Në Perëndim, imazhi i zakonshëm i një femre myslimane është stereotipi i një gruaje të fshehur prapa një vello, një figurë e heshtur, e shtypur, e pa arsimuar, pa zë dhe pa të drejta.
Megjithëse, në përgjithësi, politikat perëndimore shfaqen të mëshirshme ndaj femrës myslimane duke e trajtuar atë si objekt të shtypjes, femrat myslimane dukshëm mbartin mbi vete peshën e ndjenjës anti-islame që ekziston në Perëndim.
Si rezultat, ato vazhdojnë të përballen me shumë sfida dhe vështirësi kur bëhet fjalë për ushtrimin e besimit të tyre dhe integrimin në këto vende.
Ekziston një supozim se femrat myslimane janë të shtypura dhe në shumë raste të paarsimuara, për shkak të mbulesës.
Megjithatë, historia na tregon të kundërtën e realitetit të sotëm. Universiteti më i vjetër në botë, i quajtur Universiteti i Kajrauinëve, u themelua në shekullin e 9-të nga Fatime El-Fihrije e njohur ndryshe si Umul Benin, një femër myslimane. Profesorët që jepnin mësim aty ishin nga më të aftët dhe fitonin të drejtën e mësimdhënies vetëm pasi të kishin marrë rekomandime nga një sërë dijetarësh. Gjithashtu, universiteti kishte dhe një bibliotekë e cila ndodhej në hyrjen e tij. Ajo ishte e pajisur me të gjitha librat e nevojshëm.
Ndërkohë, po të kapërcejmë shkallët e historisë dhe të ndalemi në shekullin e njëzetë, përhapja e kombinuar e shkrim-leximit; disponueshmëria dhe promovimi i edukimit publik për vajzat dhe djemtë; zgjerimi i mundësive për punë për gratë dhe rritja e numrit të konvertimeve në Islam nga besimet e tjera tradicionale, veçanërisht në Perëndim, kanë shtuar dëshirën e grave myslimane për fuqizim më të madh në praktikën dhe interpretimin e besimit të tyre.
Ashtu si në fushat e tjera të jetës, gratë myslimane kanë provuar se jenë të afta, krijuese dhe të përkushtuara për të mbajtur mbi vete përgjegjësinë për jetën dhe besimin e tyre, si individualisht ashtu edhe në mënyrë kolektive. Kjo është përkundër sfidave me të cilat ato hasen shpesh në përpjekjen për të patur qasjen e nevojshme në studimet dhe trajnimet fetare dhe në fitimin e besueshmërisë së institucioneve fetare, veçanërisht të konservatorëve. Sot gratë myslimane janë aktive në fushën e studimit të Kur’anit, aktiviteteve të zhvilluara në xhami e më gjerë, shërbimeve për komunitetin të sponsorizuara nga organizatat fetare dhe jo vetëm dhe të edukimit islam, si studente dhe mësuese. Ka një numër në rritje të lexueseve të Kur’anit, avokateve, juristeve islame dhe profesoreve të studimeve islame në të gjithë botën. Gratë janë gjithnjë e më shumë të pranishme në pozita shumë të dukshme me rëndësi fetare, megjithëse deri më sot, pak kanë poste të rëndësishme në institucionet fetare islame dhe askush nuk ka arritur pozita të larta në to.
- Sfida brenda komunitetit mysliman
Kjo përbën një shqetësim të brendshëm në Islam dhe tregon se brenda vetë Islamit ka probleme në trajtimin e barazisë gjinore. Edhe pse në Kur’an barazia gjinore në të drejta, detyrime dhe përgjegjësi është e dukshme si p.sh në suren Al Ahzab, ajeti 35 ku thuhet:- “Nuk ka dyshim se për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadaka dhënësit dhe sadaka dhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”, në praktikë, historikisht, interpretimi i Islamit ka qenë kryesisht një përpjekje mashkullore.
Edhe pse e konvertuara e parë në Islam ishte një grua, bashkëshortja e Profetit Muhammedit s.a.a.s, Hatixhja r.a dhe gratë luajtën një rol të rëndësishëm në transmetimin e hadithit (thëniet dhe veprat e profetit Muhamed) dhe zhvillimin e sufizmit, gratë përgjithësisht janë margjinalizuar nga përqëndrimi tek meshkujt në interpretimet islame duke përfshirë edhe interpretimin e ligjeve dhe rolin udhëheqës në Islam.
- Pabarazia gjinore brenda familjes dhe komunitetit
E megjithatë, pabarazia gjinore që vihet re brenda shoqërisë Islame ka baza shumë më të thella se sa vendi i punës dhe pozicioni udhëheqës në publik. Tek myslimanët vihet re një tendencë përzierje e jurisprudencës Islame me traditën e vendit të origjinës, gjë që çon në keqinterpretimin dhe keqpraktikimin e Islamit. Kjo ka bërë që brenda praktikës së shoqërisë Islame gruaja shpesh të trajtohet si individ i dorës së dytë, paçka faktit se sot është gruaja ajo që, faktikisht, mban mbi supe peshën më të madhe në familje, si në rritjen dhe edukimin e fëmijëve ashtu dhe në furnizimin e familjes, në edukim e më gjerë.
Ndërkohë, shumë meshkuj konservatorë dhe jo vetëm, të origjinës Islame, shqafen të mefshët, kanë frikë dhe janë të papërgjegjshëm për të mbajtur mbi vete përgjegjësitë e familjes dhe fëmijëve, në trajtimin e gruas si të barabartë me të, në zbatimin e saktë dhe të drejtë të dispozitave Islame në drejtim të familjes dhe veçanërisht të bashkëshortes.
Edhe pse Profeti Muhammed s.a.a.s në hutben e lamtumirës porosit: – “Gratë tuaja ju janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit!”, në praktikë duket qartazi se shumë burra e kanë humbur kuptueshmërinë e fjalës “besimdrejtë”. Në vend të praktikimit të drejtë të Islamit ata zbatojnë traditat e vendit nga vijnë, zhyten në konservatorizmin e tyre duke u bërë kështu një barrë më shumë për femrën dhe duke vënë mbi supet e saj përgjegjësitë që i takojnë mashkullit.
- Përballja me mënyrën e thirrjes në fe
Ndërkohë, shumica e thirrësve në fe, të cilët vazhdojnë të jenë burra, mbi supet e të cilëve rëndon interpretimi i drejtë i Islamit, nuk arrijnë të bëjnë lidhjen e realitetit bashkëkohor ku jeton femra myslimane sot, me dispozitat Islame. Ata thërrasin në fe, në Perëndim, në të njëjtën mënyrë si në qytetin apo fshatin e tyre të origjinës dhe nuk marrin parasysh kushtet social-shoqërore në Perëndim. Në predikimet e tyre ata kërkojnë nga femrat të sillen dhe të veprojë njëjtë si në rastin kur ato janë kujdestare me kohë të plotë të shtëpisë, fëmijës, bashkëshortit dhe familjes, ashtu edhe në rastin kur ato janë pjesë aktive e jetës sociale, kur janë në marrëdhënie pune apo arsimohen. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata nuk bëjnë tjetër veçse shtojnë mbi supet e femrës peshën e përgjegjësive duke i minimizuar përgjegjësitë e burrit vetëm në furnizimin e familjes me të ardhura monetare, punë të cilën shpesh bashkëshortja e bën të barabartë me burrin. Ajo femër e cila punon brenda dhe jashtë familjes nuk mund ta presë burrin në shtëpi me buzë në gaz dhe e veshur nga koka tek këmbët, siç këshillojnë thirrësit në fe, për faktin e thjeshtë se kur ajo arrin në shtëpi, pas një ditë të gjatë dhe të lodhëshme në punë, është bashkëshorti ai që ia hap asaj derën dhe jo e kundërta.
Kjo tregon se, myslimanët para se të kërkojnë zgjidhjen e problemeve të jashtme duhet të punojnë, brenda fesë, për të bërë ndarjen e Islamit nga konceptet e traditës dhe patriarkalizmit.
- Përballja me diskriminimin dhe dhunën
E ndodhur para problemeve të brendëshme në Islam, brenda familjes së saj dhe, e përballur me Islamofobinë globale të kohës (urrejtjen ndaj islamit), femrat myslimane po luftojnë për të drejtat e tyre njerëzore në mbarë botën. Ato po përballen me diskriminim dhe dhunën si në vendet Islame ashtu dhe në ata jo-islame. Kjo luftë shpesh lidhet me detyrën për t’u veshur si femër myslimane dhe për të mbuluar kokën dhe tërë trupin.
- Përballja me islamofobinë
Raportet e fundit nga organizata “Amnesty International” dhe “Organizata e Bashkëpunimit Islamik” tregojnë se myslimanët janë viktima të përherëshme në Perëndim. Sot, përhapja e islamofobisë në shoqëritë perëndimore është një shqetësim global në rritje. Megjithatë, femrat myslimane përballen ndoshta me sfidat më të mëdha të popullsisë myslimane, për shkak të shtresave të shumta të diskriminimit të rrënjosura në religjion, barazi gjinore dhe migracion.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 (9/11) në Neë York City, në Perëndim u shfaq një retorikë dhe klimë politike e cila u dominua nga “lufta kundër terrorit“. Për myslimanët që jetojnë në Perëndim, 11 shatori ishte i rëndësishëm si në pikpamjen sociale ashtu dhe atë politike, pasi globalisht, ekziston një tendencë e vazhdueshme për të lidhur sulmet terroriste me Islamin.
Pas ngjarjeve në Paris më 13 nëntor 2015, mediat si “Al Jazeera”, “The Ëashington Post”, “Korporata Britanike e Transmetimeve” dhe “The Guardian” raportuan se numri i krimeve të urrejtjes ndaj myslimanëve ka arritur shifra tepër të larta, veçanërisht në Francë dhe Britani. Sipas raporteve të këtyre mediave, shumica e viktimave janë “dukshmërisht” femra myslimane, veçanërisht ato që mbajnë mbulesë.
- Sfida e mbulesës
Kjo mund të shpjegohet pjesërisht përmes imazhit të dyfishtë të femrave myslimane, të cilat shfaqen sot në publikun perëndimor. Nga njëra anë, mbulesa e femrave shihet si një simbol i diskutueshëm në Perëndim, i cili thekson dallimet dhe ndarjet mes “vlerave” perëndimore dhe islame – një shenjë e “prapambetjes” Islame që është në konflikt me Perëndimin “progresiv”. Nga ana tjetër, format e ndryshme të mbulesës, duke filluar nga Hixhabi, Nikabi dhe Burka, dhe që përfaqësojnë Islamin –sipas perëndimorëve, përbëjnë një kërcënim të perceptuar për Perëndimin që prej një kohe të gjatë.
Të revoltuara nga gjithë sa ndodh, shumë të reja myslimane, në Perëndim, kanë zgjedhur t’a tregojnë besimin sipas mënyrës së tyre. Ndërsa nënat e tyre nuk mbajnë mbulesë, ka shumë të reja që po veshin mbulesën Islame si një deklaratë politike dhe një shenjë e identitetit të tyre të sapoformuar, për t’ju kundërvënë kështu përpjekjeve të perëndimorëve për të akuzuar Islamin si rrënjën e problemit në përplajen e kulturave ndërmjet Islamit dhe Perëndimit.
- Sfida politike
Rrjedhimisht, mbulesat siç janë hixhabi dhe burka, gjithnjë e më shumë kanë qenë, qëllimisht, subjekt i debateve politike, shqetësimeve të sigurisë dhe mbulimit mediatik. Në këtë diskutim politik, femrat myslimane i nënshtrohen rregullimit dhe veprimeve politike brenda shoqërive perëndimore në emër të sigurisë kombëtare, ruajtjes së identiteteve kombëtare dhe barazisë gjinore (për shembull, Franca ndalon përdorimin e burkës ose nikabit në hapësira publike).
Kjo që po ndodh të krijon përshtypjen se, ekziston një konsensus global i fshehur si një nevojë kritike për të rregulluar veshjen dhe trupat e femrave myslimane, ose për shkak se këto femra nuk janë në gjendje të dallojnë atë që është e mirë për veten e tyre, ose për shkak se ato janë disi të traumatizuara dhe nuk mund të shohin vuajtjet e tyre.
Shkurtimisht, këto politika mohojnë aftësinë e femrës myslimane për të menduar dhe për të vepruar në mënyrë të pavarur.
- Diskursi/debatet meditike
Mediat janë një nga përcaktuesit më të fuqishëm të opinionit publik botëror. Disa studime akademike tregojnë se mediat perëndimore forcojnë fuqimisht një pikëpamje hegjemone ndaj femrave myslimane. Nga njëra anë, në media mbizotëron ideja se gjendja e myslimaneve sot lidhet me shtypjen dhe pasivitetin. Nga ana tjetër, mediat rregullisht shprehin shqetësime rreth mbulesës si shenjë kulturoro-fetare që nuk përputhet me “vlerat” dhe “normat” e botës perëndimore. Në të njëjtën kohë, mediat debatojnë dhe i lidhin ngjarjet aktuale me shqetësimet dhe diskutimet rreth integrimit të pakicave myslimane në Perëndim.
Sidoqoftë, jo të gjitha mediat e trajtojnë mbulesën në kontekste negative. Në vend të kësaj ato përdorin aftësinë dhe fuqinë e tyre për të përshkruar imazhe që pasqyrojnë realitete që lidhen me jetën e femrave myslimane. Ekzistojnë disa degë që u japin zë myslimaneve dhe një hapësirë për të shpjeguar zgjedhjet e tyre dhe ndjenjat pozitive në veshjen e mbulesës apo edhe të burkës. Artikujt e fundit në “The Guardian” dhe “Aljazeera” janë shembuj të këtij qëndrimi.
- Përplasja e kulturave
Kultura popullore perëndimore e sheh mbulesën si diçka të rrënjosur në kulturën “patriarkale” të Islamit, e cila gjatë shekujve ka synuar t’i privojë gratë nga të drejtat themelore të njeriut, siç është e drejta për të vendosur për trupin e saj. Prandaj, gratë myslimane konsiderohen si “të shtypura” dhe të nënshtruara, të cilat duhet të “ndriçohen” dhe “të shpëtohen”. Në këtë rast, perëndimorët dënojnë fejnë Islame si shkak për mohimin e lirisë së femrave në shumë aspekte, për shembull lirinë e veshjes dhe të lëvizjes.
Edhe pse shoqëritë perëndimore janë në krizë të thellë për shkak të fenomeneve negative që i kanë tronditur këto shoqëri të tilla si droga, prostitucioni, alkolizmi, kriza e familjes etj., sulmi mbi femrat myslimane është gjithnjë në rritje.
Ndërsa emigrantët nga vendet myslimane vazhdojnë të vendosen në Evropë, qeveritë po fillojnë të vënë në pikëpyetje nocionin e multikulturalizmit, modelin e emigracionit që ka mbizotëruar për dekada në pjesën më të madhe të kontinentit.
Ky model shpesh ka çuar në krijimin e shoqërive paralele të ndara, të cilat kanë injoruar njëra-tjetrën si dhe në krijimin e një nënklase të madhe myslimane.
Avokatja berlineze Seyran Ates, një aktiviste e të drejtave të grave turko-gjermane thotë se në Evropë “ekzistojnë dy shoqëri me dy sisteme të vlerave të ndryshme që jetojnë krah për krah, por të ndara nga njëra-tjetra”.
- Kurikulat arsimore
Zyrtarët në Evropë tani po fillojnë të përqëndrohen në statusin e femrave; ekziston një besim në rritje se fuqizimi i femrave është një faktor kyç për të ndihmuar komunitetet e tyre të integrohen në shoqërinë e vendit. Por, në të njëjtën kohë, pjesa dërmuese e rinisë myslimane (femra dhe meshkuj) edukohen në shkolla me kulturë laike evropiane, gjë që bën që ata të largohen shumë nga traditat dhe familjet e tyre – një dilemë kjo që shpesh çon në vetmi dhe tjetërsim. Të përfshirë në shkolla me kurukula arsimore që çojnë në kahe të kundërta nga edukimi Islam dhe të përballur në shtëpi me traditën familjare, ku të pakët janë ata prindër që arrijnë të bëjnë dallimin ndërmjet udhëzimeve Islame dhe traditës e zakoneve të vendit të origjinës, brezi i ri i lindur në emigracion ndodhet në udhëkryq dhe ndihet totalisht i çorientuar.
Ndërkohë, ata të pakët që kanë mundësi të ndjekin një arsim me kurikula arsimore Islame, ndihen të huaj në shoqëri pasi arsimi i ofruar në shkollat Islame, në perëndim, shpesh përcillet sipas koncepteve tradicionale të vendit të origjinës duke bërë kështu shkëputjen e nxënësit nga realiteti ku jeton.
Si rezultat, mund të themi se brezi i ri i myslimanëve tëhiqet nga kahe të kundërta pa ditur si të veprojë dhe cilën udhë të zgjedhë; atë të familjes e cila e drejton drejt Islamit por që nuk ia qartëson dot atë dhe nuk e bën të ndihet komod në fe, apo atë të shoqërisë e cila përdor metoda nga më të sofistukuarat për ta tërhequr drejt asaj rruge që ka projektuar për të dhe që është shumë larg Islamit.
- Sfida e punësimit
Një tjetër sfidë më të cilën përballën myslimanët në përëndim është punësimi. Sipas një raporti të parlamentit Britanik të përpiluar më 2017, myslimanët e Britanisë vuajnë disadvantazhin më të madh ekonomik krahasuar me grupet e tjera të popullsisë. Shkalla e papunësisë ndër myslimnët është mbi dy herë më e madhe se ajo e përqindjes së përgjithëshme të pjesës tjetër të popullsisë (12.8% krahasuar me 5.4%) ndërkohë që 41% e myslimanëve janë ekonomikisht inaktivë krahasuar me 21.8% të pjesës tjetër të popullsisë.
Sipas raportit të Parlamentit Britanik, arsyet e kësaj gjendje janë të ndryshme, ato përfshijnë; diskriminimin dhe islamofobinë, stereotipet, presionin e familjeve tradicionale që ndalojnë veçanërisht femrat nga edukimi dhe punësimi, mungesën e këshillave të domosdoshme në përzgjedhjen e arsimit të lartë dhe mungesën e modeleve për t’u marrë si shembull për edukimin dhe punësimin.
Përveç faktorëve që u përmendën më lart, migrimi nga një vend në një vend tjetër, i detyron emigrantët e brezit të parë, të përballen me papunësinë ose punësimin në nivele më të ulta, të papërshtatëshme për përgatitjen e tyre arsimore dhe profesionale. Atyre ju duhet të bëjnë shumë hapa pas, paçka eksperiencës profesionale që mbartin me vete. Kjo rrit zemërimin brenda tyre, pasi ata nuk e gjejnë veten në vendin ku janë vendosur për të vazhduar jetën e tyre, fakt ky që bën që ata të ndihen të paintegruar në shoqëri.
- Sfida e martesës
Martesa është një tjetër sfidë me të cilën përballen femrat e origjinës myslimane si dhe ato të konvertuara në Islam. Duke qenë se martesa është gjysma e fesë e nuk duhet vonuar dhe, njëkohësisht është edhe burimi i stabilitetit në jetë, i respektit dhe dashurisë reciproke, njeriu përpiqet të gjejë në jetë shokun apo shoqen që i përshtatet nivelit social, arsimor dhe ideor të tij.
Por për femrat myslimane në përgjithësi dhe për femrat e konvertuara në veçanti, martesa nuk është aspak diçka e thjeshtë. Si do t’a gjejë dikë të përshtatshëm në jetë? Edhe nëse e gjen një person potencialisht të pranueshëm si do të mund të përshtatet me dallimet kulturore? Kur një femre të arsimuar myslimane të origjinës apo të konvertuar, i flitet për martesë ajo natyrshëm do të pyesë: – “Me cilin do të martohem që të mund të kuptojë dijet dhe botëkuptimin tim”? Kjo, pasi meshkujt myslimanë praktikantë, të arsimuar dhe të integruar, nuk janë aq me shumicë sa mendojmë. Kjo bën të rekomandohet me urgjencë arsimimi i meshkujve gjithashtu.
Si pasojë e këtyre faktorëve dhe të atyre që thamë më lart, mbi mënyrën e trajtimit të femrës nga bashkëshorti, të mungesës së përgjegjësisë nga ana e burrit dhe hedhjen e kësaj barre mbi supet e gruas, lindin divergjenca të cilat kapërcehen me vështirësi ose nuk arrijnë të kapërcehen, gjë që po çon në një rritje të frikëshme të numrit të divorceve ndërmjet myslimanëve.
- Rekomandime
Duke përfunduar mund të thuhet se, myslimanët në përgjithësi dhe femrat myslimane në veçanti përballen me sfida nga më të ndryshmet në vendet e origjinës dhe në vendet ku migrojnë.
Sipas Peë Research Centre, Islami nuk është vetëm feja e dytë më e madhe në botë, pas krishterimit, por popullsia myslimane është gjithashtu grupi më i madh fetar në rritje. Ky studim vlerëson se popullsia globale myslimane do të rritet nga 1.6 miliardë në vitin 2010 në rreth 2.8 miliardë në vitin 2050. Bazuar në parashikimet e kësaj Qendre, popullsia myslimane në Evropë do të rritet nga rreth 43 milion në vitin 2010 në gati 71 milionë në vitin 2050 për shkak të disa faktorëve duke përfshirë strukturën e moshës, migracionin dhe normat e larta të fertilitetit të myslimanëve të rinj.
Lind pyetja: -Me këtë rritje në popullsinë myslimane, si do të ndryshojë paragjykimi dhe krimet e urrejtjes ndaj myslimanëve në Evropë?
Ndryshimi i sjelljes, diskriminimit, paragjykimeve dhe islamofobisë që nxiten nga perëndimi kundër Islamit dhe myslimanëve janë pika e nisjes në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Islamit dhe Perëndimit.
Politika dhe media duhet të gjejnë rrugët dhe mënyrat për uljen e tensioneve dy palëshe dhe zvogëlimin e ndryshimeve ndërmjet kulturave. Për të arritur këtë nuk është nevoja të kemi një numër më të madh politikanësh, diplomatësh e gazetarësh që merren në këtë fenomen por duhet që politikanët, diplomatët dhe gazetarët ta njohin Islamin dhe ta kuptojnë atë drejt.
Arsimimi i të dy gjinive është një tjetër hallkë kyçe për inicimin e zgjidhjes së problemit. Nuk mjafton të kryesh një punë krahu për të siguruar ushqimin e përditshëm të familjes, por duhen bërë të gjitha përpjekjet për ngritjen arsimore dhe kulturore të të dy gjinive. Vetëm kështu do të mund të ndërtojmë një Islam bashkëkohor dhe të suksesshëm i cili të mund të përballet me sfidat e kohës dhe të tregojë vlerat e vërteta por, të keqkuptuara, në Perëndim dhe jo vetëm.
Luftimi i patrialkalizmit dhe ndarja e zakonit dhe traditës nga legjislacioni Islam është një tjetër fushë në të cilën duhen bërë përpjekje të mëdha. Islami është i vjetër sa vetë bota dhe do të vazhdojë të jetë në këtë tokë deri në fund të jetës së shoqërisë njerëzore. Nisur nga ky këndvështrim nuk ka Islam të ri e Islam të vjetër, nuk ka Islam përparimtar dhe të prapambetur, tolerant apo terrorist. Islami ka vlera të pakundërshtueshme civilizimi por që dijetarët, studiuesit dhe thirrësit në fe, duhet të dinë dhe të ndërgjegjëshen për të arritur qartësimin dhe lidhjen e dispozitave fetare me realitetin bashkëkohor si dhe të mundësohet rritja e rolit të femrave në interpretimin bashkëkohor të Islamit.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, është fakti se kuptimi i lirisë dhe i një jete më të mirë ndryshon nga individi tek individi dhe nga kultura në kulturë. Për të zvogëluar konfliktet në shoqëri, hapi më i rëndësishëm dhe ndoshta më i vështirë është të zhvillohet mirëkuptimi dhe pranimi i ndryshimeve individuale dhe kulturore. Neni 4 i Deklaratës së OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit Bazuar në Religjion ose Besim shprehimisht përcakton: “Shtetet duhet të marrin masa efektive për të parandaluar dhe eliminuar diskriminimin në bazë të fesë ose besimit …”.
Në këtë dritë, qeveritë dhe mediat duhet të luajnë rol vendimtar përmes edukimit dhe tolerances për të nxitur pranimin dhe mirëkuptimin reciprok të rritjes së diversitetit në shoqëritë perëndimore.
Marrë nga: Dituria Islame, numër 345-346
*Autorja banon në Londër