Ai flet dhe vetëm flet. Sa më shumë tregon Pol Ripke, aq më euforik bëhet. “Kam realizuar një ëndërr. Dy vite më parë unë isha vetëm një tifoz i Gjermanisë, ndërsa më 13 korrik 2014 isha në fushë për të përjetësuar historinë”, tregon fotografi i kombëtares gjermane. Çdo fjali që fotoreporteri nga Hamburgu nxjerr për natën e 13 korrikut 2014 është një histori e patreguar, ashtu si fotot e fotografit të kombëtares gjermane ditën e kurorëzimit të tyre kampion bote. Ripke ishte më pranë kampionëve të botës se çdokush tjetër në “Marakana” një vit më parë dhe fotot që ai fiksoi në celuloid u bënë të përjetshme.
“Një natë në Rio” titullohet albumi që ka shitur mbi 100 mijë kopje deri tani me fotot ekskluzive të mbrëmjes që Gjermania qepi yllin e katërt në fanellë. Të hënën, ekzaktësisht një vit nga fitorja e “pancerave” në finalen e “Brazil 2014″, ai hapi një ekspozitë me 7 foto të papublikuara të mbrëmjes së Rios në Berlin, Hamburg, Mynih dhe Këln, përcjell lajmin Panorama Sport.
Një vit pas shpalljes së Gjermanisë kampione e botës për herë të katërt, ish-kapiteni Filip Lahm kujton për “Goal.com” edhe një herë emocionet e mbrëmjes së paharrueshme të Rios: “Momenti më i rëndësishëm ishte vërshëllima finale. Do ta kujtoj atë gjatë gjithë jetës time. Kryeson me një gol në shtesë ndaj Argjentinës në finale dhe kupton se tashmë ti je kampion bote.
Ishte një moment shumë i veçantë. Dy orët pas vërshëllimës finale ishin thjesht të pabesueshme me festën mes lojtarëve, trajnerit dhe stafit. Ngjitesh në pod për të tërhequr medaljen, ngre trofeun dhe takon presidentin. Ishte e pabesueshme. Nuk kam fjalë për ta përshkruar. Ishte një ëndërr. E kupton me të vërtetë vetëm nëse je pjesë e saj. Këtë vit kam ende synime të mëdha me Bajernin. Duam të fitojmë çdo trofe të mundshëm, por me titullin e kampionit të botës, ti përjetësohesh në histori”.
Më 24 qershor 2013, Pep Guardiola shkeli për herë të parë në dhomat e zhveshjes së “Allianz Arena”-s për të shkrepur fotot e prezantimit të tij. Si për ironi të fatit, gjashtë foto lojtarësh u përjetësuan në atë moment mbi kabinat e tyre. Por, sot të gjithë ata: Pizarro, Kros, Manxukiç, Gomez, Shaqiri dhe Shvajnshtaiger janë larguar nga klubi. /tesheshi.com/