Presidenti rus Vladimir Putin e ka përdorur për vite me radhë vartësinë e Europës nga gazi i saj natyror si një armë që ushtron presion në fushën e politikës së jashtme, pa pasur frikë se Bashkimi Europian do t’i përgjigjej një ditë sfidës së tij.
Por iniciativa e Bashkimit Europian në luftën kundër monopolit të Gazpromit, gjigantit të gazit në pronësi të shtetit rus, i dërgon një sinjal të qartë Putinit, se marrëzitë e tij nuk janë më aq të frikshme sa ç’ishin në të kaluarën.
Energjia në Rusi nën ombrellën e Putinit
Mesazhi që dha komisioneri europian për konkurrencën ishte se rregullat e tregut duhet të zbatohen nga të gjithë. Mesazh të cilin Putini e ka shpërfillur për vite të tëra.
Putini gjithmonë bazohej te mjetet ekonomike dhe ligjore për t’i arritur qëllimet politike, si një veçori dalluese e sundimit të tij. Që prej më shumë se një dekadë, Kremlini dëboi Yukos Oil Company, e cila në atë kohë prodhonte 20% të prodhimit të përgjithshëm të naftës së Rusisë, dhe e burgosi për dhjetë vjet themeluesin e saj, Mikhail Khodorkovsky, me anë të disa akuzave të fabrikuara, si, për shembull, evazion tatimor, etj., vetëm e vetëm sepse ai guxoi të kundërshtojë Putinin.
Shumë shpejt hynë në lojë lojtarë të mëdhenj të energjisë nën ombrellën politike të Putinit, çka u mundësoi atyre përdorimin e eksporteve të naftës dhe gazit si shkop për gjeopolitiken e vendit. Vendet e BE-së që nuk i tuteshin ushtarakisht Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s përpiqeshin ndonjëherë t’i ulnin çmimet, apo e ndëshkonin atë për shkak të rritjeve të mëdha të çmimeve, e në raste të tjera.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, konsiderohet si miku më besnik i Putinit në Europë (përkundër dëshirës së kryeministrit grek Aleksis Cipras për ta kapur këtë titull), ndërsa udhëheqësit e Polonisë nuk ndalen së paralajmëruari mundësinë që Rusia të paraqesë edhe një herë kërcënim për kontinentin. Si rezultat i kësaj, Gazpromi e faturonte 260 dollarë në Hungari çdo një mijë metër kub gaz, ndërkohë që Polonia paguante gati dyfish, 526 $, çmimi më i lartë ky në nivel europian.
Polakët kanë paguar një çmim të rëndë, por ata kishin të drejtë në shqetësimet e tyre. Rrëzimi i avionit MH17 të Malaysian Airlines në Ukrainën lindore korrikun e kaluar shfaqi fillimin e fundit të reputacionit të Rusisë si një vend i civilizuar. Gjithashtu, në Londër mbahen seancat gjyqësore për rastin e vrasjes së Aleksandër Litvinenkos, një ish-oficer disident i shërbimit të fshehtë sovjetik (KGB). Në fillim të këtyre procedimeve, avokati i besuar nga familja e Litvinenkos deklaroi se provat të çojnë deri në derën e Putinit.
Ekonomia ruse tashmë është dobësuar nën peshën e sanksioneve perëndimore, të vendosura në përgjigje të aneksimit të Krimesë dhe të sulmeve të vazhdueshme të Kremlinit në lindje të Ukrainës. Prodhimi pritet të tkurret këtë vit me rreth 4%, ashtu siç normat e kreditimit rus janë ulur në shkallën e “rrezikshmërisë së lartë”, ose “shkallës së lartë të kuazi-rrezikut.”
Tani Komisioni Europian po e lufton Putinin me të njëjtat armë, pasi është duke kërkuar ta ndëshkojë Gazpromin për manipulimin e çmimeve të energjisë, duke vënë kështu një hanxhar në zemër të regjimit të tij.
Një sulm ligjor i koordinuar
Për më tepër, padia antimonopol e ngritur nga Bashkimi Europian duket të jetë pjesë e një sulmi ligjor të koordinuar. Në muajin e fundit, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë vendosi që Rusia të paguajë 50 miliard dollarë për mbajtësit e aksioneve të shoqërisë Yukos, të përzënë para një dekade. Ky gjykim ka dërguar në thelb të njëjtin mesazh që jepte padija antimonopol e ngritur kundër Gazpromit nga Komisioni Europian, pra, që rregullat të zbatohen për të gjithë, dhe se pasuria e vjedhur duhet t’u kthehet pronarëve të tyre.
A do ta detyrojë qëndrimi i Europës Putinin t’i nënshtrohet përgjegjshmërisë së veprimeve të tij, me dëshirë ose jo? Ndoshta Bashkimi Europian s’mund të jetë në gjendje që t’ia kthejë Krimenë Ukrainës, por lëvizjet ligjore të tij përfaqësojnë një paralajmërim për Putinin se taktikat e tregimit të muskujve nuk do të funksionojnë gjatë.
Sigurisht, Europa nuk do të jetë në gjendje ta përballojë lehtë rënien me 30% të furnizimit të gazit natyror, nëse Putini e urdhëron Gazpromin që t’i ndalojë punimet atje. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, pasi burimet natyrore përbëjnë 70% të eksporteve të Rusisë; vetëm të ardhurat e Gazpromit përbëjnë të paktën 5% të buxhetit të Rusisë. Gjatë dekadës së fundit, rritja e çmimit të naftës dhe gazit ndikoi në rritjen e PBB-së ruse, gjë që ruajti popullaritetin e Putinit, duke vënë kështu në dispozicion të tij burime të mjaftueshme për të rindërtuar fuqinë ushtarake të Rusisë, e cila shpaloset tashmë në Ukrainë.
Me fjalë të tjera, aftësia e Gazpromit (dhe e qeverisë ruse) për ta përballuar humbjen e tregut europian është më e pakët se aftësia e Europës për t’i bërë ballë ndërprerjes së furnizimeve të gazit rus. Bisedimet e vështira të demonstruara nga ana e Kinës gjatë kërkimit të dëshpëruar të Putinit për t’i zëvendësuar blerësit tregoi shkallën e marrëzisë së kërcënimeve për t’i ndalur eksportet ndaj BE-së.
Çdo ditë e më shumë po afrohet momenti i së vërtetës. Shumë vende në botë kërkojnë ta reduktojnë vartësinë ndaj furnizuesve manipulatorë e të paskrupullt me anë të miratimit të teknologjive të reja, si “fraktimi hidraulik”, apo t’i rrisin blerjet nga vende të tilla si Australia, Norvegjia, Katari, Shtetet e Bashkuara, ku kufizimet në eksportin e burimeve natyrore janë lehtësuar kohët e fundit.
*Dekane e Universitetit New School në Nju Jork, dhe bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Politikave Botërore, në të cilin drejton projektin rus.
Burimi: Syndicate Project