Tre eurodeputetët, raportues për përparimet e Maqedonisë në Parlamentin Europian, Knut Flekenshtajn, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgëll qëndruan në Shkup duke realizuar takime me disa liderë të partive dhe prokuroren speciale, Katica Janeva.
Pas këtyre takimeve njëri nga eurodeputetët, Ivo Vajgëll u shpreh optimist se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat pritet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, do të jenë të lira dhe demokratike, dhe më pas qeveria e re do të ketë prioritet integrimin e Maqedonisë në Unionin Europian.
“Të gjitha partitë janë optimiste sa i përket pritjeve nga zgjedhjet. Nga ajo që pamë dhe dëgjuam sot, kemi një arsye të mirë të besojmë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe transparente, si dhe se do të paraqesin nisjen e një kohës të re në Maqedoni. Jemi të bindur se pas zgjedhjeve, qeveria e re, Maqedonia, do të kthehet në zbatimin e prioriteteve që të dëshmojë se po shkon rrugës drejt eurointegrimeve”, është shprehur Vajgëll.
Vitet e fundit Maqedonia ka pasuar një izolim ndërkombëtar për shkak të politikave të Gruevksit, ku dhe procesi i integrimit në BE është bllokuar. Kjo ka ecur paralelisht me një krizë politike, e cila u reflektua së fundi dhe me anullimin dy herë të zgjedhjeve të përgjithshme. Dhe pritet që 11 dhjetori ta ndryshojë këtë rrjedhë negative për shtetin ballkanas. /teshheshi.com/