Nga Bashkim Kastrati
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka disa javë që ka nisur të ashtuquajturin “turi i dëgjimit”. Këso iniciative pati marrë edhe paraardhësi i tij Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore: ai dëgjonte qytetarët, vizitonte bizneset, ndërsa nuk përtonte që gatuante edhe ndonjë picë, për të treguar përkrahjen për bizneset e vogla.
Turi i Kadri Veselit jep sinjale të qarta se zgjedhjet nacionale nuk janë larg dhe se ai po krijon terren për të fituar sërish zgjedhjet, ndërsa efektin e këtij turi, ndoshta do ta masë me sondazhe, pasi që kjo është taktikë e PDK-së.
Problemet që po i dëgjon Kadri Veseli janë të vjetra; ai si qytetar i ka parë në përditshmëri pasi që ka jetuar në Kosovë; por partia e tij PDK që është në pushtet në vitet e fundit nuk gjeti zgjidhje për këto probleme.
Përveç dëgjimeve dhe premtimeve të shumta që ka bërë Kadri Veseli, ai është fokusuar edhe tek fusha e bujqësisë, duke vizituar shumë fermerë dhe dëgjuar hallet e tyre. Këta të fundit janë ankuar përmos përkrahje nga Ministria e Bujqësisë për tregun që nuk iu siguron prani sa duhet për të shitur produktet e tyre; janë ankuar gjithashtu se produktet e shteteve fqinje në sezone të caktuara po i ngufatin dhe se kompani të caktuara kanë bërë monopol në treg dhe po ndikojnë në veprimtarinë e tyre. Veseli ka dëgjuar edhe shumë e shumë probleme tjera dhe iu është përgjigjur këtyre ankesave me premtime se do të këtë një “fillim të ri”. Motoja paraprake e PDK-së ishte “Misioni i Ri”, por këtë mision kjo parti arsyetohet se nuk po e zbaton, sepse nuk e ka postin e kryeministrit.
Por për çfarë “fillimi të ri” po flet Kadri Veseli, kur dihet se prej vitit 2007 e deri më tani Ministrinë e Bujqësisë e udhëheq PDK-ja, partia e tij? Ideja e Veselit për “fillimin e ri” a nënkupton se deri më tani është punuar keq, se deri më tani si pasojë e qeverisjes jo të mirë, i kemi të gjitha këto probleme? Tjetra: idesë së Veselit për “fillimin e ri”, në fushën e bujqësisë a do t’i prijnë sërish të “vjetrit” Blerand Stavileci dhe Memli Krasniqi, që udhëhoqën këta ministra prej vitit 2007?
Në ditët e fundit Veseli ka bashkëbiseduar në Prizren me ekspertë të industrisë së përpunimit të qumështit për të dëgjuar nga ata ide konkrete për reformat që shteti duhet të ndërmarrë në fuqizimin më të madh të sektorit të bujqësisë.
Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit propozuan që në të ardhmen e afërt të nxirret një ligj i posaçëm që do të favorizonte ata dhe gjithë prodhuesit e tjerë vendorë që në supermarketet kosovare të obligohet ekspozimi i produkteve vendore.
Pasi dëgjoi ekspertët dhe përpunuesit e qumështit e fermerët, kryetari Veseli theksoi se investimet në bujqësi duhet të rriten, ndërsa shteti duhet të kujdeset që të jetë sa më afër atyre që punojnë tokat dhe krijojnë vende të reja pune.
“Do të dyfishohet buxheti për bujqësi. Po ua jep fjalën se do të dyfishohet. Ka nevojë Kosova për një fillim të ri edhe në sektor të bujqësisë”, tha kryetari Veseli, duke i inkurajuar fermerët dhe përpunuesit e qumështit që të vazhdojnë punën dhe të rrisin kapacitetet e tyre.
Kryetari Veseli kërkoi nga ekspertët ide konkrete se si ata e shohin të ardhmen e bujqësisë dhe vendimet që shteti duhet të ndërmerr për fuqizimin e këtij sektori.
Por shtrohet pyetja: pse nuk ka qenë deri më tani prioritet Ministria e Bujqësisë për qeverinë e Kosovës nën udhëheqjen e PDK-së? Qeveria e udhëhiqej nga PDK e ka përcaktuar buxhetin për këtë ministri. Pse nuk u dyfishua ky buxhet? Kjo paraqet një kontradiktë tek Veseli, pasi që ai e ka vlerësuar si pozitive qeverisjen e PDK-së, ndërsa tash “fillimi i ri”, na thotë se punët nuk qenkan kryer mirë.
Veseli: politika nuk është e përfshirë për zhvillim të ekonomisë në vend
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ditë më parë në konferencën e donatorëve në sektorin e bujqësisë ka thënë se bujqësia dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë prioritet i politikës në Kosovë. Sipas Veselit, fatkeqësisht politika nuk është e përfshirë për zhvillim të ekonomisë në vend, por vetëm për të marrë pushtetin.
“Për fat jo të mirë në Kosovë nuk ka ndodhur që politika të përfshihet në ekonomi. Politikanët po vazhdojnë në interesin e tyre të luftës për pushtet, e jo në interes të qytetarëve. Politika dhe politikanët në vend që të merren me bujqësi dhe problemet rurale janë bërë barrë për qytetarët”, ka thënë ndër të tjerash Veseli.
Kreu i Kuvendit ka shtuar se politika është shkëput nga prodhuesit, siç thotë “është e dhimbshme por e vërtetë”. Sipas Veselit kjo situatë në Kosovë duhet të ndryshojë urgjentisht.
“Fokusi i vendimmarrjes duhet të kthehet në qytetarin tonë. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ecim asnjë hap përpara në fusha të tjera’, ka deklaruar Veseli.
Premtime të tilla kanë dëgjuar edhe vite më parë qytetarët, përkatësisht fermerët, por nuk është bërë asgjë konkrete. E gjithë kjo fushatë e Veselit, nga njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike konsiderohet se po bëhet për efekte elektorale, duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës merren me bujqësi, ky sektor konsiderohet si një gjenerues i madh i votave për zgjedhjet nacionale të cilat duken së janë afër. /tesheshi.com/