Kur sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry doli në Kombet e Bashkuara për të denoncuar sulmin ajror mbi një autokolonë ndihmash që ishte drejtuar për në qytetin sirian të Aleppos, presidenti Obama ishte në hotelin e tij në Manhattan, duke u përgatitur për një ditë diplomatike që përfshinte Afrikën, Izraelin dhe Kolumbinë, por dukshëm jo Sirinë.
Ishte një nga qasjet e distancuara të presidentit që ai ka marrë ndaj konfliktit në Siri, në skenën botërore gjatë javëve të fundit. Në një samit në Kinë, këtë muaj, ai taktikisht shmangu negociimin e armëpushimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke ia lënë diplomacinë Kerrit dhe homologut të tij rus, Lavrov. Në Kombet e Bashkuara, ai rrallë e përmendi Sirinë në një adresim lamtumire me spektër të gjerë që bëri në Asamblenë e Përgjithshme.
Distancimi publik i Obamës, këmbëngulin zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, nuk reflekton mungesën e shqetësimit. Përkundrazi, ata thonë se presidenti është i dëshpëruar në pritje të negociimit të një marrëveshjeje të pranueshme nga ana e Kerrit me Rusinë që do të ndalonte bombardimin e vazhdueshëm të civilëve në Aleppo apo gjetkë në Siri – por vetëm pasi ai nuk sheh një plan B të mundshëm për të ndaluar masakrat.
Por, ndërsa presidenca Obama hyn në muajt e fundit, negociatat me Rusinë janë shndërruar në një përpjekje bajate, duke e lënë presidentin që prej kohësh ka shmangur një kokolepsje ushtarake në Siri, në mbështetje të një politike që ai vetë beson se është e destinuar të dështojë.
Këtë javë, frustrimi i tij doli edhe në public. Situata në Siri “më përndjek vazhdimisht”, tha presidenti në një intervistë me historianen Doris Kearns Goodwin, publikuar në “Vanity Fair”.
Në një përzierje çiltërsie dhe qasje mbrojtëse, Obama tha se i kishte dalë fjala për Sirinë më shumë sesa mbi çdo çështje tjetër të presidencicës së tij. Ai përsëriti refuzimin ndaj kritikëve që thonë se ai duhet të kishte armatosur kryengritësit shumë më herët në konflikt apo të kishte zbatuar kërcënimin për veprime ushtarake ndaj qeverisë së Bashar al-Assad pasi ky i fundit sulmoi me gaz civilët në vitin 2013. Por ai pranoi se mund të ketë pasur probleme me vizionin e përgjigjes ndaj konfliktit.
“Pyes veten, a ka pasur ndonjë gjë që nuk e kam menduar”, tha presidenti për historianen. “A ka pasur ndonjë lëvizje që ka qenë përtej asaj që më është paraqitur e që ndoshta një Çurçill mund ta kishte menduar, apo një Eisenhower mund ta kishte bërë të funksiononte?”.
Ndërsa Obama ka mbështetur diplomacinë e Kerrit – madje edhe kur ka pasur kundërshti nga Pentagoni – ai nuk ka dëshiruar të përfshihet në të. Kur Kerry takoi ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në grupin e G20 në samitin e Kinës, më 4 shtator, të dy u afruan shumë pranë një marrëveshjeje armëpushimi.
Zyrtarët amerikanë dyshonin se rusët po e zvarrisnin marrëveshjen, kështu që pakti do të ishte mirë të vulosej ditën tjetër në një takim midis Obamës dhe Putinit.
Pas 90 minutash, një Obamë fytyrngrysur doli nga takimi për të thënë: “duke pasur parasysh boshllëqet e besimit që ekzistojnë, janë negociata të vështira, dhe ne nuk i kemi puthitur qëndrimet në një mënyrë që të mendojmë se mund të funksionojë”.
Ai instruktoi Kerrin të vijonte bisedimet me Lavrovin, dhe të dy pas pesë ditësh në Gjenevë përfunduan marrëveshjen. Obama, thanë ndihmësit e tij, ishte i vendosur të mos i jepte Putinit një platform për të deklaruars e Rusia po punonte krah për krah me Shtetet e Bashkuara në Siri, sidomos pasi ai nuk besonte se rusët do t’u bindeshin kushteve të marrëveshjes.
“Presidenti nuk ishte i përgatitur t’u ofronte rusëve atë që ata dëshironin më shumë- shfaqjen simbolike të bashkëpunimit amerikan – derisa rusët të zbatonin pjesën e tyre”, tha sekretari i Shtëpisë së Bardhë për shtypin, Josh Earnest.
Skepticizmi i Obamës u duk i justifikuar kur autokolona e ndihmave u godit nga avionët ushtarakë që zyrtarët amerikanë besojnë se ishin rusë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë reaguan ashpër.
Sërish, megjithatë, Obama ia la Kerrit qasjen ndaj Lavrovit në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Shkalla në të cilën ai e përmendi Sirinë në Asamblenë e Përgjithshme, ishte kryesisht në fushën humanitare. Në takimin me liderët e tjerë të botës për krizën e refugjatëve, Obama lexoi një letër të një gjashtëvjeçari nga Scardale që i kishte shkruar për t’i ofruar shtëpi e familje Omran Daqneesh-it, pesëvjeçarit sirian nga Aleppo i cili u fotografua në autoambulancë mbuluar nga pluhuri dhe gjaku, pasi kishte shpëtuar nga një sulm ajror.
Shtëpia e Bardhë e regjistroi djalin duke lexuar me zë të lartë letrën dhe videoja bëri xhiron e mediave sociale.
Betejat e Obamës për Sirinë janë në pjesën më të madhe të dukshme kur ai përpiqet të përmbledhë trashëgiminë në politikën e jashtme. Në fjalimine tij në Asamblenë e Përgjithshme, për shembull, presidenti citoi nisjen e bisedimeve me Kubën dhe Majnmarin, sikundër edhe marrëveshjen bërthamore me Iranin aop marrëveshjen e Parisit për klimën, për të cilat ai tha se ishin shembull për bashkëpunimin global. Por kur iu referua Sirisë, Obama foli më shumë për sforcimet sesa për mundësitë.
“Nëse jemi të ndershëm, ne e kuptojmë se asnjë fuqi e jashtme nuk do të jetë në gjendje të detyrojë komunitetet e ndryshme fetare apo etnike të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë”, tha ai, duke iu referuar konflikteve sektariane në Siri. “Unë besoj se na duhet të jemi të ndershëm për natyrën e këtyre konflikteve”.
Obama nuk bëri referim direkt për negociatat me rusët, duke thënë vetëm se: “në një vend si Siria, ku nuk ka asnjë fitore të fundme ushtarake për të arritur, ne na duhet të ndjekim punën e vështirë të diplomacisë që synon të ndalë dhunën, dhe të dërgojë ndihma pë rata në nevojë”.
Disa ish zyrtarë të administratës thanë se e kuptojnë përse Obama po mban këtë distancë nga çështja.
“Sinqerisht, kam dyshime nëse angazhimi i Obamës në diplomacinë për Sirinë do të ishte shumë ndihmë”, tha Robert S. Ford, një ish-ambasador amerikan në Damask, që tani është pjesë e Institutit për Lindjen e Mesme. “Ashtu si Kerri, Obama nuk do ta kishte shumë nën kontroll sistemin e levave që përdoret nga një politikan i fortë si Putin, të paktën derisa të angazhonte në luftën e Sirisë element të rinj – jo verbalë – e që të vendoste nën presion aleancën Assad-Rusi-Iran”.
Dennis B. Ross,ish-koordinator për politikën e Lindjes së Mesme në këshillin kombëtar të Sigurisë, thotë se dilema e Obamës shkon pas deri në ditët më të hershme të përgjigjes ndaj konfliktit në Siri, kur ai e shikonte atë si një moçalishte sektariane të ngjashme me atë në Irakun fqinj. Ndërsa lufta në terren vijoi dhe opozita u bë më islamiste, opcionet e Obamës u ngushtuan.
Tani, thotë Ross, presidenti ka pak stimuj për të thënë ndonjë gjë. “Ai e di se çdo gjë që thotë ose kërkon prej tij veprim të ashpër, – që ai nuk do e bëjë – ose e bën të duket i dobët dhe jo efektiv për çështjen që do të përndjekë trashëgiminë e tij”.
* Mark Landler është korrespondent nga Shtëpia e Bardhë dhe ka punuar për “New York Times” që nga viti 1995.