Ka reaguar pronari i truallit të godinës pas “Petro Ninit”, aty ku këtë të hënë u panë skena të dhimbshme me gra e fëmijë që ulërisnin e zhgryeshnin në asflat për të mos e lënë godinën që duhej liruar me vendin gjykate.
Aleksandër Gavoçi, pronari që ka fituar gjyqin, i tha Ora Neës se ka qenë banorët ata që nuk i janë përmbajtur marrëveshjes.
“Kam pasur një marrëveshje që nuk është respektuar para 5 vitesh nga këta banorë. Nëse aty do ndërtohej, ata do të merrnin një kat të gjithin dhe kjo është nënshkruar para noterit. Ata nuk pranuan ta respektonin, kërkonin më tepër duke na nxjerrë jashtë, duke na dëbuar, sharë dhe bërtitur dhe unë u detyrova që të vazhdojmë me ekzekutim”, tha Gavoçi.
Ai shtoi se ka mbi 20 vjet që kërkon t’i kthehet prona e tij
“Janë disa vendime të gjykatës që kanë marrë formën e prerë, jam tash 20-22 vjet nëpër gjyqe. Çfarë duhet të bëjë përmbarimi, duhet ta ekzekutojë apo ta lënë edhe 20 vjet të tjera?
Unë u kam ofruar zgjidhjen gjithmonë atyre zotërinjve, kam shumë dëshmitarë. Të gjitha llojet. Është mirë të shihen letrat. Marrëveshjet janë me letra. Nëse ajo pronë është e imja unë do ta gëzoj”, tha pronari. /tesheshi.com/