Së fundmi, një grup anëtarësh të Dumës ruse apeloi për refuzimin e të ashtuquajturit Traktat të Vëllazërisë të vitit 1921 midis Rusisë dhe Turqisë. Kjo lëvizje pason një seri përballjesh midis Turqisë dhe Rusisë përgjatë kufijve të vjetër të perandorive osmane e asaj ruse.
Ndërsa Duma ma gjasa do ta refuzojë kërkesën për shfuqizimin e traktatit, ky episod ofron një mënyrë më të thellë të të kuptuarit për mentalitetin që është mbizotërues sa i takon Turqisë mes elitës politike të Rusisë.
Nën shtresën e tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, Kaukazi jugor dhe Ballkani çon në zierje tensionin midis Rusisë dhe Turqisë prej shekujsh.
Kur avioni luftarak rus u qëllua nëntorin e kaluar nga Turqia pasi kishte kaluar ilegalisht në hapësirën ajrore turke, shumë komentatorë folën për një konfrontim të ri midis Turqisë dhe Rusisë.
Sidoqoftë, për ata që ndjekin ato që ndodhin në rajon, nuk kishte asgjë “të re” në gjithë këtë.
Rusia dhe Turqia kanë garuar me njëra-tjetrën për ndikim në rajon. Që nga shekulli i 16-të Turqia (në atë kohë perandoria Osmane) dhe Rusia kanë qenë në luftë të paktën 12 herë –nëntë prej të cilave kanë lidhje me gadishullin e Krimesë.
Ndërhyrja më e fundit ushtarake e Rusisë në Siri nuk është e para. Në vitin 1772, Rusia zbarkoi trupa në Levantin sirian për të mbështetur një të pushtetshëm lokal kundër perandorisë Osmane.
Në vitin 1879, forcat ruse arritën në afërsi të Kostandinopojës, deri në atë që është sot vendndodhja e aeroportit Ataturk.
Gjatë luftës së parë botërore, dy fuqitë goditën njëra-tjetrën në lindje të Anadollit dhe përgjatë Kaukazit jugor, me rezultate që shkuan në humbje shkatërruese për të dyja palët. Rusia madje, armatosi forcat lokale kurde gjatë luftës.
Rusia prej një kohe të gjatë i ka lakmuar kalimet detare të Turqisë dhe e përçmon Konventën e Montrosë që i jep Turqisë kontrollin Sovran mbi to. Kontrolli i Konstandinopojës (më pas Stambollit) ka qenë një ëndërr e admiralëve rusë me breza të tërë.
Pas luftës së dytë botërore, pati madje, një përpjekje të dështuar nga Moska për të pretenduar territore të gjera të Turqisë, përfshirë portin e Detit të Zi, Trabzon, në emër të Bashkimit Sovjetik.
Zakonet e vjetra nuk hiqen lehtë
Padyshim, vendimi i Turqisë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 1952 ishte rezultat i sjelljes agresive të Bashkimit Sovjetik. Por që nga përfundimi i luftës së ftohtë, Rusia vijon të nxisë konflikte me Turqinë dhe me NATO-n.
Rusia e sotme provokon dhe hyn në hapësirën ajrore turke, dërgon transit anijet e saj luftarake me marinarë në bord të armatosur me raketa, në mes të zemrës së Stambollit dhe mbështet kundërshtarin kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, presidentin sirian Bashar al-Assad.
Rusia po armatos kurdët sirianë, për të trembur Ankaranë, dhe gjithashtu sapo ka përforcuar me 5 mijë trupa garnizonin e saj të dislokuar në Armeni, pjesa më e madhe e të cilëve janë më pak se 10 kilometra nga kufiri me Turqinë.
Moska ka zbatuar, gjithashtu, një spektër të gjerë sanksionesh kundër Turqisë dhe ka anuluar marrëveshje të rëndësishme energjetike. Pushtimi rus i Krimesë dhe persekutimi i tatarëve që jetojnë atje, vijon. Gjatë kohëve perandorake, vetëm kjo do të kishte qenë shkak i mjaftueshëm për luftë mes dy vendeve.
Një lojtar i rëndësishëm
Nuk është habi që Turqia është e shqetësuar. Si anëtare e NATO-s, edhe aleanca duhet të jetë gjithashtu e shqetësuar.
Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO pas Shteteve të Bashkuara. Ato kanë drejtuar misionet e NATO-s në Afganistan dy herë dhe kanë dërguar me mijëra trupa të shërbejnë nën flamurin e NATO-s në disa operacione ushtarake.
Turqia, gjithashtu thuhet se është vend pritës për armët taktike bërthamore amerikane, që formojnë një pjesë të rëndësishme të kapacitetit bërthamor të NATO-s. Turqia është vendi që strehon radarin X-Band, me një rol kyç për mbrojtjen raketore të NATO-s dhe Ankaraja kontribuon në aftësinë e përgjigjes së shpejtë dhe në nismat e përbashkëta si në Balltik.
Për më tepër, Turqia ka lidhje të ngushta kulturore dhe ekonomike me republikanet qendrore aziatike në zemër të Euroazisë – një rajon që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Realiteti gjeopolitik
Pa asnjë dyshim, marrëdhënia e Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara me presidentin Recep Tayyip Erdogan është komplekse. Shumë nga veprimet e qeverisë së Erdogan, sidomos kur vjen puna për lirinë e medias, janë çështje të sikletshme për shumë në Uashington, Paris apo Londër dhe me arsye.
Por ndërsa shqetësime të tilla duhet të adresohen me Ankaranë, kjo duhet të bëhet jashtë kuadrit të NATO-s.
NATO ka nevojë për Turqinë sot për të njëjtat arsye që kishte nevojë për të gjatë luftës së ftohtë. Ta pëlqejnë ose jo, ky është një realitet gjeopolitik dhe është koha e duhur që politikbërësit të bëhen të ndërgjegjshëm për të.
NATO nuk duhet të presë hundën që të pështyjë fytyrën. Përballë fakteve të agresionit rus dhe barbarizmit të ISIS, pragmatizmi është e vetmja rrugë përpara në lidhje me Turqinë. Kjo do të thotë një angazhim të plotë me Turqinë brenda NATO-s e jo shtyrja mënjanë e Ankarasë.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/
*Luke Coffey është kërkues i specializuar në sigurinë transatlantike dhe euroaziatike në organizatën me seli në Uashington DC. Më parë ka punuar si këshilltar special i sekretarit britanik të Mbrojtjes dhe ka qenë edhe officer në ushtrinë amerikane. Artikulli është botuar nga Al Jazeera.