Zgjedhjet e reja lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut u afruan sa hap e mbyll sytë.
Ashtu sikurse shpjegojnë ekspertët vendas, java e parë e fushatës nisi me retorikë plot akuza si dhe fyerje dhe ofendime ndaj oponentëve politikë, shoqëruar edhe me incidente të tjera si vandalizim apo shtënie me armë zjarri gjatë tubimeve.
Megjithatë, realiteti parazgjedhor nuk është totalisht i zi.
Një numër i konsiderueshëm vajzash dhe grash kanë hedhur kandidaturën e tyre për t’i dhënë ngjyra dhe shpresë kësaj fushate, ashtu sikurse vetëm gratë dinë të dhurojnë. Me guxim dhe vendosmëri, këto vajza dhe gra, por edhe shumë të tjera të cilat në mënyrë aktive garojnë në këtë rrugëtim vendimtar për ardhmërinë e vendit, kanë marrë përsipër të mos jenë vetëm kuota. Dhe pavarësisht bindjeve të tyre politike, ato përfaqësojnë zërin e gruas dhe guxojnë të kenë aspirata për ndryshim.
Në listën e ekipit fitues të koalicionit Aleanca Për Shqiptarët dhe Alternativa për Këshillin e Komunës së Gostivarit, nën numrin 18 është Gylsym Koçi, ekonomiste, e cila garon me moton “Pastër”.
Studimet e larta i ka kryer në UT në Fakultetin Ekonomik dega Kontabilitet Financë. Që nga viti 2008 ka udhëhequr biznesin e familjes, pra një ndër libraritë e para të qytetit të Gostivarit. Para dy vitesh u punësua si suflere në Teatrin e Gostivarit (TGV), si një institucion i ri dhe serioz i këtij qytetit të vogël. Njëkohësisht, punon dhe në profesionin e vetë në një zyrë kontabiliteti.
“Ajo çfarë pres unë nga këto zgjedhje është padyshim nje mundesi e re për të dhënë kontribut. Jam e gatshme të jap kontributin tim dhe të angazhohem që të sjell ndryshim me punën time. Edhe ka qen çdo herë përparësi puna komunitare, pasi jam rritur me këtë lloj fryme. Madje, ka qenë amanet i babait tim, që edhe tek guri varrit të shkruanim fjalët e poetitt të famshëm Naim Frashëri: Punë punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë…”
Sevim Veseli Berzati, kandidate për këshilltare e Lëvizjes Besa në Këshillin e Komunës së Tetovës, nën moton “Me ka krejt”.
Sevim, ka lindur në Shkup, është nënë e dy fëmijëve dhe përkrah saj ka një bashkëshort me profesion imam, përndryshe dhe mbështetja e saj më e madhe në jetë sidomos në angazhimin dhe kontributin e saj për shoqërinë. Ajo ka mbaruar studimet në fakultetin Juridik në UT. Ka punuar më parë në këshillin per radiodifusion dhe momentalisht është e punësuar në Ministrin e Kulturës si juriste në sektorin juridik.
Pyetjes se cili është mesazhi për gratë në përgjithësi, por sidomos për ato të përfshira në politikëbërje përgjigjet se “Mesazhi im për të gjitha gratë, sidomos ato të kyçura në politikë, është ky: Fillimi i një rugëtimi të ri frikëson këdo, por pas çdo hapi e kuptojmë se sa i rrezikshëm është qëndrimi në vend. Ky vend ka nevojë për ne dhe angazhimin tonë sot më shumë se kurrë”
Merita Saiti ka përfunduar Shkenca Politike pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) si studente e dalluar, në të njëjtën kohë ka ndjekur studimet edhe për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në UT. Ajo ka vazhduar më pas studimet Master në Diplomaci me mesatare maksimale 10. Merita tani është duke punuar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si bashkëpunëtore e re për ndihmë në procesin e integrimit të RMV në Bashkimin Evropian.
E pyetur se si lindi dëshira për të kandiduar ajo shpjegon se si studiuese e Shkencave Politike pa mëdyshje që interesimi i saj do të anonte në këtë fushë, por jo vetëm:
“Politika do të jetë më shumë se sa thjesht një terren studimi, përfshirja emocionale për të dhënë kontribut në përmirësimin dhe ngritjen e vetëdijes politike tek qytetarët, do të jenë elemente shumë të forta që do të më shtyjnë drejt angazhimit serioz. Mënyra se si e shohë unë veprimtarinë politike nuk do të përkon dhe pëputhet me atë se si e zhvillojnë partitë ekzistuese.”
“Më mirë për Tetovën”, kjo nismë e cila ka bashkuar njerëz profesionist, personalitete, figura që e kanë dëshmuar me punë dashurinë ndaj vendit, tërheqi interesin tim. Për herë të parë në qytetin tonë lindi diçka e zhveshur plotësisht nga interesi personal, dhe kjo më bëri të shpresojë shumë, të shpresojë që gjërat mund të marrin një trajtë tjetër.” u shpreh ajo.
Por çfarë shpreson vetë Merita nga këto zgjedhje? Ajo sqaron se qëllimi dhe synimi i saj kryesor nuk është pozita politike, por që të arrijë të kontribojë në të mirën e qytetit dhe qytetarëve të saj.
“Pavarësisht se si do të dalin rezultatet, mund të them se e kam arritur qëllimin tim sepse “Më mirë për Tetovën” ka depërtuar në rrethe të gjëra, duke bërë kështu që njerëzit të dijnë vlerën e tyre politike dhe se ata dhe vetëm ata mund të diktojnë rrjedhën e një vendi dhe jo grupet e ndryshme të interesit.
Përfshirja ime në politikë njëherit dëshmon dëshirën dhe nevojën e përshirjes së grave në këtë fushë dhe zhdukjen njëherë e përgjithmonë të paragjykimeve. Uroj që kjo të jetë një rrugë e shtruar për ato që do të vijnë më pas, në këto zgjedhje pres që të ndryshojmë mendësinë politike se partitë janë të paprekshme duke e dëshmuar këtë edhe me votë”, shton ajo.
Nurten Beqiri, me profesion mjeke dhe në moshë shumë të re, është kandidatja për LSDM në Komunën e Haraçinës nën moton “Më e mira për Komunën time”.
Ndërsa partia Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje lokale do të garojë me 35 lista për këshilltarë dhe 19 kandidat për kryetar komune, 6 prej të cilave (Strugë, Çair, Shuto Orizare, Manastir, Mavrovë dhe Kumanovë) bartëse të Listave për në Këshillin komunal janë gra, ku ndër to edhe Imrane Ramadani Morina, asistente pedagoge. /tesheshi.com/