Sa herë kërcet diçka në botë, shumë opinionbërës nga Kosova bëjnë hyxhym për ta treguar sa i shkojnë pas diskursit të cilin ata pretendojnë ta ndjekin, pra, atij evropian, që i thonë. Ta kemi të qartë, këtu nuk e kam për punonjës publikë, që me apo pa dashje e marrin për obligim shpeshherë të vetëvendosur ta ndjekin diskursin që mainstream-i ua imponon. Fjalën, fatkeqësisht, e kam për shumë opinionbërës të cilët një fat i keq e do, nuk di ndryshe se si t’ia lidh kokën kësaj, që të kenë mbetur me diskursin evropian të fillimshekullit të 18-të, atij amerikan të messhekullit të 19-të, dhe atij afrikanojugor (të të bardhëve perëndimorë) të messhekullit të 20-të. Pra, të gjithë këta janë perëndimorë, të Perëndimit të po këtyre kohërave.
Sillen sikur shteti dhe qytetari janë një (ka dallime mes shtetit dhe qeverisë, por për shkak të thjeshtëzimit në këtë tekst, fjalët shtet dhe qeveri i përdor pa dallim). Për këta, shteti nuk mund të jetë i keq për qytetarin, e as qytetari, në anën tjetër, i keq kundrejt shtetit të keq. Shtetin dhe qytetarin e kullojnë me një gotë. Kështu e kulluan qytetarin francez me Francën, dhe Francën me qytetarin francez. Kur sulmohet qytetari francez, thonë u sulmua Franca (që nuk e mbrojti qytetarin francez), kur sulmon Franca, thonë se sulmoi qytetari francez. Kështu e shohin qytetarin dhe shtetin vetëm “Lavdrim Muhaxherët” e të ngjashmit. Ata sulmojnë qytetarin, sepse e bëjnë atë një me shtetin, dhe e sulmojnë shtetin sepse e bëjnë atë një me qytetarin. Ky mund të jetë sistem interesant politik, por ja që, edhe pse në mendjen e shumicës së opinionbërësve në Kosovë dhe të mekanizmave të tij, fatmirësisht nuk është kështu, dhe mirë që nuk është. Kështu siç e shohin shtetin dhe qytetarin bashkë, për fat të mirë, qytetari francez dhe të tjerë evropianë nuk e kanë dashur që nga shekulli i 17-të, me lindjen e shtetit të tyre modern. Por shumica e zërave në Kosovë, me gjasë, e dëshirojnë brumosjen e qytetarit me shtetin “Lavdrim Muhaxherqe”; nuk e di, mund të jetë shkarje nga injoranca. Vështirë të dihet kjo në këto momente!
Sulmi i tmerrshëm në Paris që mori jetën e më shumë se 130 qytetarëve të pafajshëm të cilët ishin atypari, tronditi shumë qytetarë e shumë shtete. Për qytetarin e vetëdijshëm francez, siç u komentua në ca qarqe akademike, ky sulm, me gjithë dhembjen njerëzore që shkaktoi edhe për ne të gjallët, nuk do të jetë i fundit. Një komentuese e informuar pariziene në të njëjtin rast tha: “E tmerrshme çka ndodhi, por do të ishte budallallëk të mos e prisnim një apo shumë të tillë. Kemi vendosur të hyjmë në luftë, e në luftë njeriu duhet të llogarisë edhe sulmin nga ai që e sulmon.” Më çuditi pak për besë në gjithë këtë zullum e hutim; mendova, mirë që nuk është në Kosovë momentalisht, se do ta “shkishëronin” parizienen e gjorë të mirinformuar, domethënë, të vetëdijshme. Por, sidoqoftë, këtu qytetari francez e ndan subjektivitetin e tij apo të saj nga shteti. Me gjasë kanë përvojë nga kushtet e tilla me fillesat e modernitetit në fundshekullin e 17-të. Po supozoj. Qytetari francez e di që nuk vendos dhe nuk pyetet për politikën e jashtme të shtetit aq sa pyetet e vendos për politikën e brendshme të tij. Andaj, me gjithë dhembjen që e ndajnë për bashkëqytetarët e tyre që humbin jetën, bëjnë një distancim, sado individual e sado i fshehur të jetë ai, nga shteti i udhëhequr nga qeveria dhe politika e jashtme e saj (natyrisht kemi shumë përjashtime nga fashistët e ekstremit të djathë në rritje). Këtë e bëjnë me një vetëdije të thukët, sepse e dinë që nuk janë pyetur sa raketa t’i zbrazin mbi qiejt e huaj, dhe kë, kur dhe sa prej tyre t’i vrasin. Nuk e ndajnë edhe aq shumë vlerën e jetës së qytetarit iks në Azi dhe atij ipsilon në Francë. Kjo është specifikja e qytetarit (të vetëdijshëm jofashist) francez, me të cilin duhet të bashkëndjejmë me dhembshuri.
Më duhet t’ua tërheq vëmendjen pak edhe më shumë me disa shembuj konkretë, sidomos me atë çka raporton Haaretz-i, e përditshmja më e vjetër izraelite, e cila kishte marrë mundimin profesional që ta mbulojë këtë ngjarje të tmerrshme në sytë e qytetarit francez. Vetëm një ditë pas sulmit, një grup qytetarësh francezë, mes shumë të tjerëve, kishin dalë për të ndezur qirinj tek “Place de la Republique” në Paris. Ata shprehen se e marrin mjaft personal faktin se çfarë ka ndodhur, por, megjithatë, nuk janë të zemëruar, siç raporton Haaretz-i. Sabrina, njëra prej tyre, thotë se ata të cilët e bënë këtë sulm “janë budallenj, por nuk janë mëkatarë”. Kjo qytetare franceze vazhdon të thotë se, “ata janë viktima të sistemit që i kishte përjashtuar nga shoqëria, prandaj [sulmuesit] e kanë ndjerë t’i sulmojnë ata të cilëve e ndiejnë se nuk u takojnë. Ka prej atyre që jetojnë të tëhuajtësuar këtu, dhe ne të gjithë jemi për t’u fajësuar”. Clemens Mama, një pjesëtare tjetër e grupit që kishte dalë me qirinj të ndezur vetëm një ditë pas ngjarjes së tmerrshme, flet kështu për qeverinë e shtetit: “Ndoshta ata [qeveria] nuk dëshirojnë që ne të mendojmë se mbase kjo [sulmi] ka lidhje me politikat e qeverisë sonë dhe të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.” Ajo shprehet se nuk ishte aspak e befasuar me atë çka kishte ndodhur një ditë më herët, duke thënë se, “këta njerëz [sulmuesit] janë ata nga të cilët qeveria ka hequr dorë, dhe duhet të pyesësh, pse?”. Këta qytetarë francezë i vënë gjërat në pikëpyetje për qeverinë e tyre, natyrisht, sepse i kanë opinionbërësit e Kosovës për t’ua mbrojtur atë, siç ngjau në ditët e fundit, me sa shihet, kundër vullnetit të këtyre francezëve të prekur.
Të vazhdojmë me të tjerë. Johann Crispel, një student tjetër, kishte thënë po në të njëjtën ditë, po në të njëjtin vend, dhe po për të njëjtën të përditshme izraelite, se “ndoshta është e drejtë t’i bombardojmë [ISIS-in] në emër të demokracisë dhe lirisë, mirëpo kjo na e ka sjellë luftën këtu nga Siria, këtu tek ne, në Francë. Nuk ma merr mendja që ia vlen”. Një grua tjetër, po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, raporton Haaretz-i, kishte filluar të këndojë Marsejezën, himnin kombëtar francez, por kishte mbetur e vetme në të kënduarit e saj; asnjëri përreth nuk ishte treguar i interesuar ta ndjekë. Dhe, siç raporton Haaretz-i, “ishte vështirë ta gjesh dikë në këtë mbledhuri që kishte për të thënë diçka të keqe për sulmuesit, dhe shprehjet patriotike ishin të reduktuara”. Pas këtyre qëndrimeve të qytetarëve francezë, ndoshta do të ishte e tepërt ta zgjas për ta shpjeguar pyetjen kyçe, pse kështu?
Injorancë ka kudo brenda shoqërive, megjithatë, duket se në Kosovë injoranca sjell me vete mbeturinat, siç janë: përkulja ndaj pushtetit, përkulja ndaj sistemit, përkulja ndaj mbretit, përkulja ndaj fashizmit, përkulja ndaj të huajit, përkulja ndaj një race, gjuhe, kulture, e kështu me radhë. Me siguri se niveli i injorancës do t’i bënte shumë opinionbërës në Kosovë dhe mekanizmat e tyre që t’i etiketojnë këta qytetarë francezë me lloj-lloj epitetesh. Ndoshta do t’i quanin edhe si bashkëpunëtorë dhe mendimtarë të ISIS-it, meqë nuk e fajësonin atë. Nuk është largmendsh, sepse kemi parë të tillë. Me siguri opinionbërësit në Kosovë – injoranca vazhdon të flasë – e ndjejnë dhembjen për Francën e francezët (bashkë) më shumë se qytetarët e lartpërshkruar francezë; mund të ndodhë, ku ta dimë!
Nuk mund ta përmbyll ende këtë pa një citim tjetër mbresëlënës, tejet vetëdijesues, dhe mbi të gjitha prekës; prekës sa me gjithë retë e zeza të injorancës së thellë që ekziston brenda shoqërisë që i takoj edhe vetë, prapë të jep shpresë. U raportua se SHBA-të vranë me raketë nga ajri Mohammed Emwazi-n (i quajtur po ashtu “Jihadi John”), i mirënjohur për opinionin botëror si vrasësi apo njeriu i cili në mënyrë makabre i kishte prerë kokën gazetarit amerikan James Foley. Lexojeni me vëmendje se çfarë do të thoshte Diane Foley, nëna e viktimës James Foley. E pyetur nga gazetarët e ABC News-it nëse kishte për të thënë diçka për lajmin e vrasjes së personit që ia kishte prerë kokën djalit të saj, ajo u shpreh: “Më trishton fakti që këtu në Amerikë ne festojmë për vrasjen e një njeriu të çmendur, një të riu patetik.” E pyetur nëse vrasja e Jihadi John-it nga raketat e SHBA-ve i kishin sjellë drejtësi për djalin, ajo është përgjigjur kështu: “Drejtësi? Jo, aspak. Vetëm mërzi!” Po ashtu, ajo thotë se nuk i kishte sjellë as ngushëllim, duke thënë kështu për ndjenjën e saj të ngushëllimit: “Jo! Aspak! Nëse rrethanat do të ishin të tjera Jim-i [djali i saj] me shumë mundësi do të ishte shok me atë njeri [Jihadi John-in] dhe do të kishte provuar ta ndihmonte.” Me siguri që opinionbërësit në Kosovë dhe ekspertët e çështjes së terrorizmit do të ushtronin terror mediatik ndaj Diane-s, nënës së viktimës që i qe prerë koka, vetëm për deklarimin kështu për vrasësin e djalit të saj. Diane, megjithatë, për mendimin tim, duket se di më shumë se çdo ekspert tjetër se ku është thelbi i problemit të terrorizmit; fjalë të cilën nuk i bie ndërmend ta përdorë as kjo, e as qytetarët e tmerruar francezë.
Këtu do ta përmbyll me një pikëllim, por edhe me një shpresë. Pikëllimi vjen nga një krahasim i radhës që gjeta rastin ta bëj për disa orë. Mora deklaratat e ISIS-ëve kosovarë, të cilët tashmë janë në Siri, nga ku përcjellin mesazhe për atë se çfarë kanë ndërmend të na bëjnë, me argumentet e tyre patetike. Në të njëjtën kohë, mora deklaratat e disa opinionbërësve në Kosovë për analizat se çka duhet bërë me raketat e huaja, me argumentet e tyre patetike. Nuk trishtohesha nga fakti se qëndrimet e tyre të shprehura për Francën dhe popullin francez (të bashkuar) ishin me një distancë marramendëse larg nga ndjenja e një pjese te vetëdijshme të popullit francez të distancuar nga shteti i Francës. Më trishtoi fakti se sa pak dallonin qëndrimet e Lavdrim Muhaxherëve në Siri dhe “Lavdrim Muhaxherëve” në Kosovë kur ua hiqja emrat nga deklaratat e tyre gjegjëse. Njëri thërriste për sulm, tjetri fliste për sulm. Njëri fliste se sa veta duhen vrarë, tjetri fliste se sa veta duhen prerë e gjymtuar. Mos u mundoni ta dini se cila palë kishte thënë njërën shprehje, e cila tjetrën, sepse e keni vështirë ta dalloni. Njëri fliste për bombat që do të kërcasin, tjetri fliste për bombat e tjera që do të hidhen. Kape njërin, mëshoji tjetrit. Këto qëndrime “Lavdrim Muhaxherqe” mes shoqërisë ku jetoj medoemos të bëjnë të pikëllohesh. Megjithatë, burimi i vetëm i shpresës në këto ditë të injorancës së lartë është populli francez, sado të vogël që ta kemi mostrën e atyre për të cilët lexojmë e me të cilët flasim direkt, si dhe Diane Foley. Prapëseprapë, vetëdija e tyre qytetare të jep shpresë që pas shumë vitesh ndoshta do ta kemi mundësinë që injorancën në Kosovë, të sforcuar nga mekanizmat që përfitojnë prej saj, ta zhdukim ngadalë, por në mënyrë të sigurt, me shumë punë dhe me më shumë shpresë./tesheshi.com/