Nëse jeni i apasionuar pas natyrës, atëherë shkretëtira, rëra dhe gjiri i Katarit janë një liman rekreacioni. Nëse jeni i apasionuar pas trashëgimisë folklorike, Souq Waqif, Muzeu Kombëtar i Katarit dhe Kalaja Al Zubarah janë vende tepër argëtuese. Dhe nëse jeni adhurues i sportit, atëherë parqet dhe stadiumet e Katarit janë vendet ideale për ty.
Gjatë dy dekadave të fundit, Katari ka njohur një diversifikim interesant të destinacioneve të tij turistike. Krahas turizmit kulturor, dashamirët e natyrës mund të shijojnë kampimin në shkretëtirë duke krijuar një atmosferë të veçantë, sidomos në zonat e Shkretëtirës Silin, Dukhan dhe Fuwairit gjatë fillimit të vjeshtës e deri në fund të dimrit.
Sa për adhuruesit e sportit, natyrisht që Katari është pikërisht vendi i duhur. Katari, i cili do të organizojë vitin e ardhshëm Botërorin e FIFA-s, ka patur një transformim të madh në infrastrukturën sportive, jo vetëm me stadiumet ku do të zhvillohet turneu, por dhe me shumë objekte të tjera sportive të shpërndara anembanë vendit, si parqet inovative, Doha Corniche dhe Lusail City.
Dita Botërore të Turizmit (që përkon më 27 Shtator të çdo viti) e gjen Katarin me destinacione të larmishme turistike. Në vitin 2019, gazeta franceze “Le Figaro” e renditi Katarin në vendin e pestë të listës së saj, si një destinacionet më të mira turistike në rang global.
Më poshtë po ju rendisim disa nga destinacionet më pikante në Katar:
Souq Waqif
Souq Waqif është një nga tregjet më të vjetër dhe më të famshëm të Dohas. Historia e tij tejkalon më shumë se një shekull, pasi konsiderohej vendtakimi i tregtarëve arabë që vinin për të reklamuar mallrat e tyre. Tregu aktualisht kombinon tradicionalen dhe bashkëkohoren në arkitekturë.
Muzeu Kombëtar i Katarit
Muzeu Kombëtar i Katarit konsiderohet si monumenti kulturor më i spikatur në vend, pasi kombinon modelin arkitektonik gjithëpërfshirës mes traditës dhe kontemporanes. Ai u projektua nga arkitekti francez Jean Nouvel, për të qenë një kryevepër unike arkitekturore e përfaqësuar nga një grup disqesh të ndërthurura e të frymëzuara nga trëndafili i shkretëtirës, duke evokuuar stilin e jetës së katarianëve midis detit dhe shkretëtirës.
Kalaja Al Zubarah
Kalaja Al Zubarah, e cila u ndërtua në vitin 1938 mbi rrënojat e një pallati të vjetër, është një nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë në vend. Me muret e saj të trasha e të mëdha, ajo ia ka dalë t’i bëjë ballë kohës për dekada të tëra. Kjo kështjellë pret përditë vizitorë të dhënë pas monumenteve historike.
Zona Aspire, me objektet e saj sportive moderne dhe të larmishme kombinon teknologjitë më të fundit. Ajo përfshin Stadiumin Ndërkombëtar Khalifa, dhe është një nga impiantet më të mira të stërvitjes në botë. Përveç parkut gjigand, aty ndodhen dhe shumë objekte të tjera për mjekësi sportive, kërkim shkencor, arsim si dhe organizim të eventeve dhe festivaleve.
Parku Aspire Zone nuk është i vetmi atraksion sportiv në Katar. Dhjetëra parqe të tjera janë destinacione familjare në vend, si Parku Al-Bidaa më i madhi i llojit të tij në Lindjen e Mesme, me një pistë vrapimi të paanë.
Stadiumet e Botërorit
Që prej nisjes së ndërtimit të stadiumeve të Botërorit 10 vjet më parë, Katari ka synuar që ky turne të jetë një trashëgimi për rajonin. Afër shumicës së këtyre stadiumeve janë ngritur parqe, kopshte dhe vende pikniku. Nismat për të lidhur stadiumet me komunitetin përreth janë të shumta. Për shembull, në stadiumet Al Bayt, Al Thumama dhe Khalifa, çdo familje fqinje dhuron një pemë në kopshtin e sheshit të lojërave, ku vendoset dhe një tabelë me emrin e dhuruesit.
Ishulli i Lulua (Perla)
Ishulli Perla konsiderohet atraksioni më i bukur dhe më i mirë turistik në Katar. Ai përbëhet nga disa ishuj artificialë, të krijuar me një kosto prej rreth 2.5 miliardë dollarë. Përzgjedhja e vendndodhjes së ishullit ka një domethënie dhe rëndësi të veçantë, pasi tregon zonën e lashtë të zhytjes për nxjerrjen e perlave nga deti. Pikërisht aty ishte vendi kryesor për peshkimin dhe shitjen e perlave në të kaluarën. Ishulli është projektuar në stilin e Rivierës Franceze, në mënyrë që turistët të përjetojnë atmosferën e Evropës.
Lagjja kulturore Katara
Katara është një lagje kulturore, që synon të promovojë kulturën vendase dhe të mbështesë energjitë krijuese përmes objekteve dhe ndërtesave të saj të ndryshme. Ajo është vendtakimi për intelektualët dhe artistët, dhe një qendër promovimi e ndërgjegjësimi kulturor përmes festivaleve, ekspozitave, seminareve, koncerteve dhe formave të ndryshme të shprehjes artistike. Tashmë ajo është një magnet turistik në vend.
Kreu i Autoritetit të Turizmit të Katarit, Akbar Al Baker, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, theksoi se vendi vazhdon të zhvillojë industrinë e turizmit dhe udhëtimit duke integruar midis përbërësve të ndryshëm të sektorit, gjë që rrit dinamizmin e aktiviteteve dhe siguron një kontribut të madh në arritjen e zhvillimit të gjithanshëm, të përcaktuar dhe në Vizionin Kombëtar të Katarit 2030. /tesheshi.com/