Në Uashington, u firmos një marrëveshje që brenda saj ka dy marrëveshje. Kosova me Serbinë nuk kishin shanse të firmosnin me njëra-tjetrën, atëhere, u pa e arsyeshme nga Shtëpia e Bardhë, që të dy shtetet të firmosnin me SH.B.A-në si garant dhe ndërmjetës i saj. E keni parasysh, kur dy tela bëjnë masë nëse i lidh së bashku, atëhere kërkohet një… , një prizë, e cila polet e kundërta i vë në vendin e duhur dhe i kthen në energji. Vetëm se, kësaj radhe, priza u instalua së prapthi, sa që, sa herë që të tentohet për të futur spinën, ajo përsëri masë do të bëjë. Me pak fjalë, u firmos një marrëveshje në dy marrëveshje për t’u mos marrë vesh. Qëndrimet e kundërta me këtë rast, nuk kthehen dot në një energji e cila do të prodhonte një zgjidhje, por e shtyn masën e poleve të kundërta për në një rast të dytë.
Ngjarja në Uashington mbart brënda saj pak të mira dhe boll të këqija, dhe kur është kështu, shpesh të mirat dhe të këqijat shpejtojnë, nga njerëz të ndryshëm, të grupohen kryesisht brënda formacioneve të luftës partiake. Në thelb, çështja e Kosovës nuk ka qenë kurrë dhe as nuk duhet të jetë material konsumi elektoral, ata që e bëjnë këtë vetëm se shpejtojnë varrosjen e saj. Serbët nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata, për Serbinë dhe fenë e tyre fshijnë çdo dallim. Ne, nuk e kemi këtë luks, sepse ne, në Shqipëri, përjetimin për kombin dhe kulturën, mësuam ta njohim vonë dhe akoma nuk kemi mësuar ta brëndësojmë atë.
Marrëveshja kishte rëndësi sepse e nxori Kosovën nga anonimiteti dhe inferioriteti i viteve të fundit, drejt një vëmendjeje ndërkombëtare. Nga kalendat greke e solli në kalendat amerikane, të cilat ndryshojnë shumë nga ato evropiane. Marrëveshja, kishte dobi se e nxori nga domeini dhjetëvejeçar i Brukselit çështjen, nga tretja në eterin evropian, drejt një grushti amerikan mbi tavolinë. Marrëveshja, rikonfirmoi për të disatën herë se dominanca amerikane në rajon është akoma e fortë dhe se zbehja e kësaj dominace e përceptuar kohëve të fundit, nuk ishte veçse një iluzion i gabuar serbo-rus. Marrëveshja i tha Rusisë, sidomos pas rënies së kalasë perëndimore të Malit të Zi , se luftën nuk do ta keni të lehtë.
Ndërsa efektet negative që pati takimi i Uashingtonit, janë pothuaj në të njëjtën masë dhe të njëjtën formë që administrata Trump ka aplikuar në përgjithësi. Arroganca është lajtmotivi bazë që e bën skenografinë e Zyrës Ovale, nën presidencën Trump, të jetë komunikimi kryesor. Nuk mundet që mysafirët, sado të vegjël dhe sado të parëndësishëm të jenë, e që i ke thirrur në shtëpinë tënde, t’i trajtosh në atë formë poshtëruese dhe gati-gati koloniale. Dinjiteti i partnerëve, është baza për marrëdhënie afatgjata dhe besimi të ndërsjelltë mes kombeve e shteteve. Fatkeqësisht, qëndrimi i përfaqësuesit shqiptar ishte i pashpresë, i pajetë, i dorëzuar sa ndoshta as edhe punonjësit sanitarë të Shtëpisë së Bardhë nuk duhet të ishin ashtu.
E papritura më e madhe dhe më e ulët, ishte përdorimi i çështjes së Kosovës nga ana e administratës Trump, për çështjen izraelite. Domethënë një gjenocid në këmbim të një aparteidi. Të harrojmë gjenocidin serb në këmbim të aparteidit izraelit. Një popull si ai i shqiptarëve të Kosovës, që ka përjetuar vrasje, përdhunime, dhe më në fund edhe eksod gjenocidial të papranueshëm për botën moderne, të shërbejë si make-up i një regjimi aparteidi sionist mbi popullsinë palestineze prej pothuaj shtatë dekadash?
Zotimi nga ana kosovare i vendosjes së ambasadës në Jeruzalem, nuk është vetëm në kundështim me rezolutat e OKB-së dhe me qëndrimin evropian dhe globit mbarë, por është një preçedent i rrezikshëm që i jepet Netanjahut. Është preçedent i vendit të parë me maxhorancë myslimane që ndërton lidhje diplomatike me Izraelin. Ky është momentumi i artë që Trump ia dhuroi lobit hebre dhe evangjelist, në këmbim të votave.
Në Lindjen e Mesme ka plot diktatorë, të cilët të mbështetur nga SH.B.A, me shpirt do të donin ta njihnin Izraelin, por nga frika e reagimit të popullsive të tyre, nuk do të donin të ishin ata të parët. Kryeministri Hoti ia dha këtë shans, ia hoqi atyre këtë frikë për ta pasuar me lehtësi. Trump po ashtu e kapi këtë shans. Të vjen keq që presidenti i një vendi të nderuar dhe shembulli lirive, të jetë kaq shumë i kapur nga qarqe të caktuara pro-sioniste, sa pothuaj e gjitha agjenda e politikës së jashtme të tij, sorollatet nga Tel Avivi deri tek vallja e shpatave në Riad. Në të njëjtën frymë futen edhe pikat për Hezbollah dhe për 5G, të gjitha në funksion të politikës së jashtme Trump. Meqë ra fjala, atyre që nuk u pëlqejnë etiketime si Kosova apo Shqipëria, “vend me maxhorancë myslimane”, duhet të kuptojnë se ky është një realitet për të cilin maxhoranca ndjehet krenare. Asnjë komb dhe asnjë vend tjetër, nuk mund të të ofrojë respekt, nëse ti vetë nuk ke respekt për identitetin tënd.
E padrejtë ishte edhe pika e marrëveshjes e cila fliste per frenim të dyanshëm të palëve, njëra në favor të njohjeve, tjetra në favor të çnjohjeve. Vendosja në të njëjtin nivel të këtyre qasjeve, jo vetëm që është problematike, por tregon edhe një farë mosrespekti për palën e cila ka vuajtur më shumë në këtë mesele. Karta e Kosovës në këto bisedime dhe në çdo bisedim, duhej të ishte pacënueshmëria e statusit të viktimës. Kjo pacënueshmëri, është harruar dhe hedhur tej kujtesës së kombeve edhe për fajin e vetë politikës kosovare, që nuk shtron në tryezën e bisedimeve borxhin moral dhe infrastrukturor që agresori ka ndaj saj. Si mundet të vihen në një plan e drejta legjitime për t’u njohur nga kombe të tjera, e një popullsie të persekuatuar dhe plaçkitur me pa të drejtë që nga 1913-ta e deri më 1999-tën, me aksionin e Serbisë për të penguar që kjo e drejtë të vihet në vend ?
Morali i kësaj është thjesht cinizëm ndërkombëtar dhe morali i lidershipit kosovar, që e pranon një gjë të tillë, është vasalitet fatkeq.
Dakortësia për një Minishengen ballkanik, mes shteteve të konsoliduara joshqiptare dhe copëzave të shqiptarisë andej e këtej, është e rrezikshme. Nuk duhet të ketë parimisht Minishengen ballkanik pa pasur më parë një “Mishengen” shqiptar. Masat homogjene si shtetet e tjera, nuk mund të shkrihen me një masë johomogjene si copëzat shqiptare, sepse ato që do përfitojnë në kurriz të heterogjenitet shqiptar, janë shtetet më të fuqishme homogjene dhe ne mënyrë më preçise Serbia. Ne dështuam të bëjmë Shengenin tonë shqiptar midis Kosovës dhe Shqipërisë, që fare thjesht mund të realizohej nëse dëshira do të ekzistonte. Firmosja e kësaj pike mund edhe të quhet ekzekutim një herë e mirë i idesë së bashkimit dhe homogjenizimit të faktorit kombëtar shqiptar në Ballkan. Kësaj here, nuk shpëtuam as edhe nga ndarjet. Ujmani është një pararendës i kësaj historie. Paketa ekonomike, infrastruktura dhe e gjithë ajo formë e trumpetuar e shpëtimit ekonomik në terma përfitimesh, më e favorizuar duket se del përsëri Serbia.
Po pse duhet që nevojat dhe ambiciet personale të Trump të ushqehen me historinë e harruar të shqiptarëve? Tani del që Presidnti Trump është emëruar si kandidat për Çmimin Nobel për Paqe të vitit 2021, pikërisht për shkak të normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkauara Arabe, ku edhe lëvizja e fundit me Kosovën, veçse e përforcon këtë kandidaturë.
Historia jonë, gjaku i njerëzve të vrarë, pronat dhe dinjiteti i miliona të shpërngulurve, nuk janë mall për bursën e piedestaleve fallso që ngrihen sa herë që zgjedhjet janë afër. Ka kaq shumë padrejtësi brenda kësaj marrëveshjeje, sa fati i saj pas zgjedhjeve të nëntorit në SH.B.A, duket se do jetë një mosmarrëveshje e re. /tesheshi.com/