurtuara pune.
Është interesante se disa kompani në sektorin privat, të tilla si Google dhe Amazon, tani po i ofrojnë stafit të tyre, një në katër fundjava, një fundjavë të gjatë.
Ideja e një manifesti të ri pune, aq bujar sa për të subvencionuar një fundjavë tre-ditore për të gjithë duket pothuajse “çmendurisht optimist”. Gjithsesi idetë radikale gjithmonë duken të pamundura derisa papritur nuk janë. Kur fundjava u zgjat dy ditë [nga një], njerëzit thanë se nuk mund të ndodhte. E njëjta gjë thuhej një herë për pushimin e lindjes dhe pagën minimale. Është pjesë e një debati më të gjerë për të ardhmen e punës.
Por, ndërkohë që debati i vogël utopik bëhet, duket se shumë britanikë po e gjejnë zgjidhjen vetë. Ata po shkurtojnë orët kur munden, dhe çuditërisht duke kuptuar se ajo që ata mendonin se ishte një ndalesë e përkohshme, si për shembull, sa të rriten fëmijët, është bërë tashmë një mënyrë jetese.
Siç thuhej, se puna shtohet për të plotësuar kohën në dispozicion. Por jeta ka zakonin të bëjë të njëjtën gjë, dhe kjo është arsyeja pse javët 4-ditore mund të kthehen në varësi; pasi e shijon luksin e një kohe shtesë për veten është e vështirë të heqësh dorë.
Për Stone, alternativa për shkurtimin e orëve të tij të punës erdhi pasi po mendonte të mos jepte më fare mësim. “Stresi me të vërtetë ju mbyt. Ju shkoni si një mësues i ri i mbushur me entuziazëm dhe përkushtim, duke punuar gjatë gjithë mbrëmjeve të gjata dhe fundjavave, por njerëzit duan të kenë një familje, ose duan të kenë një jetë shoqërore. Ata nuk duan të jenë në prag të një shkatërrimi nervor”.
Statistikat tregojnë se gjithnjë e më shumë britanikët po kërkojnë të punojnë me kohë të pjesshme.
Meshkujt të moshës 25 deri 55 vjeç, të cilët ishin në kuotën më të ulët të pagave për orë, kishin katër herë më shumë gjasa të punonin me kohë të pjesshme se sa do të kishin 20 vjet më parë.
CEO-t (drejtorët e kompanive) që punojnë me kohë të pjesshme mund të jenë ende një rracë e rrallë, por ato janë në rritje. Numri i njerëzve që punojnë me kohë të pjesshme në role të larta u rrit me 5.7% vitin e kaluar.
Po ashtu të rinjtë, milenianët, kanë më shumë propabilitet që të pranojnë punë fleksibile. /tesheshi.com/