Bota muslimane po kalon përmes një kohe të trazuar. Një rend botëror i padrejtë dhe kaotik, luftëra të nxitura, konflikte të brendshme, tensione sektariane, trazira sociale e vështirësi ekonomike, këto jo vetëm po krijojnë probleme të mëdha politike, por gjithashtu po harxhojnë energjitë e saj shpirtërore dhe intelektuale. Si pasojë, akademikët, shkencëtarët dhe artistët muslimanë po mbeten pas standardeve botërore dhe nuk po arrijnë të shohin se, në fakt, ata kanë diçka për t’i thënë botës. Në këtë gjendje të trazirave të vazhdueshme, a është e mundur të gjendet hapësirë për punë intelektuale, kulturore dhe artistike? Përgjigja e shkurtër është po dhe historia e gjatë e botës muslimane me gjithë ulje-ngritjet politike të saj sjell prova të bollshme për këtë.
Disa nga figurat më të ndritura të traditës intelektuale islame jetuan në kohë të transformimeve të mëdha politike. Gjenerata e parë e juristëve dhe teologëve muslimane ishin dëshmitarë të trazirave të mëdha brenda komunitetit musliman, sidomos përsa i takon çështjes së trashëgimisë politike pas vdekjes së profetit të Islamit, Muhamedit, në vitin 632. Debatet më të hershme ishin të lidhura ngushtësisht me konflikte politike.
Tradita filozofike dhe shkencore në Islam u formua përmes periudhave të trazuara të formimit të hershëm të shteteve muslimane dhe pushtimeve ushtarake. Tranzicioni nga Umajadët tek Abasidët dhe themelimi i dhjetëra emirateve në tokat muslimane nuk bëri që shkencëtarët dhe filozofët muslimanë të mos prodhonin njohuri të klasit të parë. Ishte angazhimi i tyre i pandërprerë ndaj që vërtetës dhe dijes që shtroi themelet për civilizimin e mëpasshëm islam që shtrihej nga Azia Qendrore në Azinë e Vogël, Mesopotami, Afrikën e Veriut dhe Andaluzi. Mendimtarët e mëdhenj muslimanë, al-Kindi, al-Farabi dhe Ibn Sina, mes të tjerëve, shkruan punimet e tyre më madhore në mendim, logjikë, mjekësi e art në mesin e pasigurive politike dhe fushatave ushtarake.
Nga shekulli i 12-të deri në atë të 14-të, tokat muslimane panë dy fuqi pushtuese: kryqëzatat nga Perëndimi dhe mongolët nga Lindja. Shkatërrimi që ato shkaktuan për qytetet muslimane dhe rrjedhën e jetës së përditshme është regjistruar në librat e historisë me një ndjesi agonie, dhimbjeje dhe keqardhjeje. E megjithatë, disa nga punimet më të mëdha të kulturës dhe civilizimit islamik u prodhuan poashtu në këtë periudhë. Në librin e tij të famshëm “Kitab al-I’tibar”, Usama ibn Munqiz, bashkëkohës i Salahaddin Ejubit që mori Jeruzalemin nga kryqtarët në vitin 1187, bën kronikën e ngjarjeve të periudhës me detaje të gjalla. Megjithatë, asnjë nga konfliktet politike dhe ushtarake në të cilat ai ishte dëshmitar, nuk e largoi atë nga kjo punë mbresëlënëse.
Për më tepër, mendimtarë me aq ndikim si Ibn al-Arabi (d. 1240) dhe Mawlana Jalal al-Din Rumi (d. 1273) shkruan punët e tyre më të mira në shekullin e 13-të, në mes të fushatave të kryqtarëve dhe pushtimeve mongole. Ndërsa Ibn al-Arabi dëshmoi vuajtjet e Islamit andaluzian, Rumi u largua nga pushtimi mongol duke gjetur strehë në Konia, ku ai është varrosur sot e kësaj dite. Një numër i madh akademikësh, filozofësh, shkencëtarësh dhe artistësh, përfshirë të mëdhenjtë Ghazali, Suhrawardi, Nasir al-Din Tusi, Fakhr al-Din al-Razi, Mulla Sadra, Ibn Kemal, Takiyuddin, Imam Rabbani, Shah Waliullah i Delhit dhe shumë të tjerë në gjithë botën muslimane, vazhduan prirjet e tyre intelektuale dhe shpirtërore si ndjekës të përkushtuar të dijes dhe mençurisë.
Sinani, një nga arkitektët më të mëdhenj në histori ndërtoi veprat e tij monumentale pavarësisht intrigave të pallateve politike. Shah Jahan e ndërtoi Taj Mahal-in në shekullin e 17-të. Disa nga punimet më të mira të kaligrafisë islame, miniaturave dhe punimit të mermerit apo libër-lidhjes u prodhuan pas shekullit të 17-të kur bota muslimane përballej me kriza politike dhe konflikte ushtarake.
Vështirësitë sociale, politike dhe ekonomike sigurisht që patën ndikim në jetët e ndoshta edhe në mënyrën e të menduarit të këtyre akademikëve dhe artistëve të mëdhenj. Megjithatë, asnjë pengesë tokësore nuk i pendoi ata nga përkushtimi i jetëve të tyre për dijen, të vërtetën dhe realizimin shpirtëror. Kontributet e tyre jetëgjata për dijen dhe të kuptuarit njerëzor kanë mbijetuar edhe sot e kësaj dite pavarësisht sfidave sociale e politike që ata përballuan në kohën e tyre.
Ka mësime që duhen nxjerrë këtu nga bota muslimane sot. Para së gjithash, problemet politike që ndikojnë jetën e të gjithë neve nuk do të zgjidhen vetëm me anë të mjeteve politike. Zgjidhja e tyre kërkon përpjekje serioze intelektuale dhe angazhim për njohuritë akademike dhe mençurinë. Kështu që nuk është e zgjuar të pritet derisa të zgjidhen problemet politike dhe sociale përpara se të angazhohemi në punë serioze akademike dhe intelektuale. Përkundrazi, qeveritë dhe komunitetet akademike duhet t’u japin përparësinë më të madhe programeve serioze shkencore dhe intelektuale.
Së dyti, aq sa problemet politike kanë një bilanc në jetën intelektuale të individit dhe të kombit, ato gjithashtu kanë një rol nxitës kudo që mendjet e hapura dhe kërkuese mund të kthejnë krizat në mundësi. Të punosh nën presion nuk është e lehtë, por mund të jetë shpërblyese.
Së treti, muslimanët bashkëkohorë duhet ende të zbulojnë trashëgiminë e tyre të pasur intelektuale. Vetëm një fraksion i punimeve akademike, shkencore apo artistike të prodhuara nga muslimanët përgjatë një mijëvjeçari janë ripunuar dhe publikuar. Pjesa më e madhe e punës nuk është mbaruar ende. Arsyeja përse kjo konsiderohet e rëndësishme është se mund të na ndihmojë të hartojmë një kurs të ri sot, pa mohuar realitetet e kohës në të cilën jetojmë.
Ne duhet të kemi perspektivën e një horizonti të hapur ndaj botës, në të njëjtën kohë që qëndrojmë të ngulitur në qendrën dhe traditën tonë. Asnjë komunitet nuk mund të ketë të ardhme pa i përkitur një tradite.
Problemet politike dhe ekonomike që kombet muslimane përballin sot janë reale dhe nuk duhen marrë lehtë. Megjithatë kjo nuk mund të jetë justifikim për të mos u angazhuar në punë serioze, afatgjatë intelektuale, shkencore dhe artistike.
*İbrahim Kallën është këshilltar pranë presidentit turk dhe sekretar për Shtypin në kompleksin presidencial të Turqisë. Ai është gjithashtu zyrtar i lartë në qendrën Princi Alwaleed Bin Talal për kuptueshmërinë muslimano-kristiane në universitetin Georgetown. Kallën u diplomua në universitetin e Stambollit dhe kreu doktoraturën në universitetin George Washington.
Në dhjetor 2014, presidenti Recep Tajjip Erdoğan njoftoi se İbrahim Kallën do të ishte sekretari i parë zyrtar për shtypin i presidencës turke.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/