Opozita e llojit Berisha-Meta, njerëzit dhe ithtarët e saj, kanë vijuar me serinë e tretë të një proteste me elementë force e deri dhune para Bashkisë së Tiranës, kësaj here duke nxitur dhe një reagim nga SHBA-BE.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”, thuhet në deklaratën amerikane.
“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e prezencës së BE në Tiranë.
Ky lloj proteste para Bashkisë, si një film i parë më parë dhe para Kryeministrisë vitet e fundit, ndërmerret kundër Veliajt, pas arrestimit aty nga SPAK të disa zyrtarëve.
Megjithatë, rezultati politik është një zero për opozitën, siç ka qenë gjithnjë me të tilla forma. /tesheshi.com/