Një studim i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar mbi kënaqësinë dhe moralin e përgjithshëm ka zbuluar se gjendja shpirtërore e forcave ushtarake britanike është e lëkundur.
Sipas studimit, një në katër ushtarakë në forcat e armatosura ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga detyra. Në të njëjtën kohë, numri i të pakënaqurve me jetën ushtarake ka njohur rritje nga viti i shkuar; ndërsa ishte 27% në 2014-n, tani është 32%.
Shifrat tregojnë se 55 për qind e oficerëve vuajnë nga morali i ulët, kurse në rangjet e tjera kjo përqindje shkon në 60.
Gjithashtu, rënie ka pësuar dhe numri i personelit që ndjehet krenar se është në shërbimin ushtarak, nga 81% një vit më parë, në 77% në 2015-n.
Ushtria britanike po ndjen vështirësi po ashtu në rekrutimin e rezervistëve.
Gjtihnjë sipas studimit, vetëm 44 për qind e personelit të shërbimit ushtarak janë shprehur se janë të kënaqur në përgjithësi me punën e tyre.
Por më i lartë është numri i personelit që mendon se nuk është i vlerësuar nga shërbimi ushtarak, që shkon në 65%.
Më shumë se gjysma e personelit, 53%, thanë se nuk do t’ua rekomandonin miqve apo të afërmve t’i bashkoheshin shërbimit ushtarak.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes u shpreh se, “Eshtë e pashmangshme që një periudhë ndryshimi, veçanërisht për një organizëm të përmasave tona, të ketë një ndikim në moralin. Ne përpiqemi vazhdimisht për t’i garantuar njerëzit tanë të ndjehen të vlerësuar, e se kontributi dhe sakrifica e tyre është e njohur.”
Formularët me pyetjet e studimit iu shpërndanë mes tetorit të 2014-s dhe shkurtit të 2015-s 26.740 personave nga forcat e armatosura, nga të cilët 11.877 i plotësuan ato, diku te 44%.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes e mbylli fjalën e tij me tone pozitive, “Ne jemi të bindur se forcat e armatosura vazhdojnë të ofrojnë sot mundësi stimuluese për të rinjtë, e se një karrierë ushtarake është përmbushëse dhe shpërblyese.”
/tesheshi.com/