Pasi autoritetet lituaneze njoftuan se ndalimi i transportit të mallrave të mbuluara nga sanksionet evropiane në enklavën ruse të Kaliningradit përmes territorit të tyre do të hyjë në fuqi të shtunën, reagoi Kremlini.
Rusia ka kërkuar që Lituania të “heqë menjëherë” ndalimin “armik” për transportin e mallrave në Kaliningrad. Nëse kjo nuk ndodh, Rusia do të reagojë në mënyrë të tillë që të mbrojë interesat e saj, i është thënë diplomatit më të lartë lituanez në Moskë, shkruan Guardian.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi situatën si “më se serioze”.
“Ky është një vendim i paprecedentë që në fakt shkel gjithçka,” tha Peskov.
Në çdo rast, kjo është një goditje e rëndësishme për enklavën ruse, pasi Rusia dërgon mallra në të gjithë Lituaninë me hekurudhë – duke përfshirë qymyrin, metalet, materialet e ndërtimit dhe teknologjinë e avancuar, të gjitha në listën e sanksioneve të BE-së për Rusinë.
Guvernatori i rajonit të Kaliningradit, Anton Alikhanov, tha se ndalimi do të mbulonte rreth 50 për qind të mallrave që importon Kaliningradi.
“Ne besojmë se kjo është shkelja më e rëndë … e së drejtës së tranzitit të lirë në dhe nga rajoni i Kaliningradit,” tha Alikhanov.
Nga ana tjetër, Lituania pretendon se zbaton vetëm sanksionet e vlefshme që BE vendosi ndaj Rusisë. Kështu, Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha:
“Lituania nuk po bën asgjë, kjo është thjesht një çështje e sanksioneve evropiane që hynë në fuqi më 17 qershor”.
I vendosur midis anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë, Kaliningradi merr furnizime nga Rusia me hekurudhë dhe tubacion përmes Lituanisë.
Kjo enklavë u rrëmbye nga Ushtria e Kuqe në prill 1945 nga Gjermania Naziste dhe u la në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore.
Kaliningrad është selia e Flotës Ruse të Balltikut dhe ka të vendosura raketa Iskander që mund të mbajnë koka bërthamore. Ndodhet në bregun baltik, midis Lituanisë dhe Polonisë, të dyja anëtare të NATO-s, dhe nuk ka kufi tokësor me Rusinë.
Në shkurt, Lituania mbylli hapësirën e saj ajrore për fluturimet nga Rusia në Kaliningrad, duke detyruar transportuesit komercialë të marrin një rrugë më të gjatë përtej Detit Baltik. /tesheshi.com/