Tashmë po bëhet një muaj që një veprim i papreçedent politik, ka marrë udhë në këtë teatrin tonë shqiptar. Partitë opozitare shqiptare kënë djegur mandatet e deputetëve të tyre në përpjekje për të sensibilizuar atë që ata e quajnë “rrëshqitjen e vendit drejt një diktature kryeministrore”.
Për këtë, veprimi opozitar ka arritur kulmin e vet politik duke e kthyer opozitën nga një mekanizëm të përfaqësimit politik, në një mekanizëm të veprimit popullor.
E gjithë kjo lëvizje, përveç se ka shqetësuar tej mase faktorin ndërkombëtar, i cili u gjend plotësisht i papërgatitur para një situate të tillë, e ka bërë po ashtu Shqipërinë dhe politikën e saj, një rast studimor i shkencave politike për të gjitha katedrat universitare të planetit.
Së fundmi, me krenari mund të themi që jemi vetofruar në pozitën e kavies eksperimentale, në dobi të qënies njerëzore dhe të gjithë humanitet në përgjithësi.
Konteksi në të cilin ndodh e gjithë kjo gjë, nuk është një kontekst i një demokracie të pastër përfaqësuese, të një përfaqësimi me bazë meritokracinë, pa lista të mbyllura dhe pa teke të kryetarëve të partive politike. Ky nuk është një kontekst në të cilin ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjykatave janë në kulmin e tyre dhe i gjithë sistemi shkëlqen nga drejtësia sociale dhe përfaqësimi i denjë politik. Jo aspak! E gjitha po ndodh në një vend si ky i yni që quhet Shqipëri, establishmenti politik i së cilës, gjatë këtyre tri dekadave të fundit të një demokracie tranzitore, arriti me shumë sukses ta kualifikojë Shqipërinë si Afrika e Bardhë e këtyre anëve. 4
Një vend në të cilin sistemi politik i saj shquhet nga një tipar i veçantë, ai i konkurencës së autoritarizmave. Duke qenë se të gjitha partitë shqiptare tipar të tyre të përbashkët kanë autoritarizmin, për arsye se të gjithë liderët e partive politike nuk njohin zgjedhje të drejta brenda formacioneve të tyre, ka bërë që kryetarët të jenë individë autoritarë që përcaktojnë pothuaj çdo gjë në jetën politike të një partie. Pra, e përbashkëta e gjitha partive shqiptare qëndron tek autoritarizmi i liderëve të vet të cilët më shumë se konkurencë politike, bëjnë konkurencë autoritarizmi.
Ky tipar i përbashkët, ka bërë që, sa herë partitë kryesore politike në Shqipëri vinin në pushtet, për shkak të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së këtij autoritarizmi, manipulonin zgjedhjet si në proçes ashtu dhe në rezultate. Siç autoritarizmi është tipari i përbashkët i partive shqiptare, edhe manipulimi i zgjedhjeve u kthye po ashtu në tiparin e përbashkët të tyre. Thënë ndryshe, siç kemi konkurencën e autoritarizmave në politikën tonë, po ashtu kemi edhe konkurencën e manipulimeve në proçedurat tona. Është pikërisht kjo histori, ky tipar që i ndjek partitë shqiptare, të cilat manipulojnë si brenda partisë, po ashtu edhe jashtë saj në zgjedhjet politike, proçesin e përfaqësimit popullor, i cili e bën të vështirë besueshmërinë e tyre. Për këtë arsye, edhe motivi popullor për një revoltë gjithpërfshirëse kundër autoritarizmit dhe manipulimit, bie, për sa kohë të gjitha partitë shqiptare shquhen nga ky tipar dhe ndiqen nga e njëjta histori.
Me pak fjalë, asnjë nga partitë tona nuk mund të krenohet për respektimin e të drejtave politike, të lirive civile apo të garantimit të drejtë të pjesmarrjes në to. Ky, nuk është gjë tjetër vetëm se një reçesion demokratik i cili shkon drejt rrënimit demokratik që përfundon me transformin nga një demokraci hibride në një autokraci të plotë.
Në këtë kontekst në të cilin ndodhet politika shqiptare, pyetja më e natyrshme që lind është ajo se çfarë sistemi politik kemi sot? A është demokracia sistemi ynë? Preçedenti lënies së mandateve e bën më aktuale këtë pyetje. A jemi praktikisht sot në demokraci apo kemi hyrë në një fazë të panjohur, atë të tranzicionit të vetë tranzicionit? Jo vetëm kaq, por duke u nisur nga qëllimi që opozita e sotme ka për të përmirësuar sistemin e kalbur politik, pyetja tjetër po aq legjitime që lind është se a mundet të përmirësohet sistemi duke dalë jashtë sistemit?
Situata është e tillë që demokracia jonë sot i ngjan atij të sëmurit në reanimacion i cili mbahet gjallë me tuba oksigjeni. E bukura është se mjeku primar i cili kujdeset që tubat e oksigjenit të punojnë, të kësaj demokracie në reanimacion, janë ndërkombëtarët. Ata, në fakt ndodhen në pozitën më të sikletshme të mundur, sepse për herë të parë po përballen shumë ashpër me opozitarët si produkt politik, bashkë edhe me pozitën, të cilat ata vetë i kanë krijuar dhe bekuar. Oksigjeni që ata duan t’i japin pluralizmit shqiptar në reanimacion, është opozita paralele e krijuar nga emrat fundlistave të opozitës, proçes ky krejt legjitim nga pikëpamja ligjore por anemik nga pikëpamja politike.
Ka një specifikë të veçantë kësaj radhe në lidhje me ndërkombëtarët. Ndryshe nga herët e tjera ku presioni politik i opozitës përmes portestave do të mund të funksiononte sa më shumë të radikalizohej situata, në rastin konkret, sjellja e ndërkombëtarëv nuk ka referencë për vetë faktin se edhe vendimi i opozitës po ashtu është jashtë çdo reference. Në këtë prizëm, atëherë mendoj se përfaqësuesit e huaj në Shqipëri do të ishin të interesuar të zhbënin preçedentin e lënies së mandateve në politikën e brendshme shqiptare, që parti të tjera në të ardhmen të mos e përdorin si rrugëtim opozitar. Po ashtu, ata do të ishin të interesuar edhe më shumë ta zhbënin këtë preçedent në politikën e Ballkanit, ku çështjet nuk janë thjesht politike dhe ku lëvizje të tilla mund të bëjnë që kriza papritmas të kthehet etnike. Pra, mospërdorimi nga ana e fqinjëve të një preçedenti shqiptar në politikë.
Nuk është vënë më parë në provë se deri ku ka qenë kufiri në të cilin ndërkombëtarët mund të ndërhynin në ndërmjetësim. Deri më parë ata e kanë bërë mes palësh që respektonin jetën institucionale. Askush nuk mund të thotë sot se a do ta bëjnë këtë ndërmjetësim ndërkombëtarët në një realitet të ri ekstrainstitucional. Nëse do e bënin, do të thotë se do të inkurajonin revolucionet që përmbysin institucionet sado të kalbura të jenë ato. Opozita thotë se topin e ka kryeministri Rama.
Unë mendoj së në fakt kjo nuk është një ndeshje për kampionatin shqiptar të politikës. Kjo është një ndeshje eleminatore mes opozitës dhe ndërkombëtarëve, ku ose këta të fundit do të eleminojnë opozitën e vjetër në favor të një të reje, ose opozita do të arrijë të eleminojë, jo ndërkombëtarët si subjekte, por ligjet, rregullat dhe parimet me të cilat ata funksionojnë prej shekujsh. Nëse është kështu, atëherë kundërshtari më i fortë dhe më sfidues duket se është politika ndërkombëtare.Prandaj, parë në këtë këndvështrim, basti i opozitës me kohën ka gjasa të jetë një bast që nuk mund të funksionojë.
Atëhere opozita ka vetëm një rrugë: t’i turret vetës për mbijetesë dhe për të korigjuar atë që do ngelë nga kjo betejë për gjithçka e për çdo gjë.
Por, edhe nëse do shkohet drejt një marrëveshje midis palëve me ndërmjetësim ndërkombëtar, me siguri që ajo do të bëhet brenda një kuadri institucional, ku përsëri është opozita e cila do të duhet të ndryshojë rregullat të cilat vetë ajo jua imponoi të gjithëve. /tesheshi.com/