“Zoti së pari, Amerika e dyta.” Kjo është një shprehje që e dëgjoj shpesh kur jam në Kosovë. Është një frazë që mund të përshkruhet si një romantizim i hegjemonisë globale amerikane. Nocioni i njohur se Shtetet e Bashkuara janë të dytat pas Zotit, ka përforcuar atë që e kisha vënë re gjithmonë kur unë isha në Kosovë: një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të fiksuar me Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që është pothuajse poshtëruese.
Shpesh pranoj kritika për shqyrtimet dhe vlerësimet e mia mbi këtë çështje, ku disa pretendojnë se mendimi im nuk është i vlefshëm sepse unë kam lindur dhe jam rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, larg realiteteve të Kosovës. Më kanë thënë se shkëputja ime nga ndikimet historike të agresionit të Sërbisë do të thotë se unë nuk mund ta kuptoj plotësisht rëndësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në vitin 1999-të apo ndjenjat pro-amerikane në Kosovë. Por kjo kritikë anashkalon një pikë thelbësore: identiteti shqiptar nuk është një monolit që u nënshtrohet atyre që ndodhen gjeografikisht brenda kufijve artificialë të hartuar nga fuqitë koloniale evropiane. Si një shqiptar në diasporë, përvojat e mia, që dallojnë nga ato të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, më ofrojnë një këndvështrim më kritik mbi mënyrën se si SHBA-të perceptohen dhe lartësohen në Kosovë.
Pra, përse ky qëndrim jokritik pro-amerikan është kaq i përhapur mes popullit tonë? Përse, për shembull, liderët shqiptarë të Kosovës përsërisin vazhdimisht shprehjen: “Kosova është vendi më pro-amerikan në botë?” Pse ndodhet një statujë 3.5 metra e Bill Klintonit në qendër të kryeqytetit, Prishtinës? Pse rruga kryesore në Prishtinë quhet “Rruga Xhorxh Bush?” Pse kaq shumë analistë politikë shqiptarë kosovarë kanë një perceptim të madhëruar të politikës së jashtme amerikane – sikur çdo shembull i ndërhyrjes së SHBA-së ka qenë po aq i suksesshëm sa ai që ndihmoi në çlirimin e Kosovës në vitin 1999? Mbi të gjitha, pse shqiptarët e Kosovës nuk janë më skeptikë dhe kritikë ndaj fuqisë globale amerikane?
Përgjigja duket e qartë: ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr nga SHBA në vitin 1999 i dha fund fushatës gjenocidale të Serbisë në Kosovë, duke shpëtuar qindra mijëra shqiptarë dhe duke i lejuar ata të kthehen në shtëpitë e tyre. Por a është kjo një arsye mjaft e fortë që dikush të jetë verbërisht pro-amerikan? Si dikush me këmbë në të dy vendet, unë do të argumentoja se është e mundur të jesh njëkohësisht mirënjohës për ndërhyrjen e SHBA-së në 1999 dhe kritik ndaj politikës së saj të jashtme dhe të brendshme historike dhe bashkëkohore. Mbi të gjitha, vetëm për shkak se Shtetet e Bashkuara e ndihmuan Kosovën në vitin 1999, nuk do të thotë se shqiptarët duhet t’i kenë borxh SHBA-së dhe të marrin një identitet pro-amerikan.
Ikja nga paradoksi
Në vitin e parë të shkollës së mesme, mësuesja ime e anglishtes e vuri re lakminë time për histori dhe më lejoi të huazoja kopjen e saj të librit Historia e Popullit të Shteteve të Bashkuara (A People’s History of the United States) nga Howard Zinn (1980, 2003). Ky libër hapi një botë të re për mua; një botë që më dha një kuptim alternativ të politikës dhe historisë së SHBA-ve. Heronjtë në këtë libër nuk ishin presidentë amerikanë gjenocidalë që zotëronin skllevër e as nuk ishin njerëz shfrytësues të racës së bardhë, për më tepër ishin ata të margjinalizuarit dhe të shtypurit historikisht. Gjatë leximit të librit, nuk mund të mos e lidhja me Kosovën dhe luftën historike të shqiptarëve përballë shtypësve tanë kolonialë serbë. Në fakt, sa më shumë mësoja për historinë dhe politikën amerikane, aq më shumë ngjashmëri fillova të shihja mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Në të njëjtën frymë, sa më shumë mësoja për historinë e racës së zezë dhe indigjenëve, aq më shumë paralele nisa të bëja me luftën historike të shqiptarëve. Për të dhënë vetëm një shembull, përderisa njerëzit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara po jetonin tmerret e Jim Crow, shqiptarët e Kosovës po përpiqeshin të mbijetonin nën tiraninë e Aleksander Rankoviqit.
Librat si Historia e Popullit e Shteteve të Bashkuara nga Zinn më ndihmuan të më ndalonin të dorëzohesha para paradoksit të të qenit një shqiptar që është verbërisht pro-amerikan. Paradoksi, natyrisht, është se identiteti shqiptar karakterizohet nga historia e tij e të qenurit të shtypur dhe e rezistencës ndaj kësaj shtypjeje, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara historikisht janë përfshirë në akte shtypjeje dhe padrejtësie. Ana e errët e SHBA-së – ana që shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk e shohin, ose më saktë, refuzojnë ta shohin – është një temë që është në mënyrë alarmante e anashkaluar në diskutime.
Ana e errët e Shteteve të Bashkuara
Dikush mund të vizitojë çdo qytet apo fshat në Kosovë dhe të dëgjojë shqiptarët duke folur se si Serbia është një shtet gjenocidal, kolonial që ka qenë i angazhuar në forma të institucionalizuara të shtypjes kundër shqiptarëve dhe grupeve të tjera. Ne gjithashtu duket sikur kemi një kuptim të fortë të autoktonisë – nocionin se shqiptarët janë vendas në tokat që Serbia i pretendon si të sajat. Megjithatë, njohja jonë e thellë me gjenocidin, shtypjen, kolonializmin dhe madje autoktoninë duket se po zhduket nga intelekti ynë moral kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara. Kjo quhet hipokrizi.
Në të njëjtin kontekst, mund të vizitoni çdo qytet apo fshat në Kosovë dhe të dëgjoni shqiptarët që romantizojnë Shtetet e Bashkuara si një vend i lirisë, demokracisë dhe mundësive të pafundme. Por realiteti është ky: mënyra se si shqiptarët flasin për Serbinë është jashtëzakonisht e ngjashme me mënyrën se si shumë grupe njerëzish flasin për Shtetet e Bashkuara. Kjo është përshkak se – pavarësisht nga disonanca kognitive që mund të prodhojnë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend i ndërtuar mbi gjenocidin e popullsive indigjene, vjedhjen e tokave të tyre historike dhe shfrytëzimin e njerëzve të skllevëruar. Madje mund të jetë një tronditje për shumë shqiptarë të Kosovës, por Shtetet e Bashkuara ende i përmbahen një kushtetute që është hartuar nga individë të përfshirë në spastrim etnik, skllavërim dhe dhunë seksuale. Pra, herën tjetër kur dëgjoni një politikan apo analist politik duke përsëritur frazën “Serbia është mini-Rusi”, kujtojuni atyre se Serbia është gjithashtu mini-Amerikë.
Toka e Njerëzve të Lirë?
E vetëshpallura “Tokë e njerëzve të lirë” ka një popullsi prej rreth 2 milion njerëzish të burgosur, duke e bërë atë vendin me shkallën më të lartë të burgosjeve në botë. Në raport me popullsinë, ky numër është shumë më i madh se sa i njejti në shtetet autoritare si Rusia dhe Kina. Për të rënduar më tej situatën, ka një element të qartë racor në burgosjen amerikane, domethënë, amerikanët e racës së zezë burgosen pesë herë më shumë sesa amerikanët e racës së bardhë. Në vendin e njerëzve të lirë, një në tre burra të racës së zezë ka të ngjarë të përjetojë burg për shkak të faktit se ata arrestohen në mënyrë disproporcionale dhe dënohen me afate më të gjata se sa ata të racës së bardhë. Kjo formë e hapur e racizmit amerikan mund të krahasohet me racizmin e institucionalizuar të Jugosllavisë Socialiste – e cila promovoi të ashtuquajturën “Vëllazëri dhe Bashkim”. Në të njëjtën Jugosllavi për të cilën serbët, kroatët, boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit kanë nostalgji, shqiptarët me shumicë myslimane, – të cilët përbënin rreth 12% të popullsisë së përgjithshme të Jugosllavisë – përbënin një 90%-she alarmante të të burgosurve politikë të vendit. “Toka e njerëzve të lirë” e Amerikës dhe “Vëllazëria dhe Bashkimi” i Jugosllavisë nuk janë gjë tjetër veçse slogane boshe për popullsinë e tyre të shtypur dhe të racializuar.
Disa shqiptarë të Kosovës mund të kenë hasur në disa imazhe dhe video të brutalitetit policor që ekziston në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ata mund të jenë nën përshtypjen se këto janë thjesht raste të veçuara që nuk reflektojnë realitetin e policisë amerikane. Përkundrazi, dhuna policore është një praktikë e zakonshme në çdo shtet në SHBA. Deri më tani, në vitin 2024, policia ka vrarë 872 persona, ndërsa në vitin 2023, forcat e rendit ishin përgjegjëse për vdekjen e 1,351 individëve. Për shkak të natyrës raciste të policisë amerikane, njerëzit me ngjyrë kanë tre herë më shumë gjasa të vriten nga policët sesa të bardhët. Statistikat dhe pabarazitë racore tregojnë se dhuna policore është një çështje e thellë institucionale e rrënjosur në sistemin amerikan.
Brutaliteti i kapitalizmit
Një temë tjetër për të cilën shumë shqiptarë të Kosovës mund të mos kenë informacion është brutaliteti i kapitalizmit amerikan. Është e nevojshme të nxirren në pah disa nga realitetet e tmerrshme që nuk arrijnë shpesh deri tek veshët e qytetarëve të ‘vendit më pro-amerikan në botë’. Për shembull, tre amerikanët më të pasur posedojnë më shumë pasuri se e gjithë pasuria kombinuar e amerikanëve më të varfër – që përfshin mbi 160 milion persona. Paga minimale në SHBA është aq e ulët sa që as punëtorët me orar të plotë të punës nuk mund të përballojnë të marrin me qira një apartament me dy dhoma gjumi kudo në SHBA. Akoma më tronditës është fakti se, kur merret parasysh inflacioni, punëtorët amerikanë që kanë pagë minimale fitojnë më pak tani sesa 60 vjet më parë.
Sipas vlerësimeve, rreth 40 milionë amerikanë jetojnë në varfëri – 11 milionë prej të cilëve janë fëmijë. Përveç kësaj, ka mbi 653,104 njerëz të pastrehë në Shtetet e Bashkuara. Shumë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë mikpritjen si një nga vlerat më të rëndësishme, do të tmerroheshin kur do te zbulonin se për çdo person të pastrehë në SHBA, ka rreth 28 shtëpi të pabanuara.
Për sa i përket kujdesit shëndetësor, rreth 112 milionë amerikanë përballen me vështirësi për ti përballuar shpenzimet. Në fakt, kujdesi shëndetësor është aq i shtrenjtë në SHBA sa që rreth 34 milionë njerëz raportojnë se njohin dikë që ka ndërruar jetë për shkak të pamundësisë për të mbuluar shpenzimet shëndetësore. Kur bëhet fjalë për arsimin, amerikanët shpesh diplomohen me qindra mijëra dollarë borxhe mbi supet e tyre. Me një total kolektiv prej 1.75 trilion dollarësh, SHBA ka nivelin më të lartë të borxhit të studentëve në botë.
Kapitalizmi amerikan gjithashtu ka kontribuar masivisht në shkatërrimin e planetit tonë. SHBA-të kanë emetuar më shumë CO2 në atmosferë se çdo vend tjetër, duke lëshuar gjithsej 400 miliardë ton që nga viti 1751 – dyfish më shumë se Kina. Por sa shpesh diskutohen këto tema në Kosovë? Duket sikur nuk diskutohen fare.
Një lidhje e bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë?
Politikanët në Kosovë kanë tendencën të promovojnë idenë se, disi, hegjemoni më i fuqishëm global i njerëzimit ndan një lidhshmëri me një komb të vogël, historikisht të kolonizuar, dhe me shumicë myslimane. Si dikush që jam lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shoh Republikën aktuale të Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit progresiv Albin Kurti, si më të lirë dhe më demokratike se vendi ku unë jam rritur. Megjithatë, duhet theksuar se mbështetja e qeverisë për Izraelin dhe mungesa e solidaritetit të Kurtit me viktimat palestineze të gjenocidit në Gaza, zbulojnë një shkëputje zhgënjyese nga betejat e popujve të tjerë të shtypur.
Shqiptarët e Kosovës – përkundër asaj që shumë prej nesh mund të mendojnë – nuk kanë shumë të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ne ndajmë shumë ngjashmëri me grupet e shtypura dhe të margjinalizuara të Amerikës. Janë pikërisht këto paralele që duhen njohur dhe theksuar.
Përballja me realitetin
Në kontekstin e Kosovës, antiteza e të qenit pro-amerikan nuk është të bëhesh anti-amerikan. Përkundrazi, është të mos jesh pro-amerikan. Çështja është të eliminojmë kompleksin tonë kolektiv të inferioritetit dhe të kuptojmë që akti i rrallë i parandalimit të gjenocidit nga Amerika në Kosovë është një anomali dhe jo një rregull. Historia na tregon se ka më shumë shembuj të kryerjes dhe mundësimit të gjenocidit nga SHBA se sa parandalimin e tij.
Vendimi i Bill Clinton për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës nuk e shfajëson atë nga nënshkrimi i ligjit racist (Crime Bill) të vitit 1994, i cili kontribuoi në burgosjen masive të individve të margjinalizuar. As nuk e shfajëson atë nga politika e tij e neveritshme ndaj Bosnjës, e cila përfshin mosreagimin e tij ndaj gjenocidit të udhëhequr nga serbët kundër muslimanëve boshnjakë dhe shpërblimin e atij gjenocidi me themelimin e Republikës Srpska. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara po qetësojnë Serbinë sot, Bill Clinton qetësoi serbët e Bosnjës në vitet 1990 duke i shtyrë muslimanët boshnjakë të bëjnë lëshime territoriale.
Shumë shqiptarë të Kosovës mund të jenë pro-amerikanë, por Amerika nuk është aspak pro-Kosovës. Nëse do të ishin, ata do ta kishin inkurajuar Serbinë – një vend hegjemonist që filloi katër luftëra dhe kreu dy gjenocide në vitet 1990 – të kalonte nëpër një proces të ngjashëm me atë nëpër të cilin kaloi Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, pra denazifikimin. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara po e ndëshkojnë Kosovën për rezistencën ndaj aspiratave neokoloniale të Serbisë. Ka ardhur koha që ne shqiptarët e Kosovës të kuptojmë se edhe duart e përgjakura mund të ujisin një lule. Shtetet e Bashkuara na kanë ndihmuar, por ne nuk duhet të mbyllim sytë para padrejtësive të Amerikës. /Tesheshi.com/
Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit, e nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qendrimet apo politikën editoriale te portalit tesheshi.com
*Shan Karemani është studiues i pavarur. Mban diplomë master në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore nga “Universiteti i Indianës” dhe diplomë bachelor në shkencat politike nga “Universiteti Stetson”.