Nëse dëshiron të kuptosh psikopatologjinë në rrënjë të psikozës sioniste, duhet të shkosh në zemër të iluzionit të tyre, si një analist që e vendos të sëmurin mendor në një kolltuk – dhe tani nuk ka vend më të mirë për të parë fiksimin psikopatik kolonial në veprim sesa në një artikull të titulluar “Sigurisht, Jerusalemi është kryeqyteti i Izraelit” publikuar (ku gjetkë?) në “New York Times” vetëm pak orë nga njoftimi i Donald Trump.
Pompoziteti fanatik sionist nis me propozimin që “ekzistonte një tempull në atë vend për gati 1 mijë vjet përpara shkatërrimit romak. Kjo do të thotë se për rreth 3 mijë vjet, Jerusalemi ka qenë qendra e popullit hebre”. Kjo është hileja më e vjetër dhe më e marrë në trastën sioniste: merr një deklaratë që s’thotë gjë – një fragment të parëndësishëm nga e gjithë e vërteta – dhe përdore në avantazhin tënd. Por prit, jo kaq shpejt!
Diletantizmi i qëllimshëm i sionistëve në historinë e Lindjes së Mesme është çmenduri e hapur. Të krishterët dhe muslimanët, po ashtu, e gjurmojnë historinë e tyre arkeologjike mijëra vjet më parë në të njëjtën Palestinë. Kjo nuk do të thotë se kanë të drejtën për të shpallur një republikë të krishterë apo islame në Palestinë. Ideja e “shtetit hebre” në Palestinë është po aq mashtruese sa edhe parakushti i perandorisë së Krishterë apo republikës Islame në Palestinë. Palestina ishte qeverisur gjithashtu edhe nga perandoritë perse dhe romake, por kjo nuk autorizon Italinë apo Iranin të vijë e të pretendojë Palestinën. Ne mund të dërgojmë në ring Berluskonin dhe Ahmadinexhadin për një betejë e kush të fitojë mund të mundë Netanjahun. Problemi me sionistët është se ata duken kaq shumë indiferentë ndaj vetë budallallëkut të tyre.
Nga falsiteti në falsitet
Nga kjo e dhënë e parë fallco, këta sharlatanë atëherë kalojnë në një përfundim akoma edhe më fallco: “Më pas, hebrenjtë u rikthyen”, thonë ata në fantazinë e tyre të dhunshme dhe “në shekullin e 19-të, hebrenjtë nisën të ndërtojnë lagjet e tyre dhe të vendosen jashtë mureve të qytetit të Vjetër në Jerusalem”.
Hebrenjtë që shkonin në Palestinë apo që madje jetonin në Palestinë për shkak të bindjeve të tyre fetare apo thjesht për shkak të atdheut të përbashkët me të krishterët dhe muslimanët përgjatë shekujve, nuk kanë të bëjnë fare me projektin aventuroz të sionistëve europianë për kolonizimin e Palestinës. Këto janë dy fakte tepër të ndryshme që sionistët “grabitës të armatosur” me qëllim i mjegullojnë në mënyrë që të ushqejnë marrjen e tyre zullumqare të Palestinës me histori hebreje si një modus operandi të legjitimitetit të munguar.
Ngatërresa e qëllimshme e izraelitëve që në mënyrë të vazhdueshme përcaktojnë njësoj hebrenjtë me sionistët, mbetet e përhershme në mashtrimet e tyre rishtare. Por faktet i përmbysin ata: jo të gjithë hebrenjtë janë sionistë, jo të gjithë sionistët janë hebrenj. Sionistët e krishterë janë më fanatikët e të gjithë sionistëve. Sionistët muslimanë, tashmë drejtohen nga princi saudit i kurorës në zemër të muslimanizmit dhe nga ambasadori i Emirateve në Uashington. I duhet dhënë fund akuzës pa kuptim të antisemitizmit që u drejtohet të gjithë atyre që me të drejtë kritikojnë koloninë e vendosur izraelite. Sërish: jo të gjithë hebrenjtë janë sionistë dhe jo të gjithë sionistët janë hebrenj dhe i vetmi popull që frikësohet se po e quajnë “antisemit” janë anti-semitët.
Duke paraprirë zgjerimin e presidentit amerikan Donald Trump të Deklaratës së Balfurit për Jerusalemin, zyrtarë të propagandës izraelitë deklaruan: “Një deklaratë nga një president amerikan nuk do të ndryshojë angazhimin e Izraelit ndaj Jerusalemit. Ky është kryeqyteti ynë dhe gjithnjë do të jetë. U mor prej popullit hebre me anë të forcës. U rimorr me forcë. Nëse është e nevojshme, do të mbahet nën juridiksionin e Izraelit, po me forcë”.
Fjalori i kufizuar zyrtar
Kur një zyrtar thotë “ky është kryeqyteti ynë”, është një grabitës sionist që flet. Kur ai thotë “i është marrë popullit hebre”, thotë mashtrimin historik që shërben si as nën mëngë.
Askush nuk e mori Jerusalemin apo Palestinën nga hebrenjtë që sionistët ta rimerrnin atë pas. Hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët kanë qenë aktorët e pushtimeve të njëpasnjëshme perandorake, që të gjithë kulminojnë me imperializmin europian që kryesohej nga pushtimi sionist kolonial i Palestinës. Ky fakt i thjeshtë historik përpunohet në mendjen e sëmurë ideologjike të zionistëve dhe kthehet pas si një dërdëllitje.
Me rrënjë në ideologjinë raciste, Izraeli është një vendbanim europian kolonial krijuar nga një zyrtar i kobshëm kolonial britanik dhe ruajtur nga një imperializëm akoma edhe më grabitës amerikan. Që nga babilonasit deri tek persët e romakët, më pas tek kryqtarët, osmanët dhe britanikët: Palestina është sunduar nga perandori të shumta, asnjë prej të cilave nuk kishte pretendim legjitim mbi banorët e Palestinës – hebrenjtë, të krishterët apo muslimanët.
Kolonialistët sionistë janë thjesht luftarakët më të fundit që me dhunë po pushtojnë Palestinën pa asnjë gërmë legjitimiteti historik në favor të tyre. Hebrenjtë, të krishterët e muslimanët do të vazhdojnë të jetojnë në Palestinë me breza pasi sionizmi të ketë fundin e të gjitha pushtimeve të tjera perandorake apo kolonialiste të Palestinës: në koshin e historisë.
Sionistët janë propagandistë të arsimuar keq. Ata kanë një fjalor të kufizuar, një fantazi iluzore që e projektojnë si histori, dhe një predispozicion fanatik që e shesin si bindje ndaj audiencave të tyre europiane apo amerikane. Pjesa më e mirë e tyre janë të shitur ndaj këtij iluzioni të rrezikshëm. Pjesa më e keqe drejtojnë Izraelin dhe mashtrojnë Shtetet e Bashkuara në dhënien e mbështetjes për grabitjen e Palestinës. Sa më zëshëm protestojnë, aq më boshe janë pretendimet.
Palestina u përket palestinezëve. Jerusalemi ka qenë dhe do të jetë gjithnjë kryeqytet palestinez. Jerusalemi nuk ka qenë kurrë dhe kurrë nuk do të jetë kryeqyteti i një shteti-garnizon racist, Aparteidi europian që e quan veten “Izrael”. Kurrë.
*Hamid Dabashi është profesor në universitetin Columbia në Nju Jork. Pikëpamjet e artikullit janë botuar në “Al Jazeera”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/