I nderuar President Obama!
Me shqetësim, dhe mbi të gjitha me shumë vonesë, e morëm lajmin se e keni emëruar zotëriun Gregory T. Delawie për ambasador të ardhshëm në Kosovë! Këtë shqetësim e ndajnë dy milion banorët e Kosovës, shqiptarë, serbë e të tjerë, por edhe miliona të tjerë në mërgim gjithandej Evropës, Amerikës e Azisë.
Nuk jemi shqetësuar për zotërinë në fjalë, sepse nuk e njohim ende, por për humbjen e mundësisë që të ndikojmë në përzgjedhjen e këtij posti. Natyrisht se një pjesë të fajit e kanë mediet që për këtë lajm na kanë njoftuar vetëm tani pasi që ky emërim veçse është bërë gati punë e kryer, por fajin kryesor e kemi ne vetë populli që nuk jemi interesuar shumë për ngjarjen më të rëndësishme dhe thelbësore për fatin e Kosovës.
Kur ambasadorja e tanishme Tracey Ann Jacobson vendosi përkundër të gjitha pritjeve që dy partitë më të mëdha në vend, LDK dhe PDK duhet të bëjnë marrëveshje për ta formuar Qeverinë e tanishme, ne u bindëm përfundimisht në rëndësinë thelbësore të pozitës së ambasadorit të SHBA në Kosovë! Kështu që tash po ua bëjmë këtë kërkesë, në emër të popullit dhe për të mirën e popullit, edhe pse me vonesë, por të paktën kjo mund të ketë efekt pas katër vitesh kur të emërtohet ambasadori i radhës.
Nëpërmjet kësaj letre lusim hirësinë tuaj që, duke qenë se Kosova në shumëçka është rast sui generis, ta bëni vendin tim edhe më shumë të tillë duke e ndërruar sistemin e emërtimit të ambasadorëve për Kosovën. Ju lus që emërtimi i ambasadorit për Kosovën në të ardhmen të bëhet nga populli i Kosovës nëpërmjet votave direkte dhe jo nga ju! Kjo duhet të ndodhë medoemos për shumë arsye.. Pikë së pari sepse ambasadori i shtetit tuaj në Kosovë është personi më i rëndësishëm në vend, pa ujdinë e të cilit nuk bëhet asgjë.
Ndikimi i shtetit tuaj dhe diplomacisë së jashtme ka qenë thelbësor në çlirimin e vendi tim. Pas kësaj, si rikujtim, ambasadorët e vendit tuaj menjëherë pas luftës në Kosovë kanë bindur ish luftëtarët e lirisë që të çarmatosen dhe të transformohen në një organizatë pacifiste kundër fatkeqësive natyrore. Ambasadori i vendit tuaj ka vendosur që pas zgjedhjeve të para, të cilësuara demokratike, qeverinë e vendit duhet ta bëjnë tok së bashku luftëtarët e lirës bashkë me fituesit e zgjedhjeve, pacifistët e lirisë.
Ambasadori i vendit tuaj ka vendosur për formulat e formimit të të gjitha qeverive të vendit tim këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Më shumë se kaq, ambasadori i vendit tuaj ka përzgjedhur edhe të gjithë presidentët e Republikës së re. Rasti i fundit është më i njohuri dhe më i famshmi, jo vetëm pse doli tekstualisht nga zarfi i ish ambasadorit Dell por edhe sepse mbajti gjallë shpirtin e Kosovës me hare, humor dhe spiritualitet.
Ambasada e vendit tuaj në Kosovë poashtu ka vendosur për kohën se kur do të shpallë vendi im pavarësinë, kur do të dialogojmë me Serbinë, si do të dialogojmë me ta dhe çka duhet të ofrojmë a pranojmë në këtë dialog. Ambasada e vendit tuaj përkujdeset edhe për shumë gjëra të tjera të jetës së përditshme në Kosovë. Kohëve të fundit, gjatë ndarjes së çmimeve Oskar, Ambasada e vendit tuaj edhe na ka treguar se me kë nga pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje duhet të krenohemi.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto, populli i Kosovës e vlerëson si jetik postin e ambasadorit të SHBA në Kosovë. Ne e konsiderojmë këtë pozitë shumë më të rëndësishme se sa pozitën e kryebashkiakut, kryeministrit apo presidentit, sepse fundja të gjitha këto pozita varen nga preferencat e ambasadorit të shtetit tuaj. Për këtë arsye ju lusim që për ambasadorin e ardhshëm të SHBA-ve në Kosovë të organizoni zgjedhje të përgjithshme në vendin tonë.
Në emër të miqësisë së përjetshme midis dy popujve tanë, ju lusim që ta merrni seriozisht këtë kërkesë dhe të na lejoni që vëllain e ardhshëm të madh ta zgjedhim vetë. Ju sigurojmë se ndaj kësaj kërkese nuk kanë asgjë kundër as politikanët, e për popullin as që bëhet fjalë.