Le ta imagjinojmë 12 shtatorin, pra ditën e djeshme ndryshe, ku në Dibër do të fitonte kandidati i opozitës Sherefedin Shehu.
Të parët që do të flisnin nga KZAZ e shkollës së mesme Bujqësore do të ishte numri dy i PD-së, Arben Ristani, i cili pasi të kishte fikur cigaren në tokë (në ambjentet e KZAZ nuk lejohet cigarja, por Ristani dhe jo vetëm ai, e shkelën me të dyja këmbët), do të drejtohej para kamerave dhe do të shpallte fitoren e opozitës si një sinjal për gjithë vendin.
I dyti do të fliste Sherefedin Shehu, i cili do të falënderonte dibranët për besimin dhe do t’u shprehte angazhimin për të zbatuar ato premtime që kishte dhënë në fushatë.
Pak orë më pas, në selinë blu, Lulzim Basha, pas mbledhjes së kryesisë së opozitës do të shpallte se shqiptarët nuk e duan Edi Ramën dhe ai duhet të largohej, duke mos shkuar në zgjedhje me qeverinë aktuale.
Basha do të vazhdonte fjalimin e tij: “shqiptarët nuk e durojnë që Shqipëria të mbushet me drogë, ndaj me vullnetin e tyre sovran larguan qeverinë e krimit”.
Më pas, Luan Rama i LSI-së do të dilte në një deklaratë për shtyp, duke thënë se vota e dibranëve duhet të jetë mesazh i qartë për Partinë Socialiste, e cila gjithçka e vendosi vetë në Dibër duke mënjanuar LSI-në, madje duke hequr edhe logot e aleatit nga makinat e propagandës.
Një mesazh i qartë do të shtonte Rama (Luan), do të ishte ndryshimi i kabinetit, duke larguar ministrin e Brendshëm, i cili është fajtor për situatën në frontin e hashashit, ku dhe dibranët e ndëshkuan mazhorancën për këtë.
Ilir Meta do të kërkonte Edi Ramën në takim tek zyra e tij në kryesinë e Kuvendit, ku kryeministri nuk ka shkelur që prej miratimit të reformës në drejtësi.
Portalet pranë LSI-së do të shkruanin se Edi Rama ka rënë dhe po flitet për një qeveri të re koalicioni.
Sali Berisha do të shkruante në faqen e tij në Facebook se “Dibra heroike dhe demokrate, qëndrestare dhe stoike, i dha Edvin Shullazit një goditje siç vetëm dibranët dinë ta japin. Dibra nuk e duron hashashin dhe krimin, nuk e duron që lumenjtë kristal që Zoti ja ka dhënë kësaj treve të begatë të kthehen në basene korrupsioni të Ramës me sivëllezërit e tij mafiozë në Bosfor”.
Andi Bushati do të kishte shkruar se “Edi Rama është i kapur nga interesat e ologarkisë që i vunë Shukri Xhelilin dhe donte të lante të palarën me një kandidaturë të pastër si e Muharrem Ramës”.
Madje Bushati do ta kishte titulluar shkrimin e tij: “As doktori nuk e shëron dot Edi Ramën!”.
Kurse Lubonja, po po Lubonja, do të thoshte se “njerëzit rrëzuan mafian dhe kërkojnë një katharsis në këtë vend”.
Por më 12 shtator në Dibër, kandidati i mazhorancës, Muharrem Rama stërfitoi me 4 mijë vota më shumë se zoti Sherefedin Shehu.
Dhe e dhëna më e rëndësishme për ta analizuar ishte se Rama fitoi në të gjitha njësitë vendore, pra ish-komunat, përjashtuar Kalanë e Dodës dhe Zall Reçin.
Fitoi Selishtën dhe Luzninë që kanë qenë blu për 25 vjet. Fitoi Maqellarën ku PD-ja nxori deputet Agron Qokun më 31 mars 1991 dhe kurrë se ka humbur këtë njësi.
Maqellara është një shembull shumë i rëndësishëm pozitiv për PD-në, pasi përbën dhe një zonë të begatë, fushore dhe me njerëz punëtorë që nuk varen shumë nga shteti, por kanë qenë përgjithësisht njerëz të lirë e të pavarur.
Por ç’ndodhi?!
Lulzim Basha tha se humbëm, por përballë kartelit të krimit, tha se dibranët votuan për kartelin.
Artan Hoxha, analisti afër opozitës deklaroi se mazhoranca ka prodhuar 4 mijë vota në laborator pasi PD-ja ka marrë ato vota që mori në 2015-n.
Po mirë, që i mori po ato vota, po pse humbi Maqellarën dhe Selishtën?! Si mund të thuhet se kemi të njëjtën panoramë, kur normalisht kemi të bëjmë me shtimin e votuesve, pasi si PD-ja ashtu edhe PS-ja kanë paguar dibranët që banojnë në Tiranë që të shkulen për një ditë në fshatrat e tyre në Dibër.
Kush e njeh realitetin elektoral e di se Maqellara ka një rrjedhje agresive votash për PD-në.
Maqellara duhet të merret si etalon, pasi është si Lazarati. Ajo nuk ka ndryshuar kurrë në këto 25 vjet, kur e kanë bërë edhe Laçi, edhe Mamurrasi, por edhe Shkodra në vitin 1996 kur votoi kundër PD-së e zgjodhi Bahri Boriçin kryebashkiak.
Që vota jo vetëm në Dibër, por posaçërisht në Dibër është inxhinieruar, pra kanalizuar me kujdes dhe joshje parash, është tepër e qartë dhe nuk do as mend e kalem.
Por që mund të kanalizohen të gjithë njësitë vendore, kjo nuk ndodh aspak.
Siç e kemi shkruar në tesheshi.com, gjithmonë në zgjedhjet e pjesshme fiton pushteti dhe kjo dihet.
Por pse opozita u rrek t’i quajë test politik kur mund t’i ishte kthyer boomerang?!
Pse u kërkua me zor plebishiti, kur dibranët patën rastin e artë, që për një herë të vetme në 25 vjet ta ndjenin veten të rëndësishëm dhe u treguan pragmatistë për arsye logjike, se në këtë vend si PD si PS “një m…” janë dhe më mirë voton pushtetin për ca investime që kurrë nuk do t’i merrnin në një situatë normale.
Dhe më e rëndësishmja: nëse mazhoranca e ka humbur legjitimitetin dhe mbështetjen edhe të njerëzve të saj, ata mund të mos shkonin në votime dhe të braktisnin 11 shtatorin duke qëndruar në shtëpi.
Përse nuk bëhet një analizë e thjeshtë: Lulzim Basha shkriu gjithë kupolën e degës së PD-së së Dibrës, e cila me rënien e Naim Gazidedes dhe grupit të Brezhdanit, kontrollohej nga ish-deputeti Rrahim Kaleci dhe grupi i Maqellarës që ka qenë fitues.
Rrahim Kaleci deklaroi hapur në media se nuk do të aktivizohej në fushatë pasi e ndjente veten të nëpërkëmbur. “A do të ketë ndikim në elektoratin e djathtë”, e pyeti Elona Meço Kalecin? Dhe përgjigja ishte e shpejtë dhe politike: “Normal që do të ketë ndikim, por unë asnjë ditë nuk do të bëj fushatë për kundërshtarët”.
Ja “krisma” e pushkës së Rrahim Kalecit, i cili i bëri të ditur Lulzim Bashës që politika nuk është lidhje direkte dhe postera me ngjyra që kopjon Edi Ramën, por parti elektorale.
PD-ja që në 1992-shin, ndryshe nga socialistët që kanë qenë parti territori, pra të organizuar në organizata në vende pune apo lagje, janë një parti tipike dhe e sukseshshme elektorale që e njohin terrenin në mënyrë ekselente: kush janë fiset dhe familjet që votojnë në filan shtëpi apo pallat.
PD-ja e Peshkopisë që pati në vitin 1992 ajkën e inteligjencës dhe bëri bujë në Kuvendin e I-rë të PD-së, kur mori revansh duke u futur në qeveri dhe organet e sigurisë: si ushtri, tatime e SHIK.
Edhe pse ka pasur uljet e ngritjet e saj, PD-ja i dha Dibrës ngjyrën blu duke kompleksuar socialistët që të nisnin të harrojnë këtë krahinë aq shumë larushane dhe interesante demografikisht dhe politikisht.
Por Lulzim Basha, që tha në fushatë për herë të parë me gojën e vet se ishte nga Dibra me origjinë, nuk ia kishte haberin fare, po fare asnjë pjesë të territorit dibran.
A mund ta fitonte opozita Dibrën?! Gjasat kanë qenë vetëm nëse Basha do t’i bindte ata që Edi Rama nuk do të rijë më në pushtet dhe Dibra duhet të bëhet orteku i humbjes së PS-së.
Ndoshta do ta kishin ndjerë veten të rëndësishëm siç bënë disa herë në zgjedhjet shqiptare.
Por Basha bëri fushatë me kaseta dhe me deputetë të importuar që shkelnin për herë të parë në Dibër.
Dhe siç duket iu la përshtypje të mirë.
Dhe në fakt në këtë periudhë, kur në Dibër vilen frutat dhe të vonat, ajo krahinë është një mrekulli.
Edhe një banjë në llixha, më pas një djathë i freskët në Radomirë shoqëruar me ujë të ftohtë Korabi…Qejf o qerrata, këto janë pushime! /tesheshi.com/