Zenun Çelaj, një nga gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur të Kosovës, është dëshmitar i gjallë i të gjitha ngjarjeve kyçe të historisë së turbullt që sollën ngritja në pushtet e Sllobodan Millosheviçit dhe dhuna e regjimit të tij ndaj shqiptarëve. Në një rrefim në vetën e parë, Zënun Çelaj tregon për tesheshi.com, historikun e dokumentit të pavarësisë, deklaratës që u shkrua e më pas u daktilografua, duke mbetur në historinë e shekullit të 20-të.
Nga Zenun Çelaj
Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 po fiton peshën historike që i takon realisht.
Asaj i paraprin shumë zhvillime në radhët e Alternativës Shqiptare, siç nisën ta quanin atëherë lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve. Kështu e quanin jo vetëm ithtarët e rezistencës paqësore ndaj synimeve serbe për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, por edhe vetë shqiptarët. Ishin protestat gjithëpopullore të vitit 1988 e 1989, Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt ’89), “Apeli 215” i intelektualëve, që u quajt kështu sipas numrit të nënshkruesve (mars 1989), dorëzimi i librezave partiake të gazetarëve të “Rilindjes” (më 30 janar 1990), që i priu zhbërjes së Organizatës së lidhjes Komuniste në Kosovë, helmimet masive të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, Deklarata mbi Çështjet Kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (14 qershor 1990), pastaj Deklarata e Forumit Demokratik (përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe shoqatave të shqiptarëve) me të cilën u kërkohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbronin pozitën kushtetuese, autonominë e Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ nga viti 1974, vrasjet e shqiptarëve, arrestimet e dënimet.
Por Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ka një parahistori para se ajo të arrinte në duart e delegatëve të Kuvendit të Kosovës (delegatë quheshin deputetët). Rastësisht jam protagonist i kësaj historie, kjo falë miqësisë që kisha me akademikun Gazmend Zajmi, një personalitet jo vetëm me njohuri të thella juridike dhe të të drejtës kushtetuese, por edhe me sensin për të vlerësuar momentin. Ishte koha kur në fakt ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe rrezikohej e gjithë ekzistenca kombëtare. Derisa po shëtisnim në korzonë e Prishtinës më thotë se do të ishte mirë që delegatët të miratonin një deklaratë kushtetuese, me të cilën do të anulonin ndryshimet e bëra arbitrarisht nga Serbia. “Si gazetar që je, mund të kesh ndonjë delegat që mund t’i besosh”, më tha, “i cili do të mund ta fuste në procedurë kuvendare (pra parlamentare) një deklaratë kushtetuese”. Kur ia pohova mundësinë, e lamë që të nesërmen të ma dorëzonte tekstin e saj dhe u takuam në shtëpinë time. Ai e kishte hartuar me dorë tekstin, ndërsa unë e daktilografova. Kishte përfshirë gjashtë pikë. Pas diktimit dorëshkrimin e tij e dogjëm. Nuk deshëm të lëmë gjurmë që do ta penalizonin Gazmendin, i cili më herët kishte pasur disa probleme shëndetësore. Ndërkohë Deklaratën ia dhashë delegates Leonora Binishit – Zajmi, që ishte bija e kunatës sime. Ajo e kishte kryer punën si është mirë. Delegatët, që tashmë vepronin në baza nacionale, e kishin trajtuar tekstin e Deklaratës, por jo në ambientet e Kuvendit, që tashmë thuaja mbahej e kontrolluar nga milicia (policia) serbe. Pas disa ditësh më konsultuan nëse autori, pra Gazmendi, do të pajtohej të hiqej pika e fundit. Gazmendi u pajtua plotësisht me kërkesën, madje tha se ajo pikë ishte krejtësisht e panevojshme.
Ndërkohë, pasi u caktua data kur do të miratohej teksti i Deklaratës, brenda ose jashtë objektit të Kuvendit, në cilësinë e veprimtarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë sigurova praninë e një delegacioni vëzhguesish nga Federata e të Drejtave të Njeriut në Francë, pastaj të një veprimtareje të shquar të të drejtave të njeriut nga SHBA (Eva Brendli) që kështu shpallja e Deklaratës të kishte edhe njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar.
Më 2 Korrik 1990 delegatët shqiptarë, të cilëve u ishin mbyllur dyert e objektit të Kuvendit, pas disa seancave dramatike, u mblodhën para dyerve të tempullit të demokracisë, ku u lexua teksti i Deklaratës. Atë paraprakisht e kishin nënshkruar 114 delegatë. Ndërsa delegatët ishin mbledhur për të miratuar këtë dokument, që ndërkohë do të trajtohet si një prej gurëve themeltarë të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, Kuvendi ishte i rrethuara nga tanke e forca të mëdha të milicisë. Leximi dhe shpalla e Deklaratës u shoqërua nga duartrokitje të gjata të delegatëve, por edhe të qytetarëve që po e ndiqnin në mënyrën më të pazakonshme punën e një parlamenti në rrugë.
Kamerat televizive do të përjetësojnë skenën kur Milicia do ta shoqërojë veprimtaren nga SHBA, Eva Brendli me gjithë qenin e saj, dhe Luljeta Pulen.
Ata që e ndoqën shpalljen e Deklaratës u shpërndanë të lumtur dhe me shpresën se po niste koha e zgjidhjes së nyjës së Kosovës. Ajo do t’i printe shpalljes së Kushtetutës në Kaçanik dy muaj më pas, më 7 shtator, që Kosovën e deklaronte Republikë. Pas shpalljes së deklaratës kushtetuese do të mbylleshin mediet në gjuhën shqipe – “Rilindja” e RTP, do të suprimohen thuaja të gjitha institucionet autonome të Kosovës dhe do të fillonte një dekadë e rëndë e mbylljes së shkollave e fakulteteve, e largimeve nga puna, e persekutimeve, arrestimeve e dënimeve, që do të kulmonin me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për të përfunduar me çlirimin e Kosovës. /tesheshi.com/