U bë ditë që shohim prononcimet sipas rradhës të pjesëmarrësve të tryezës zgjedhore.
Të përqëndruar dhe të paluhatshëm në pozicionet e tyre të dakortësuara, ca nga interesa të përbashkët partiakë dhe ca nga kushtet e realitetit politiko-ekonomik, shohim një katërshe dialoguese dhe kordinuese të mefshët e cila më shumë të ngjan me një tryeze ku luhet pesëkatësh apo domino përgjatë pushimeve të verës, dhe ku herë pas here më shumë debaton me ortakun pse nuk hodhi letrën apo gurin e duhur, sesa me kundërshtarin.
Në deklarimet e tyre publike para dhe pas çdo tryeze bisedimesh, secili prej pjesëmarrësve në këtë tryezë dhe forca politike që përfaqëson, të jep përshtypjen se mishëron personazhin e të mirit në filmin e famshëm western “I miri, I keqi dhe I shëmtuari”, ndërsa kundërshtari është i keqi, ose më keq i shëmtuari.
Po të bëjmë një vëzhgim në fjalorin politik të Shqipërisë në tranzicion, me shumë siguri do vëmë re se fjala më e përdorur ka shumë mundësi te jetë fjala “zgjedhje”.
Zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të blera, zgjedhje të ndershme dhe demokratike, në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhje, zgjedhje, vjedhje etj…..
Si shumë gjëra me interes madhor në Shqipëri, siç janë çështja e pronave, media, integrimi etj, po shohim se dhe për zgjedhjet (reformën zgjedhore) ngjan sikur ka një koordinim të trukuar mes palëve me qëllim që përfundimi në fund të jetë fito-fito (win-win) vetëm për politikën (majtas-djathtas) por jo për zgjedhësit e tyre, të cilët, ca të lodhur nga teatri politik me shumë akte e ca të lodhur nga vështirësitë ekonomike, nuk dinë apo më keq nuk duan të reagojnë në të vetmin rast të volitshëm për ta, në ditën e zgjedhjeve.
Në vitet e fundit po shohim se iniciativën për të vendosur në siklet politikën në kësi rastesh e kanë marrë disa përfaqësi të huaja dhe përfaqësuesit e tyre, në vend që faktori kryesor të ishin aktorët vendas brenda dhe jashtë politikës.
Këto përfaqësues te misioneve diplomatike të huaja e bë kohë që kanë lëvizur nga pozicionet e tyre të presionit pasiv, dhe kanë kaluar në një rezistence aktive ndaj përpjekjes të politikës për t’u sjellë me ta ashtu siç sillet dhe me elektoratin e saj.
Dhe për çudi, me humor mund të themi se “kolaboracionistët” me të huajt në këtë rast janë një pjesë e mirë e popullatës (përjashto militantët partiakë) kur zakonisht në histori ka qenë e kundërta, ku një pjesë e politikës zgjidhte të ishte “kolaboracioniste”.
Pavarësisht si do jetë ecuria në zbatimin e reformave të ndryshme të cilat janë potencuar fuqishëm nga faktori i huaj, për momentin një pjesë e popullatës (ku rreshtoj dhe veten) më në fund po përjeton një farë optimizmi të përmbajtur kur shohim si po filtrohet pak nga pak sistemi i gjyqësorit nga ata që e degraduan atë (përfshi dhe familjarë të politikanëve dhe ish-politikanëve), se si po iu bëhet vetting ish-sigurimsave, ish-trafikantëve, ish-llumit, etj.
Duke iu rikthyer sërish temës të këtij artikulli, mund të konkludojmë se po shohim se dhe në këtë rast reforma parazgjedhore për zgjedhjet e ardhshme është pothuajse drejt fundit ku palët pavarësisht ndonje zëri të sforcuar (dhe të paartikuluar mirë) duket sikur janë të dakortësuar për draftin final.
Pas kësaj në fund fjala na takon ne zgjedhësve për të aprovuar për të disatën herë të disatën reformë zgjedhore dhe aktorët e saj, në ditën e votimeve. /tesheshi.com/