Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar java e shëndetësisë Kosovë-Turqi, për herë të katërt me radhë duke vazhduar kështu bashkëpunimi në këtë fushë.
Curr Gjocaj, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me këtë rast tha se po vazhdon tradita dhe miqësia turko-kosovare në Shëndetësi me bashkëpunim shumë konkret, ku përfituesit më të mëdhenj janë pacientët kosovarë.
“Përveç investimeve konkrete së shpejti do të inaugurohet mjekimi intensiv, investim nga shteti i Turqisë, bashkëpunimi po vazhdon edhe në sferën e drejtpërdrejt të bashkëpunimit në mes të kolegëve profesionistë nga Turqia dhe atyre nga QKUK, ku përfitues direkt është pacienti”, tha Gjocaj.
Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë tha se ky është një bashkëpunim i mirë në mes dy sistemeve shëndetësore, mes dy vendeve.
“Prania e profesionistëve nga Turqia sigurisht që do të kontribuoj shumë në shkëmbimin e përvojave sikurse herëve të kaluara, urojmë që të kemi punë të suksesshme bashkë me kolegët kosovarë, mjekët e infermierët, jo vetëm në punën praktike por edhe në shkëmbimin e përvojave profesionale”, u shpreh ministri Rrahmani.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, theksoi se mjekët më të çmuar kanë ardhur nga spitale të ndryshme nga Turqia, por dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë.
“Me rastin e kësaj jave edhe njëherë po dëshmohen bashkëpunimet e shëndosha e të mira që i kemi me Kosovën, sidomos në fushën e shëndetësisë, pra kjo është edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e bashkëpunimeve të mira”, u shpreh ambasadorja Kiliç.
Mjeku Öner Güner, drejtor gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë potencoi se kjo është hera e katërt që organizohet java e shëndetësisë Kosovë- Turqi.
“Mbështetja jonë është ofruar jo vetëm këto 9 vjet, kemi qenë gjithmonë dhe jemi me afër Kosovës, kemi kryer 128 operacione, 936 trajtime të ndryshme. Jemi të lumtur që shkëmbejmë përvoja me kolegët tanë dhe ofrojmë shërbime me kualitative për popullin e Kosovës, pa pasur nevojë të shkojnë jashtë por të trajtohen këtu”, tha ai.
Gjatë kësaj jave, ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Turqia, në bashkëpunim, me mjekët nga Kosova do të kryejnë intervenime në fushën kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë. /tesheshi.com/